Apeli lë në qeli "UFO-n", ekspertin e arratisjeve nga burgu. Akuzohet për vrasje, rrëmbim e përdhunim

24 Nëntor 2022, 18:00Kronika TEMA

Apeli lë në qeli "UFO-n", ekspertin e arratisjeve nga burgu.

Gjykata e Apelit ka lënë në qeli 49-vjeçarin Ilir Paja, i njohur me nofkën "UFO", duke i caktuar masën e sigurisë "arrest me burg".

Çështja u shqyrtua në Gjykatën e Apelit mbi bazën e ankimit të bërë nga Ilir Paja, i cili kërkoi ndryshimin pjesërisht të vendimit, caktimin e masës së sigurimit personal atë të “Detyrimit për tu paraqitur në policinë gjyqësore”, por kjo kërkesë e tij nuk është pranuar.

Ilir Paja ishte shpallur në kërkim nga drejtësia italiane pasi gjykata e Apelit në Milano e ka dënuar me 25 vjet e 4 muaj burgim për vrasje, kryer në bashkëpunim dhe rrëmbim personi, ngjarje që kanë ndodhur rreth vitit 2006.  Me plotësimin e dokumentacionit në Shqipëri, Ilir Paja pritet t’i dorëzohet autoriteteve italiane.

Ai u arrestua në Laprakë më 3 nëntor, pasi mbahej prej muajsh nën përgjim nga policia shqiptare deri në momentin e identifikimit se ai ishte personi që kërkohej.

Por kush është Ilir Paja?

Ai u lirua nga gjyqtarja Enkelejda Hoxha në vitin 2017, me argumentin se vuante nga disa sëmundje, ndonëse kishte edhe një vit burg për të shlyer.

Ilir Paja vuante një dënim për “plagosje të rëndë me dashje” të policit Blendi Haxhimiali, gjatë operacionit për arrestimin e tij, në mars 2008, në Tiranë. Paja u akuzua dhe për disa vepra penale të kryera në territorin italian, mes të cilave edhe “vrasje me dashje të mbetur në tentativë në bashkëpunim”, “rrëmbim dhe mbajtje peng të personit” dhe “marrëdhënie seksuale me dhunë me të mitura”.

Ndonëse ai u arrestua në Itali, pas disa muajsh dënim, në qershorit 2006, ai ka mundur të arratiset nga paraburgimi i Perugia-s, duke përdorur çarçafët si litar, deri në arrestimin e tij të dytë, më 4 shtator 2006. Shqiptari ishte burgosur prej 5 muajsh në pritje të ekstradimit nga Gjermania, ku akuzohej për vrasjen e një shqiptari tjetër në Duisburg.

Ai u ndalua në Itali dhe ndaj tij u shtua edhe akuza për shfrytëzim prostitucioni. Por ai ka mundur të ikë sërish nga burgu, në 14 gusht të 2007-ën, ndërsa policia ishte duke e transportuar me ambulancë, për shkak se i dënuari ishte në gjendje shumë të rëndë psikologjike dhe kishte tentuar disa herë vetëvrasjen.

Kësaj here kishte bërë si i sëmurë psikik dhe kur e kishin transportuar me ambulancë kishte filluar të rënkonte e të tërhiqte vëmendjen e policit kryesor. Kur ky është afruar, Paja i ka dhënë një grusht në fytyrë. Më pas ka hapur derën e autoambulancës dhe është larguar me vrap, ku ka kapërcyer një mur të lartë dhe ka ndjekur linjën e trenit. Edhe pse policët kanë qëlluar në ajër, nuk ka ndaluar. Më pas është futur në një pyll dhe është zhdukur.

Pas arratisjes së dytë në Itali, Ilir Paja është kthyer në Tiranë, ku jetonte i fshehur dhe është arrestuar sërish. “UFO-ja” qëndroi 10 vite në qeli deri ditën që u lirua nga ish-gjyqtarja Enkeleda Hoxha.

Gjiashtu, ai është akuzuar dhe si autori i vrasjes së një shtetasi nga Ekuadori dhe plagosjes së një tjetri, pas një grindjeje që kishte për motiv ngacmimin e një femre ekuadoriane, në kohën që ajo ishte me bashkëshortin e saj. Një tjetër episod i rëndë, sipas akuzës, ishte ai i dhunimit seksual të një 19-vjeçareje rumune.

Lini një Përgjigje