Takimi im i parë dhe i fundit me poetin Trifon Xhagjika 

1 Shtator 2022, 17:10Kulturë Nga Kristo MËRTIRI

  

 

Takimi im i parë dhe i fundit me poetin Trifon Xhagjika 



Ishte fundviti 1960. Midis Grykës së Këlcyrës dhe Grykës së Mezhgoranit erërat e Jugut sikur kishin nënshkruar një pakt mirëkuptimi dhe paqeje. Ndërsa Vjosa shekullore vazhdonte të derdhte këngët dhe vajet e saj të përjetshme, zilka e mushkës xanxare thyente monotoninë e motit dhe mërzitjen e nënës time halleshumë. Ajo zilkë sot e kësaj dite u fal tingëllimën ëndrrave të nënës në pleqërinë e saj të bardhë në qytet. Troku i Kuqes, (kështu e thërriste mushkën), e zgjon nga gjumi shpesh edhe në mes të Tiranës, i trazon kujtimet, gëzimet dhe hidhërimet. Sa thinja i shtova unë vallë atë fundviti?! “Djali duhet operuar sa më shpejt nga grykët (bajamet), është një operacion fare i lehtë, mos u shqetëso…”. Kaq i tha nënës doktor Vasili në Këlcyrë. Por veç zemra e saj e dinte! Përsëri rrugë. Përsëri me Kuqen e mirë për dore, sidomos te Buza e Savës, në Qerre e Nivicë, mbi shkëmbinjtë e sertë tek Ura e Dragotit apo rrëzë kalasë të Ali Pashë Tepelenës(Fshati im mund të jetë nga te vetmit, ku nuk ka shkelur asnjë kamion a veturë, sepse për regjimin e kaluar, me sa duket, nuk e meritonte asnjë rrugë të thjeshtë automobilistike…). Por ai operacion i zakonshëm bëhej vetëm në kryeqytet ! Orë të tëra udhëtimi në një autobus që po jepte shpirt nga Tepelena në Tiranë. Vetëm kur kaloje kthesat e famshme të Salarisë mund të merrje frymë lirshëm. Përpiqesha të lexoja vramendjen e nënës, fytyrën e saj të brengosur: Ku do të shkonim, te cili do të përplaseshim? –Mos u sikletos, moj bijë. Kemi djemtë e Lame Xhagjikës në Tiranë, të na ndihmojnë. Ylli është bërë doktor i dëgjuar,- e qetësoi disi nënën gjyshi Gaqo me zërin e tij burrëror dhe plot besim, teksa llullën e duhanit s’e hiqte nga goja. 
Rrodhën mbi tridhjetë vjet. Por sa herë kaloj në rrugën “Siri Kodra” në Tiranë, rrënqethem dhe hapat ngadalësohen vetiu. Ku ta gjej atë portë të vjetër të asaj shtëpie përdhese, ku trokiti me llullë gjyshi im i mirë? Ku ta gjej Trifonin, atë fytyrë të qeshur tridhjetëvjeçare, që na hapi portën dhe zemrën e tij aq bujare? Ku ta gjej atë dhomën e vogël pa kolltuqe dhe pa salltanete, por me katër muret e saj fund e krye plot me libra? Ku t’i gjej dorëshkrimet e tij rebele përballë diktaturës? Oh! Ku ta gjej varrin e poetit pa varr dhe t’i çoj pranë një tufë trëndeline nga livadhet e malit Golik…?! Nga ai mal, ku jetë e mot bashkëjetojnë bubullima e trëndelina, perëndia dhe dashuria, brengimi dhe frymëzimi. Mbi kupën e gjurit të atij mali, me halle dhe ëndrra sa një mal, shtrihet Peshtani, vendlindja e poetit disident. Vetëm një vrap pele e ndan Peshtanin nga fshati i Sejfulla Malëshovës, nga Sheperi i Andon Zako Cajupit dhe pak më tej Frashëri i Naimit të madh…Vargmale poezie. Burime të pashtershme lirizmi dhe epizmi. 
“Hyri prilli, shkriu bora majave…” 
Trifoni lindi në Peshtan në prill: 20.04.1932. Kur ujëvarat derdhnin në Vjosë pakëz gëzim dhe derte njerëzore. Kur manushaqet lëshonin si të trembura erën e tyre dehëse. Kur në Qafën e Furkës dhe në Lëmin e Thanës shpërthente lulebliri. Kur kënga e zogjve hynte shtëpi më shtëpi dhe ndizte shpresa të reja. Kur … xha Lamja(babai) i rriti fëmijët si ai. Fukara dhe i ndershëm si ai. Trifoni shkoi në Shkollën Normale të Elbasanit. Më vonë studioi për oficer artilerie. Dhe pa u shkëputur nga puna, prapë te dashuria e parë: përfundoi studimet në Fakultetin e Histori-Filologjisë(dega gjuhë-letërsi shqipe)… Po ku ta dija unë se ai takim në atë shtëpi përdhese tiranase do të mbetej i pari dhe i fundit? O Zot! Ku ta dija, se pas një viti  bashkëfshatari im i paharruar do të pushkatohej në një natë sterrë si vet diktatura? Do të pushkatohej…”në emër të pushtetit”…?!  
