Mund të jetë ndoshta një rekord negativ ky i javës së 13-të në kampionatin zviceran për lojtarët shqiptarë. Tre lojtarë shqiptarë të skuadrave të ndryshme janë vlerësuar negativisht, duke qenë pjesë e formacionit më të dobët.
Ermir Lenjani është i pari, pasi Sioni i tij humbi thellë 5-1 me Young Boys dhe lojtari kuqezi duket se ka bërë gjithçka keq në këtë ndeshje. I pabesueshëm, sipas shtypit sportiv zviceran. Kohë të vështira për Ermir Lenjanin, i cili duket shumë larg formës së tij të mëparshme.
Mesfushori Hekuran Kryeziu, lojtar i Kombëtares së Kosovës, është vlerësuar si fajtor në humbjen e Luzernës ndaj Luganos 1-0. Kryeziu ka humbur topin në rastin e golit të ekipit kundërshtar.
Mbrojtësi i Kombëtares U-21, Arijan Qollaku, është shqiptari i tretë në formacionin më të dobët të javës, pasi ka luajtur shumë keq në humbjen 3-1 të Grasshopers ndaj St.Gallen.