Satira dhe opozita jonë, i përveshin mëngët…në shtator

29 Korrik 2022, 21:00Blog Ben Andoni

Satira dhe opozita jonë, i përveshin mëngët…në

Sovranitet dhe referendum. Ky togfjalësh mund të shkëputet nga narracioni i përbashkët i kryetarit de facto të PD-së, z .Berisha dhe kryetarit të Partisë së Lirisë, “rishtarit” Ilir Meta. I pari merret me sovranitetin, si një kompleks të madh që ka me SHBA-në pas shpalljes “non grata” (në një vend ku janë dy baza amerikane), kurse i dyti me referendumin, sikur të mos kenë qenë vetë pjesë e shtetit shqiptar në çdo qelizë ku të mundësonte dhe ta ndihte deri më tash referendumin.

Fatkeqësia është sesi dy njerëz, që nuk njohin asnjë masë demokratike dhe që e kanë shpalosur me zgjedhjet e fundit respektive (këto të Metës do të përshfaqen si ekzemplare në teorinë politike) mëtojnë të sjellin një frymë të re, kurse ato të Berishës, njerëz të tij e thonë me zë e figurë që manipuluan dikur për Lulzim Bashën, do të sjellin ndryshimin e vërtetë!!! Për të ardhur keq është se: edhe për pjesën mbrojtëse të tyre dhe ata që po mbulojnë sot atë përpjekje të madhe që po bëhet për ngritjen e një grupi opozitar: Nëse njihni njerëz më të fortë dhe autoritativë se Meta dhe Berisha atëherë bujrum! Me këtë lahen duart si Pilati dhe u jepet nga një megafon dy personazheve që duhet më së pari të pastrojnë politikën shqiptare.

Po a është e vërtetë se binomi Berisha-Meta dinë të mbledhin publikun?! Ndërsa Berisha ka ende peshën e një personi, që ka bërë demokracinë (siç i atribuohet pa asnjë analizë i gjithë zhvillimi i frontit të gjerë që u bashkua te PD-ja nga viti 1991), tek Meta besohet se ka energji të pafundme dhe i pëlqen të shfrytëzojë çdo konjukturë. A është kjo opozita e vërtetë? Për fat të keq jo. Dhe, më keq akoma kjo situatë është më e rëndë kur shikon fragmentin tjetër të bashkësisë së partive opozitare, që nuk flasin dhe po presin të rrjedhin ujëra të tjera te PD-ja, duke ruajtur status quo-të e tyre shumë inekzistente. Më keq parazitizmin e tyre politik dhe shfrytëzimi e partive, që në masë nuk duhet të funksionojnë më.

E para për këtë lloj opozite, që do të na humbë sërish kohë, është mungesa e një vije të drejtë ideologjike e cila mbahet si një nga gjërat më të papërfillshme. Berisha e shpalli ndryshimi e tij drejt konservatorëve në një nga foltoret pa as edhe konsultimin më të vogël, kurse Meta i bëri ndryshimet duke pataksur dhe njerëzit e vet, që rrinin si të mumifikuar në sallë. Në rastin e dytë të ish-LSI-së, puna partiake nuk ka asnjë rëndësi: tek e fundit është shembulli më i shëmtuar sesi politika mbahet në familje dhe si shfrytëzohet një formacion deri në shpërfytyrim. Me pak fjalë: si mund të ndryshosh rrjedhat pa asnjë konsultim dhe si mund të votosh në fraksione sekonde ndryshime, që kërkojnë analiza të gjera?!

Nuk po ndalemi te problemet që mbështjellin këto dy personazhe dhe për fatin e keq, po mbajnë flamurin ndaj pështjellimeve që fal sot menaxhimi i pushtetit nga kryeministri aktual, Rama, që nga ana tjetër është pothuaj në një gjatësi vale sa i përket demokracisë së brendshme në partinë e tij.

Shqipëria duhet të lindë një opozitë, pikë së pari duke krijuar atë se ku duhet dhe për çfarë duhet të funksionojë kjo opozitë. Parlamenti mjafton për zullumet e qeverisë Rama, por opozita është një koncept më i gjerë, i cili përmbledh pjesën ideore dhe mbi të gjitha idetë për fytyrën e Shqipërisë së nesërme. Dhe, nëse këtë fizionomi do e kërkosh me imazhet e stërvjetra të Berishës dhe Metës tregon se demokracia shqiptare ende se ka kaluar cakun e viteve ’90 të shekullit të shkuar dhe është në nivelin e saj më fatkeq. Atëherë kur do lindë kjo opozitë?! Me sa duket, të gjithë tek PD-ja po mundohen të shfrytëzojnë Berishën, si ai dashi i dikurshëm që shembte portat e kalave. Por qeveria Rama nuk është kala, por një ngrehinë e kalbur, që nuk do e ketë aq të lehtë këtë mandat, kurse më keq akoma, makutëria, shtirja,  korrupsioni i vendit tonë, i ngjan pak “Verbërisë” së Saramagos, ku pakkush shpëton. “Njerëzit thonë se satira ka vdekur. Nuk ka vdekur; është gjallë dhe jeton në Shtëpinë e Bardhë”, thoshte dikur Robin Williams. Me një ndryshim të vogël, po të heqim Shtëpinë e Bardhë, mund të përshtatet lehtë e të themi se ne jetojmë për ditë me satirën, që na ofron… opozita jonë kinse patriotike, që do përveshë mëngët, por në shtator… për sovranitet dhe referendum. (Javanews).

1 Komente

  1. P
    Patronazhisti

    Si e ka emrin e vërtetë ky " make up-i folkloric I qeverisë" qe fshihet pas Ben Andoni ??!!

    Lini një Përgjigje