“Gjurma” jashtë qarkullimit zyrtar, por brenda njeriut shqiptar 
Vjosa gurgullon nota elegjie. Nëpër sepetet e nënave peshtanake, ku midis rrobave të nusërisë mund të rrinte ndonjë kokërr molle a ftua, pas vitit 1963, (viti i zi i pushkatimit), filloi të ruhej me kujdes dhe një libërth me vjersha, “GJURMA”.  Kështu titullohej libri i parë poetik i Trifon Xhagjikës. Regjimi i atëhershëm e nxorri atë “jashtë qarkullimit zyrtar”, shoqëruar me etiketën e turpshme “I ndaluar…”. Unë e lexoja herë pas here fshehurazi nga vëllai që e ruante në vite larg syve të të tjerëve. 29 lirikat e para djaloshare. I këndonte shokut të vet, Bardhyl Misja; u këndonte patriotëve me ëndrrat e këputura në mes; I këndonte e qante për Atdheun “e zhveshur lakuriq”; I këndonte nënës, I këndonte lumit që i përkundi fëmijërinë(por edhe këto qenë “të ndaluara”(?!)… 
Vjosë, Vjosë, lum’ i dashur, 
Gjarpëro në vendin tim, 
E ke zhurmën të llahtarshme, 
Por në shpirt më jep guxim… 
U këndonte të rënëve për liri dhe demokraci të vërtetë, djemve dhe vajzave që i shtojnë nurin Atdheut(kush e braktisi dhunshëm idealin e tyre madhor?!). 
“Por maleve tona ca gjurma/që trimat i lanë për liri/s’i fshin dot as shiu e furtuna/ as dielli ato nuk i shkrin…”. Vetëm 29 vjersha morën viston e botimit nga shërbëtorët e verbër të diktaturës. Krijimtaria solide e Trifon Xhagjikës, pjekuria e saj e plotë do të ngelej jashtë filtrit zyrtar. Një pjesë do të mbushnin dosjet sekrete të Sigurimit të shtetit, të Hetuesisë dhe të Prokurorisë. Censura ishte e egër kudo. Gijotina e saj këpuste pa mëshirë filizat e vërtetë të poezisë. Këtë masakrim e provoi dhe poeti i ri në vitin 1958, kur çoi vëllimin me vjersha në shtëpinë botuese. Zemra e poetit nuk mund të pushonte. Ajo pikonte revoltë. Ndaloni pak te vjersha “Ndërgjegje me katrore të zeza”: …Kurse unë, /me zërin tim,/ do të thërras,/ sa qielli të coptohet: “Nuk mund të shkruaj më,/pena m’u thye më 1958-ën”. 
Po cili njeri e dëgjonte zërin e poetit...? Stoicizmi i tij përballë censurës diktatoriale dhe parimit të “partishmërisë proletare”, përballë shpatës së “realizmit socialist”; përballë skërmitjes së dhëmbëve të sistemit, është stoicizëm i rrallë. Vjosa gurgullon nota elegjie. 
Të vërteta përvëluese 
Arrestohet më 18 gusht 1963. Sapo kishte përcjellë tridhjetë pranvera. Nuk u ligështua. Trim e dinjitoz si ai…shfletoj disa letra të zverdhura nga vitet. Janë dorëshkrime origjinale të Trifonit. I ruajti si gjëra të shtrenjta Anastasi, i vëllai, futur nëpër drrasat e vjetra të dollapit me rroba. E vërteta vonon,por nuk harron. Ato të vërteta përvëluese gëlojnë dukshëm sot e kësaj dite. Ato shpalosin mynxyrat: 
“Dritën ta shuajnë në terr,/e ditën ta ndezin,/bukën ta shtrojnë në sofër,/ dhe duart t’i presin?!”.  
-Tre poetë, në tri diktatura kanë shkuar në plumb në këtë tokë-tempull të moçëm poezie: Luigj Gurakuqi në diktaturën monarkiste, Qemal Stafa në diktaturën fashiste, Trifon Xhagjika në diktaturën komuniste,-thekson poeti i mirënjohur Xhevahir Spahiu. –Ka të ngjarë, që poeti Xhagjika të jetë poeti i vetëm i pushkatuar pas Luftës së Dytë Botërore në të gjithë vendet e Lindjes. Në ç’planet duhet të shkojnë poetët që të mos vriten me plumb…? 
