Doktori letër Mugabes: Fakulteti i Mjekësisë ka nxjerrë kuadro, nuk dorëzohen!

18 Nëntor 2017, 18:53Antena TEMA

Siç dihet, presidenti Mugabe gjendet në “arrest shtëpie” dhe ushtria po negocion dorëzimin e pushtetit të tij, i cili rrezikon të kalojë tek gruaja.

Për të gjithë ata që nuk e dinë, presidenti Mugabe është student i Fakultetit të Mjekësisë në Shqipëri, në vitet ‘60.

Si gjuhë të huaj, ai ka shqipen.

Kur Doktori ka shkuar student, Mugabe ishte pasuniversitar dhe jetonte ende në konvikt, pasi po përgatitej për lëvizjen marksist-leniniste në Zimbvave.

Pas lajmeve se Mugabe është në “arrest shtëpie”, Doktori i shkruan:

“I dashur president Mugabe!

Si dy studentë të një fakulteti dhe anëtarë të një ish- partie, ndjehem i trishtuar që forcat puçiste të kanë izoluar në shtëpi dhe kërkojnë të të marrin pushtetin.

Unë kam pasur një përvojë të ngjashme në vitin 2011.

Puçistët e mi, njësoj si ty, ishin presidenti, kryeprokurorja dhe kryetari i opozitës, me disa gazetarë.

Por unë nuk prita duarkryq të më përmbysnin.

Ua numërova në lule të ballit , vrava katër prej tyre dhe plagosa 32 të tjerë.

Pas kësaj, as në gjyq nuk guxuan të më thërrasin.

Unë të mbaj mend ty dhe shokun tend, kur ishit në Mjekësi, dhe hanit në mencën e studentëve.

Të gjithë ju shikonin si shpresë për Afrikën e vuajtur.

Dhe ju e justifikuat besimin tonë.

Së bashku me presidentin Lula në Brazil dhe të ndjerin president Kabila në Kongo, ne i dhamë botës vlera të mëdha të revolucionit botëror.

Tani e di që je në ditë të vështirë, por nuk duhet të dorëzohesh kurrë.

Mos i beso ata që të nisin për negociatorë, dhe të tjerë që të thonë dorëzohu.

Hap zjarr mbi këdo që afrohet, biles jo vetëm ata që janë me automatik në dorë, por dhe me të tjerë që mund të jenë me çadra pistoletë, apo çakmakë pistoletë dhe thika të helmuara.

Dorëzimi pa kushte është fundi i revolucionit, dhe kjo nuk është në dinjitetin tonë.

Fakulteti ynë dhe ish- partia jonë, na kanë mësuar që po e more një post, nuk duhet të bësh kurrë pas.

Unë ja lashë një djali të ri partinë dhe jam bërë pishman, e jo t’i lësh pushtetin.

Por të paktën ti mos u dorëzo.

Duhet ta çojmë deri në fund veprën tone”.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje