“Epoka e të drejtave” si parimi themelues i Europës dhe revolucioni i saj “kopernikan”

2 Gusht 2022, 13:00Blog Gersa Rrudha

“Epoka e të drejtave” si parimi themelues i Europës  dhe

Mileniumi i ri u hap me një ngjarje që mund të konsiderohet e një rëndësie emblematike, u hap me shpalljen e kartës së të drejtave themelore të Bashkimit Europian, dokumenti i parë ku të drejtat e vjetra tradicionale dhe të drejtat e reja të njeriut bashkëjetojnë pa asnjë lloj hierarkie. Në këtë kartë nuk reflektohet vetëm tensioni i fortë që në vitet e fundit u është atribuuar të drejtave themelore, por në të manifestohet mbi të gjitha bindja e pretenduar se një kushtetutë institucionale e ndarë nga një dimension i të drejtave është i pamundur.

E thotë me qartësi motivacioni me anë të së cilës Bashkimi Europian e shpalli këtë kartë: mbrojtja e të drejtave bazike të njeriut është një parim themelues për Europën dhe premisa e pashmangshme e legjitimitetit të saj. Europa sot nuk vuan vetëm nga një defiçit demokratik, por edhe legjitimor, që mund të mbushet vetëm duke nisur një epokë që do të kryejë kalimin nga një Europë e themeluar mbi tregun në një Europë të ankoruar tek të drejtat e njeriut. Ky është mëtimi i madh epokal i kësaj karte. 

Që gjatë shekullit të kaluar, pas luftës dhe epokës së diktaturave të mëdha, vetë-ndërgjegjia europiane u mbizotërua nga vendosja në qëndër të vëmendjes të së drejtave, për të ndërmjetësuar me anë të tyre konfliktet sociale të demokracisë. Përgjat kësaj epoke, e drejta rreshti së qeni ajo që pat qenë në vitet ‘800, një “sipër-strukturë” (për ta thënë sipas Marksit ose sipas Vilfredo Paretos), apo diçka marxhinale në krahasim me ekonominë, me fenë (sipas Fojerbahut) dhe shkencës (sipas Komtesë). Vetëm se, duke filluar që në vitet 90-të të shekullit të shkuar, u ndje një erozion i vazhdueshëm  i këtyre të drejtave së bashku me të drejtën publike.

 Një erozion i tillë mund të kuptohet duke iu referuar shpjegimeve të ndryshme të koncepteve juridike. Filozofët e së drejtës flasin për një dallim themelor midis vlefshmërisë, drejtësisë dhe efikasitetit. Sipas pozitivistëve, e drejta është e tillë kur është e vlefshme; duke mos u kënaqur me të, jus-naturalistët shtojnë se e drejta duhet të jetë edhe e drejtë. Së treti, nevojat që e drejta të jetë gjithashtu edhe efikase, pra nëse zbatohet, të jetë e respektueshme, ndërkohë që, nëse nuk respektohet, të ngrerë dyshime se mund të mos jetë e drejtë ose që një pjesë e shoqërisë nuk e gjen dot veten në të. Sipas këtij shpjegimi tre-nivelësh, procesi i erozionit të të drejtave për të cilin folëm më sipër, duket të jetë njëherësh krizë e vlefshmërisë, drejtësisë dhe efikasitetit.

Është pikërisht ky skenar ai që na e paraqit gjendjen e sotme si analoge me atë periudhë ku të drejtat trajtoheshin si diçka marxhinale. Një aspekt kuptimplotë i këtij procesi erozioni është se disa dekada më parë, shoqërizimi i demokracisë me partitë politike dukej i pashmangshëm, aq sa përgjatë periudhës së  tranzicionit post-komunist në zonën e Europës së ndarë, demokracia arriti të përcaktohej jo aq shumë në lidhje me të drejtat e njeriut (siç duhej të ndodhte vërtet), por në lidhje me pluralizmin partiak (siç ndodhi edhe në Shqipëri), duke bërë që demokracia të njehësohej me demokracinë e partive dhe të kompeticionit midis tyre.

Është kjo traditë e kokë-përmbysur, nxitja jonë e parë për të nisur edhe në demokracinë shqiptare proçesin që në mesin e filozofisë politike njihet me emrin e shprehjes së famshme të Bobbios, “epoka e të drejtave” ose sipas Dworkin “shpikja më e madhe e qytetërimit tonë”, të përfaqësuar nga nje ethos i ri botëror i të drejtave të njeriut, që “deri tani është më tepër i theksuar se sa i zbatuar”. Sidomos me një trashgimi komuniste pas shpatullave, e sotmja shqiptare duhej të tregonte një kujdes shumë më të madh në zbatimin e konceptit parimor, sipas të cilit bota e të drejtave jeton sipas ligjit të akumulimit, jo të zëvendësimit apo të kundërvënies midis kategorive të ndryshme të të drejtave.

Nuk mund të enfatizohen disa, për të fshirë disa të tjera, siç ka ndodhur shpesh (për fat të keq) në shumë aspekte të jetës sonë shoqërore, si p.sh. në të drejtat e pronësisë, ndërtimit, punësimit apo dhe të shfrytëzimit mjedisor. Po kështu, nuk mundt ë enfatizohen më shumë se të tjerat avantazhet materiale në kurriz të të drejtave civile, sociale apo politike. Përkundrazi, filozofia e të drejtave na e parashtron me fjalë të forta faktin se të drejtave duhet t’u mvishet mbi sup gjuha e pasioneve civile. Është një problem ky, që sidomos në demokracitë e brishta si kjo e jona nuk mund të përjashtohet, as të izolohet e të kuptohet në gjithë dimensionin e vet, edhe pse në varfërinë dhe skamjen ku gjendet një pjesë e konsiderueshme e qytetarëve shqiptarë, gëzimi i të drejtave gjen pengesën e vet më të madhe.

Të shpallësh një të drejtë nuk do të thotë vërtet të sigurosh respektimin, zbatimin dhe efektivitetin e saj. Duhen së pari të ndërtohen institucione që ta mishërojnë këtë funksion,  institucione këto që do të gjejnë vend në planin e madh afatgjat që paraqet për sistemin-vend të Shqipërisë, reforma e drejtësisë. Është ky një aspekt i dytë shumë i rëndësishëm për konteksin tonë që na jep më shumë fuqi dhe integritet për të filluar paralelisht edhe këtë proçes të gjerë ndryshimesh që nënkupton “epoka e të drejtave”. Është vërtetë një rrugë e mundimshme, një rrugëtim i ngadaltë. Por nuk duhet të biem kurrë në tundimin, e veshur në realizëm, që pohon se një e drejtë, deri në momentin kur nuk është plotësisht e realizueshme, është njëlloj sikur të mos ekzistonte.

Sa herë vallë të drejtat kanë mbetur vetëm në kartë, në një kohë kur dhunimi i tyre duhej të kthehej në një skandal që ta detyronte politikën të kërkonte me forcë zbatimin e saj efektiv. Ja, ky është hapi i parë që do të mund të hidhnim për t’u përfshirë në këtë epokë. Jetojmë vërtet në një kohë trazirash e vështirësish të mëdha, që gjithsesi nuk duhet të justifikojë gjithë ato vite inercie shqiptare në lidhje me këtë proçes. Duhet të jemi të gjithë të përgjegjshëm se sot po ndodh një riorganizim, një ripërcaktim, një shtrirje e shumëfishim i të drejtave, që nuk është “skllave” e një diktature dëshirash, por i përgjigjet pikërisht nevojës më urgjente të kohës. “Të drejtat njerëzore i kanë fituar betejat ideologjike të modernitetit” - thotë Amartia Sen. “Fitorja e tyre”, shpjegon Kostas Duzinas, tregon se ato janë vetë ideologjia në kohën e pas- humbjes së ideologjive, ose sipas një shprehje më në modë, janë ideologjia në “fund të historisë”. Ignatieff, më tej, thekson se “kultura e të drejtave sot po gjen peshë e shpërhapje në periudhën e krizës më të madhe të Europës.

 Në këtë kuptim, të drejtat njerëzore nuk janë aq shumë një deklaratë e superioritetit të qytetërimit europian, por një paralajmërim i europianëve që pjesa tjetër e botës të mos riprodhojë të njëjtat gabime të saj”. Është ky një tjetër aspekt që i shkon për shtat zhvillimit të procesit të “epokës së të drejtave” në konteksin shqiptar aq të etur për barazi e drejtësi, pikërisht pse sensi ynë moral ecën shumë më ngadalë se sa vetë fuqia jonë ekonomike, politike e teknologjike.

Po nga ç’pikë vallë duhet t’ia nisim për fillimin e këtij procesi? Bobbio, në shkrimet e tij, e shpreh shumë qartë se ç’kupton me termin “epoka e të drejtave”. Nga këndvështrimi i filozofisë së historisë, debati aktual gjithnjë e më i gjerë, gjithnjë e më me interes, mbi të drejtat e njeriut, mund të interpretohet si një “shenjë paralajmëruese” e progresit moral të njerëzimit. Po përse vallë, “epoka së të drejtave” përfaqëson një “shenjë paralajmëruese”? Shumica e kodeve normativë arkaikë dhe tradicionalë janë “kode detyrash”, jo të drejtash. Bobbio saktëson se “të drejtat dhe detyrat janë ana e përparme dhe e pasme e një medaljeje”. Në historinë e mendimit modern dhe juridik kjo medalje është vështruar më tepër nga ana e detyrave se sa nga ajo e të drejtave. “Epoka e të drejtave” kryen pikërisht kalimin nga kodi i detyrave në kodin e të drejtave, duke përfaqësuar kështu një kokë-përmbysje radikale të historisë shekullore të moralit ose siç e përcaktoi Bobbio “një revolucion kopernikan” te saj.

 Në dallim nga tradita e gjatë politike, ajo nënkupton që raporti midis qeveritarëve dhe të qeverisurëve të trajtohet jo më nga perspektiva e të parëve (udhëheqësve), por nga perspektiva e të dytëve (njerëzve). Gjatë gjithë kësaj kohe është pohuar dalëngadalë një koncept individualistik  i shoqërisë dhe i shtetit, që ka zëvendësuar atë organik. Në këtë përkëmbim të raportit midis shtetit dhe individit, ndodh përkëmbimi i  raportit tradicional midis të drejtave dhe detyrave. Përsa i përket individit, së pari vijnë të drejtat e pastaj detyrat, kurse përsa i përket shtetit së pari vijnë detyrat e pastaj të drejtat.

Është pikërisht ky përkëmbim i roleve thelbi i atij “revolucioni kopernikan” që kërkon të zgjojë e të zhvillojë kjo epokë. Veçanërisht në një vend si Shqipëria, ku të drejtat nuk kanë qenë kurrë në fokus, zbatimi i një proçesi të tillë do të qe vërtet frytëdhënës. Njëri nga prioritetet e qeverive të sotme është formimi i një shteti të fortë. Sipas perspektivës së “epokës së të drejtave”, do të thotë që kjo duhet të shihet si detyra kryesore e shtetit, por që nga ana tjetër duhet të vendosë në qendër të punës së vet njeriun me të drejtat e tij.

Mirëpo realiteti politik, deri tani ka menduar më shumë për të drejtat e tij, në një kohë që, nga sot e tutje, nëse duhet të bëjë shtet duhet të hyjë patjetër dhe vendosmërisht në “epokën e të drejtave”. Shtetformimi dhe të drejtat duhet të ecin paralelisht, përndryshe e para kthehet në qëllim në vetvete, pra në autoritarizëm në rastin më të mirë dhe në demogagji e vetë-gënjim në rastin më të keq. Për këtë arsye, në skenën e shoqërive si ato te llojit të Shqipërisë, duhet të shfaqet një përfaqësim i ri i të drejtave, përmes të cilave të ndihen të gjitha arsyet e saj, ku njeriu të shihet në gjithë realitetin e integritetin e vet, ashtu siç e dëshmon karta e të drejtave themelore të B.E. Në preambolën e saj ajo e vendos “personin në qendër të veprimit politik dhe shtetëror”, i cili “duhet mbrojtur dhe respektuar”.

Kjo nënkupton që për të jetuar nevojitet një identitet, d.m.th. një dinjitet. Kurse,  në nenet e tjerë, ajo vazhdon me “sigurimin dhe mbrojtjen e “trupit fizik”, duke pohuar të drejtën e respektimit të “integritetit fizik dhe psikik”,  deri dhe të “trupit elektronik”, që ka të bëjë me ruajtjen e të dhënave  personale dhe privatësisë. Nëse do të ballafaqonim këto të drejta të grupit të “dinjiteti njerëzor” me pasojat sociale, morale, monetare, trupore dhe mendore, që lënë pas reformat tona qeveritare, do të kuptojmë se në ç’përpjestim të zhdrejtë janë ato, jo vetëm me kartën e të drejtave të B.E., por edhe me praktikat më të mira të demokracive perëndimore. Sipas kësaj perspektive, nëse ndiqen nenet e pjesëve të ndryshme të kartës, mund të kuptohet filli që i lidh të gjitha: ai është dinjiteti, liria, barazia, solidariteti, qytetarësia, drejtësia. Janë vlera që përcaktojnë pozicionin e çdo njeriu, por edhe modalitetet e proceseve demokratike p.sh. njohja për të gjithë e të drejtës të votës së lirë  dhe të barabartë, nuk mund të abstragohet (apo ndahet) nga kushtet apo gjendja materiale dhe ekonomike në të cilën ajo kryhet.

 Puna, edukimi, banimi, shndërrohen kështu në parakushte (përveçse elemente bazë të një jete të denjë) të pjesëmarrjes efektive të qytetarëve, pra edhe në ndikues të drejtëpërdrejtë të cilësisë së demokracisë. Edhe parimi i barazisë themelore, u cakton për detyrë pushteteve publikë të “heqin” të gjitha pengesat e llojit ekonomik dhe social, që limitojnë apo cënojnë lirinë dhe barazinë e qytetarëve. Kjo nënkupton që shteti ka për detyrë parësore të luftojë dobësinë sociale me forcën e së drejtës, për të rishpërndarë ne këtë mënyrë bazat e konflikteve.

Për të arritur këtë, shteti duhet të ketë për objektiv promovimin e emancipimit social dhe individual me anë të kësaj të drejte. Pasi ky është deficiti më i madh i qeverisjes dhe demokracisë: mos-fokusimi i dinjiteti njerëzor me të gjitha përmasat e tij. Rruga, kësisoj, duket e qartë. Duhet të ngrihet sa më lart zëri i njerëzve, për t’u drejtuar kah një të ardhmje me “dinjitet të qëndrueshëm” për ne dhe për brezat që do të vijnë. Njeriu duhet të vihet në qendër të gjithçkaje, ai duhet të jetë qeliza jonë zanafillore, përgjegjësia jonë e parë.

 Që këtu duhet të nisemi për t’u dhënë atij atë dinjitet që sot nuk e ka, për t’i dhënë dinjitet studimit, punës, familjes, përmbushjes së plotë të shpirtit njerëzor në respektimin moral të çdo dimensioni, duke vendosur çdo herë caqe gjithnjë e më të guximshëm e ambiciozë. Kjo është reforma më dinjitoze dhe urgjente që duhet të kapërcejë çdo reformë. Sepse, nuk duhet harruar kurrë që të flasësh për të drejtat e njeriut, duhet gjithmonë të shikosh larg, të frekuentosh të ardhmen, të mos mbetesh kurrë i burgosuri i së shkuarës. E duhet të kesh të rrënjosur në vetvete një besim pasional, ndoshta dhe të pafajshëm, por jo iluzor, që të mbështesë mundimin e vazhdueshëm të ndërtimit të një sistemi të drejtash, ndoshta të papërfunduar, por të domosdoshëm për krijimin e një shoqërie dhe demokracie më të mirë.

 

2 Komente

  1. A
    Arzt

    Na i kurseni keto shkrime pa vlere te nje laraske te Saliut!

    1. M
      Mira

      As te perkthejne nuk dine

      Lini një Përgjigje