E vërteta nuk vdes. As nga plumbi, as nga litari. Ajo mbetet monument nderi dhe i bën apel kujtdo që ëndërron dhe lufton sadopak për liri dhe demokraci. Poezia e vërtetë nuk mund të pushkatohet. Ajo gjallon në gojën, mendjen dhe zemrën e popullit, pa çka se ndonjë pushtetar e partiak e identifikon atë me djallin. “Të duash e të thuash gjithmonë të vërtetën”. Këtë nuk e harronte kurrë Trifoni. Ia thoshte shpesh ish mësuesi i dashur, i paharruari Skënder Luarasi, Por… “Pa besuar thërrasim urra,/ mos kemi lindur të bindemi!,/ Ja ligji i sotëm: /-Beso pa menduar,/ Por mua më duhet të mendoj,/Mendimi i lirë të mbretërojë,/(“Revoltë kundër perëndive?!”: Nuk jam i pari,/ Historia njeh kundërshtarë me taborrë)./Unë iu drejtohem perëndive tokësore: O Perëndi!/Tërbimi juaj askujt nuk i duhet,/ me ju askush s’e ndjen veten mirë,/dhe unë bashkë me ta,/ Lamtumirë! 
Është shkruar kjo në vitin 1958. Por censorët nuk mund të lejonin të futej në librin e parë “Gjurma”. Mallkimi dhe vendimi i perëndive ishte i pranishëm kudo. Rrufetë mund të binin edhe në mes të ditës me diell. Por vargjet iknin si zogjtë në qiellin e paanë. E vërteta nuk mund të pushkatohej. Ajo zhytej, por nuk mbytej. Prushëronte. Ajo xixëllonte shpirtrat e trazuar.Ajo kuqonte si Liria. Fjala e saj një ditë do të pushtonte me siguri horizontet shqiptare. “Shëtshët,/heshtja jonë,/është si heshtja e predhës,/në grykë të topit…”. Shpirtin rebel të poetit e dallgëzonte ashpër çdo lloj padrejtësie, dhuna e mashtrimi. Ai ishte një luftëtar i paepur i fjalës së lirë e pa llustër, i mendimit të lirë e pa pranga: “Këtu jam,/por ç’mund të të tregoj?/Mundohem më kot,/atë çka dua, fjala e humbet,/ e çfarë mendoj, fjala nuk e thotë./ Zemra druhet,/heshtja e njerëzve përgjon./A është e drejtë?/Përgjigja më mundon’’. Vetëm kaq është poezia e lënë në dorëshkrim, e titulluar “Kjo më mundon”. Vargje të shkurtër që flasin gjatë. Janë të vërteta përvëluese. Disidencë e hapur politike. Poeti ecën i vendosur në “rrugën e bubullimave”, në rrugën e nderit. Ai nuk bën kompromis me ligësinë e as me hosanatë e “epokës së madhe”, as me hapin fodull “që shkel mbi ndjenjat e pastra”, as me shushunjat “që dhe në kuvend,/s’e duan fjalën Liri”. 
…Nëpër vargjet e tij kryengritës më bëhet se dëgjoj krojet dhe Vjosën dallgëshumë në këmbë të Golikut, shungullimat e Grykës së Këlcyrës ballë për ballë me atë të Mezhgoranit, dëgjoj zërin hijerëndë të Zastenit. Por ai di të dialogojë natyrshëm edhe me kanarinën: “…Vetëm ti nuk e njeh gënjeshtrën e ditës,/sonte po vjen Viti i Ri,/Edhe një vit më ra turinjve,/për të vetmin faj,/se e kuptova që jam njeri…”. 
Dialog apo protestë e hapur njerëzore?! “Po ku është Liria”: Është një varg që e ndesh jo rrallë në krijimtarinë e poetit. Është pyetje refren i përhershëm, që merr përgjigje të plotë vetëm në demokraci. Vetëm kjo u tha “Po” dhe u hapi dyert e botimit vargjeve të lira. Vetëm kjo i tha “Tungjatjeta” disidencës dinjitoze politike në Shqipëri. Vetëm kjo nuk e lë gënjeshtrën dhe kurthin “të shëtisin të lirë nëpër rrugë”. Së shpejti lexuesit do të marrin në dorë librin e ri “Buzëqeshja nuk vritet”. Dhjetra poezi që e shohin dritën e botimit pas tridhjetë vjetësh! Të gjitha të pabotuara më parë. “O njerëz të thjeshtë,/ju dua,/Mund t’iu shërbej,/si ushtar, si shërbëtor besnik,/Veç me mua ejani,/t’iu rrëfej të vërtetën,/që ndrit./Ta dinë udhëheqësit lart,/dhe e larta Republikë,/se ne nuk jemi,/as të verbër,/as shurdh në politikë…/Tek ty jam,/I lirë pa liri,/I gjallë i pajetuar,/I vdekur, i pavarrosur. Është “Kënga e verbër”(Trakt). Një akuzë tjetër e hapur, një shpërthim i sinqertë dhe rebel. Të vërteta përvëluese apo prologu i një demokracie të vërtetë…? Por Trifon Xhagjika dinte t’i këndonte bukur edhe dashurisë, të cilën e mbante në dorë dhe në zemër. “Dashuria,-shkruan ai diku,-ka qenë për mua gëzim që bulon nga lulja në akull, freski e borës që lodron në rrëze dielli, stuhi e egër që skërmitet në oqeane. Ajo ka qënë për mua shkak që e kam takuar udhës, ndofta ka qënë dhe pabesi”. 
“Kundër këtij sistemi do të qëlloja me artileri”  
18 gusht 1963. Poeti në pranga. Poeti në qeli. 
-Ishim shtatë shokë në burg. Kemi mbetur vetëm tre,- tregon Robert Vullkani, shok i poetit, i dënuar me 24 vjet burgim. –Ishim grupi i traktit të parë kundër regjimit, përmes të cilit bënim thirrje për të ndërgjegjësuar njerëzit, se diktatori po e çonte vendin drejt greminës. Të tetëmbëdhjetë traktet i ngjiti Trifoni. Nga ato, vetëm tre ranë në duart e Sigurimit. Të tjerat i thithi shpirti i popullit të etur për liri e demokraci… 
-Ishte poet, por ishte edhe luftëtar,-thotë poeti ynë i shquar Fatos Arapi. 
-Një njeri i vëmendshëm në komunikim, i sjellshëm dhe me mjaft kulturë… “Vëllezër!/Po e kërkuat Atdheun,/e kam unë./Ndihmomëni të qesh,/Ndihmomëni të gëzoj!/Atdheu është lakuriq… 
Këto vargje Trifoni i deklamoi përpara trupit gjykues. Tirana drithëronte. Tirana rrënqethej. Tirana dëgjonte poetin tridhjetëenjë vjeçar, qe nuk i luante qerpiku. Diktatura dhe shërbëtorët e saj shtrëngonin nofullat, lëshonin britma ogurzeza “në emër të popullit”(?!). Po luhej akti i një tragjedie… 
-Mora me vete në gjyq vjershat e tij dhe i shpjegova trupit gjykues se po mbroja një njeri me ndjenja fisnike, një poet, e se këtë duhej ta merrnin domosdo në konsideratë,- tregon e emocionuar avokatja Vera Bodo. Por sytë e tyre ishin të akulltë dhe shihej se nuk do të toleronin. Sadizmi komunist ishte i pashëmbullt. Por…e pashoqe qe qëndresa dhe krenaria e Trifonit. 
Rrodhën mbi dyzet vjet. Mblidhen vëllezërit, motrat, nipër e mbesa, shokë e miq të poetit. Flakët e qiririt hedhin dritë mbi një fotografi të thjeshtë. Flakët e poezisë disidente sfidojnë regjimin e djeshëm. Yllit, vëllait të poetit i dridhet buza dhe dora tek shfleton dorëshkrimet… 
-Ishte viti 1954. Trifoni ishte 21 vjeç, aspirant, nëntoger, s’e mbaj mënd mirë, tregon Pjetër Arbnori. Lexonim poezitë e njëri tjetrit, pasi dhe unë shkruaja. Ishte i dashur me ushtarët. Në biseda së toku ironizonim sistemin…Më pas mua më transferuan repart më repart, por në çastin e largimit Trifoni më thotë: Dëgjo, ruaju. Kohë më pas mora vesh për fatin e këtij poeti dhe luftëtari… 
Ndjekim veprimtarinë e organizuar për poetin dhe sikur dëgjojmë zërin e tij: “Jam këtu, mes jush, o shokë, o vëllezër!”. Falë demokracisë. Falë fjalës së lirë, që i tha “tutje” diktaturës. 
Kundër këtij sistemi do të qëlloja me artileri…! Kjo ishte fjala e fundit e Trifonit para trupit gjykues kur iu dha dënimi me vdekje, me pushkatim. Tirana dridhej. Tirana lëshonte një rënkim të nëndheshëm. Por Tirana ruan ende në kujtesën e vet edhe gjëmimet e atij topi që qëlloi mbi Asamblenë kuislinge në prag të fitores së Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare. C’koincidencë e rrallë! Dëshmori i parë që ra ne Kodrat e Saukut ishte po nga Peshtani i Tepelenës. Llukan Ceka quhej. Gjaku i tij është atje, në supet e Tiranës. Ishte nga vendlindja e poetit. Kishin pirë ujë në një krua. Ishin rritur të dy me thërrime. Ishin rrahur nga era e Golikut luleshumë… “Kundër këtij sistemi do qëlloja me artileri”…  
-Ishte një thirrje që vetëm një poet i madh mund ta thotë. Kam jetuar në një lagje, në një rrugë me Trifonin, tregon poeti Perikli Jorgoni. I jepja të lexonte poezi të poetëve të mëdhenj. I ndjente ato deri në përlotje… 

 

Takimi im i parë dhe i fundit me poetin Trifon Xhagjika 
Doktorin e njohur, Ylli Xhagjika, vëllain e poetit nuk e lanë në sallën e gjyqit kur do të shpallej dënimi kapital, me pushkatim. Priste përballë dyerve të gjykatës. 
-Mbaje kokën lart, vëlla!, i thirri Ylli kur poeti po dilte me pranga në duar, mes policëve. 
Vetëm kaq foli vëllai. Kaq u desh që dhe Ylli të provonte qelitë e tmerrshme të Burrelit. Fjala mbetej në pranga. Tragjedia vazhdonte. “Disident politik dhe letrar, kundërshtar i hapur i diktaturës komuniste, dënuar me vdekje dhe pushkatuar prej saj”, është motivacioni i Medaljes “Martir i Demokracisë”, që i dha Presidenti i Republikës, Sali Berisha”. 
-Faleminderit Demokracisë, që e solli vëllanë mes nesh,-tha me lotë në sy Anastasi, vëllai i poetit Trifon Xhagjika. 
“Hyri prilli, shkriu bora, majave…”. Është një nga këngët e shumënjohura të jugut. Poeti lindi në prill. Disa kanë shkruar në përvjetorin e vrasjes. Unë po shkruaj në përvjetorin e lindjes së tij. Dëgjoj trokun e vargjeve të paharruara: 
“Miq!/I dëgjoni trokëllimat e kalit të harbuar?/ Jam unë!”. 
Dhe lexoj fjalët-protestë të mikut tim poet: “Mesnatë e një prilli të ri. Në duar mbaj këngët e shënjta të poetit. Më bëhet sikur i njoh, sikur do t’i ndesh nesër në agim këta sy që më shikojnë nga një largësi kohore tridhjetëvjeçare. Ata janë yjet që i mungojnë kësaj nate pa gjumë, kur nga qiejt e lartë derdhet një shi i rëndë si elegji. Mos është rënkimi i mbytur i Vjosës për birin e saj? Më vjen të thyej xhamat e dritareve, të dal në rrugë dhe të ulërij gjer në kupë të qiellit: “NUK VRITEN POETËT, O TË MARRË…!”. 
(P.S. Shkruar  jashtë Shqipërisë, 30 vjet më parë) 
  
  
  
 
 

1 Komente

  1. S
    Saimir Kurini

    Ne shokeve te Kristo Mertirit na plotesohet deshira kur lexojme shkrimet nga pena e tij,sidomos tani kur na kishte humbur nga faqt e shtypit. Lexova shkrimin per fatin tragjik te poetit Trifon Xhagjika dhe ndihem i emocionuar, shkruar me kulture dhe ndjenje te vecante ashtu sic ishte dhe shkrimi i meparshem ne kte gazet. Faleminderit i miri Kristo dhe te perqafojm nga larg. Saimiri

    Lini një Përgjigje