Laçi, Mezani: Bukur, nëse e fitoj Kupën në finale ndaj Flamurtarit

29 Mars 2018, 14:33Sport TEMA

Pakkush e mendonte që Laçi i këtij sezoni, 10 javë para fundit të kampionatit, do të ishte në vend të tretë, 3 pikë pas vendit të dytë, por edhe në gjysmëfinale të Kupës së Shqipërisë. Një sezon mjaft i suksesshëm deri tani, me shanse të madhe për të qenë në Kupat e Europës në verë, nga kampionati apo kupa.

Trajneri vlonjat i kurbinasve, Gentian Mezani, në një intervistë për “Vipsport.al” ka folur me maturi për atë çfarë pret në këtë fazë finale të sezonit, duke besuar shumë se do të fitojë trofeun e kupës. Për të do të ishte bukur, nëse do ta fitonte në finale ndaj Flamurtarit. Ai ka folur edhe për ndeshjen e radhës me Teutën, e paragjykuar shumë në këtë moment:

Mezani, edhe 10 javë kampionat dhe Laçi juaj është plotësisht brenda objektivit për të shkuar në Europë. Cila mendoni se është rruga më e sigurt për ju, kampionati apo kupa?

Të jemi realistë, në kampionat janë edhe 10 javë, që do të thotë shumë pikë në lojë dhe gjërat mund të ndryshojnë. Dua të them se me anë të Kupës së Shqipërisë kemi më shumë mundësi të shkojmë në Europë. Jemi në gjysmëfinale dhe do bëjmë gjithçka për ta fituar këtë trofe, por pa lënë mënjanë edhe kampionatin.

Shorti ju vuri përballë Kukësit në gjysmëfinale. Mos do kishit me shumë shanse, nëse do luanit me Skënderbeun, që po siguron titullin, apo Flamurtarit, që ka vështirësi aktualisht?

Nuk kam asnjë merak për shortin, sepse të tria skuadrat kundërshtare për ne janë të forta. Janë kundërshtarë të fortë dhe me përvojë. Edhe për Skënderbeun do të thosha se, pavarësisht fjalëve se e ka siguruar titullin dhe do të tolerojë, po e shohim që po fiton çdo ndeshje. Sigurisht që edhe ai e do Kupën e Shqipërisë, përderisa ka ardhur deri këtu, kështu që vështirësia do të ishte njësoj.

Një finale e mundshme ndaj Flamurtarit tuaj…?

(Qesh) Do të ishte shumë bukur. Ndoshta në një ndeshje të tillë me zemër mund të jem 50 me 50, por si trajner profesionist dëshiroj të arrij më të mirën me ekipin që drejtoj. Nëse Laçi shkon në finale dhe përballë do të jetë Flamurtari, do të jetë një ndeshje e veçantë për mua. Shpresoj të ndodhë kështu dhe të shpallem fitues i Kupës së Shqipërisë me Laçin, duke mundur Flamurtarin.

Kthehemi te kampionati, ku përpara është ndeshja me Teutën, që po paragjykohet shumë në opinionin sportiv. Komenti juaj?   

Më vjen sinqerisht keq që duhet të flas në këtë kontekst për këtë ndeshje radhe të kampionatit. Futbolli duhet të jetë i pastër dhe ne jemi për futbollin e pastër. Është për të ardhur keq, që e ushqejmë opinionin futbolldashës me të tilla fjalë, me thashetheme keqdashëse. Nuk i bëjnë mirë futbollit këto gjëra dhe nuk duhet t’ia servirim publikut. Ne do të shkojmë në Durrës për ta fituar ndeshjen dhe le t’ia lëmë fushës të tregojë se kush do të jetë më i miri.

Ndër kryesuesit, Laçi është skuadra me moshën mesatare më të ulët të lojtarëve. A do të arrijë ky grup të përballojë ngarkesën psikologjike të kësaj faze finale të sezonit?

Është një temë, për të cilën unë kam folur shpesh, duke pasur parasysh grupin e lojtarëve që kam. Patjetër që do të jemi në gjendje, sepse kemi në ekip disa lojtarë me përvojë, të cilët do të udhëheqin grupin. Duke punuar fort dhe duke dhënë maksimumin në çdo ndeshje, me përqendrim deri në fund, kam shumë besim se Laçi do të mbyllë suksesshëm një sezon pozitiv. Kam besim se do të jemi në Europë.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje