Vllaznia, Gjoka shfryn ndaj gazetarëve: Publikimi i rrogave, gabim i madh dhe rast unikal në futbollin botëror

3 Shkurt 2018, 14:16Sport TEMA

Trajneri i Vllaznisë, Ernest Gjoka,  ka dalë përballë gazetarëve ditën e sotme për të folur mbi sfidën e nesërme ndaj Skënderbeut.

Trajneri është vënë në qendër të kritikave pas rezultateve të dobëta, por edhe për merkaton.

Gjoka ka folur edhe për çështjen më të nxehtë të ditëve të fundit të Vllaznia, publikimi në media i rrogave të ekipit, që sipas tij është një gjest aspak profesional, që mund të sjellë probleme në ekip.

Humbja me Kukësin javën e kaluar?

Ka qenë një javë e vështirë, ka pasur shumë komente,  pasi pritej shumë nga ne. Kemi kaluar një ndeshje të vështirë, nuk e realizuam atë që kishim si objektiv, por këtë javë jemi munduar ta mbajmë skuadrën sa më hermetike, për të qenë sa më larg zhurmës dhe komenteve. Jemi përgatitur për një ndeshje tjetër, edhe më të vështirë se ajo që kaluam. Kam besim se Vllaznia do të paraqitet më mirë ndaj korçarëve.

Objektivi i Vllaznisë në ndeshjen ndaj Skënderbeut?

E kishim të qartë se dy ndeshjet e fundit të kësaj faze ishin me dy ekipet më të mira të kampionatit. Me kampionët në fuqi e kaluam me rezultat jopozitiv, ndërsa Skënderbeu e dini të gjithë çfarë potenciali ka. Duhet të jemi të qetë dhe të përgatitemi për të marrë diçka pozitive. Vllaznia e ka potencialin për të dalë nga kriza, këmbëngul për këtë.

Gjithsesi, këto janë ndeshje shumë të vështira. Nuk duhet të humbasim. Në këtë mënyrë qetësohet edhe situata. Ua thashë që në fillim se java ka qenë e zhurmshme, jo vetëm nga rezultati, por edhe nga situata e krijuar. Sigurisht, rezultatet duhen, por Vllaznia nuk është për herë të parë në këtë pozitë. Sigurisht, ka ardhur një moment që nuk “mban më ujë pilafi” dhe zhurma është bërë e madhe.

Bashkëpunimi me akademinë?

Mendoj që, nëse ka skuadër në Superiore, që ka 100% lojtarë të produktit të vet, kjo është Vllaznia. Po të shikoni ekipet e tjera, kanë shumë pak. Vllaznia ka produkt të jashtëzakonshëm të akademisë së vet. Nganjëherë, unë mendoj që kjo gjendje, që është këtu, është edhe për hir të punës së madhe të akademisë, për t’i bërë sa më shpejt futbollistë. Mendoj se janë shumë të vegjël për të mbajtur barrën në Superiore, ku ka shumë probleme. Një skuadër si Vllaznia, që ka lojtarët të akademisë 70%, më duket se tregon bashkëpunim. Vllaznia i merr shumë të rinj dhe i fut në ekipin e parë.

Publikimi i pagave?

Është gabimi më i madh dhe rast unikal në gjithë futbollin botëror, kjo që u bë kësaj radhe. Uroj që ai që e ka nxjerrë atë listë të mos ketë qenë i botës së futbollit, sepse do të jetë e shëmtuar. Në asnjë vend nuk mund të krahasosh dhe të nxjerrësh pagën e një sportisti. Nuk ka pse të dimë pagat e njërit-tjetrit, kjo nuk është normale. Këtu vazhdon prapë të bëhet një zinxhir jo i mirë, për të futur siklet mes lojtarëve. Këto sjellin keqkuptime, krijohen pakënaqësi. Njëri thotë unë po luaj, por marr më pak, ai nuk luan dhe merr shumë më shumë. Nuk është normale, nuk është profesionale, nuk është qytetare. Ky është rast unikal dhe për keqardhje. Nuk ndodh askund, kontratat janë private. Nëse dikush e rrit rrogën nga një lek në pesë, e ka merituar. Sot askush nuk ta jep një lek, nëse nuk e meriton.

Dështimi në merkaton e janarit?

Durim, çdo gjë ka kohën e vet. Edhe kur mbillet ara, hidhet fara dhe pas disa kohësh korret gruri. Përnjëherë nuk del, ndaj durim”.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje