Parregullsitë e primareve: Procese pa garë në PD dhe tërheqje kandidatësh

4 Dhjetor 2022, 17:20Politika TEMA

 

Parregullsitë e primareve: Procese pa garë në PD dhe

“Nuk është më vota e kryetarit, por e anëtarit”, që duhet të ishte dhe kuptimi i primareve në Partinë Demokratike, rezulton të mos jetë kështu për të gjithë kandidatët që garojnë për zgjedhjet lokale, të cilët deklarojnë se fituesit janë paracaktuar.

Parregullsitë e procesit u denoncuan nga disa kandidatë të cilët në shenjë proteste u tërhoqën duke i cilësuar këto zgjedhje si të padrejta dhe të pabarabarta.

Në 9 bashki gara mungoi për shkak se në fletën e votimit ka një kandidat, jo vetëm se nuk kishte rival përballë por edhe për shkak të tërheqjeve në minutën e fundit. Përveç largimeve nga gara sot pas nisjes së procesit të votimit në  4 bashki ishin vendosur që në fillim vetëm një kandidat, në Shkodër Bardh Spahia, në Elbasan Luciano Boci, në Kukës Admir Sinamati dhe në  Polican Behar Xhaferaj.

Problemi me listat e anëtarëve dhe simpatizantëve të cilët votojnë për herë të parë bllokuan për disa orë procesin në Lezhë, ndërkohë në Tropojë kandidatja Feride Rrahmanaj pretendoi se 600 anëtarë janë zhdukur nga lista dhe për këtë arsye hoqi dorë sot nga gara. Ngërçi me listat u pranua edhe nga Sali Berisha.

“Nuk mund të them se çdo gjë është e përsosur, por këto probleme nuk errësojnë primaret”, tha Berisha.

Rasti më flagrant u shënua në degën e PD-së në Kuçovë ku kryetari Myslim Haxhiu dhe kandidatja Brikena Koroveshi dhanë dorëheqjen, pas akuzave se po i falet bashkia kandidatit të Ilir Metës, Lefter Maliqit. Krahas Kuçovës, Partia e Lirisë synon Memaliajn, Skraparin, Përrenjasin dhe Kamzën.

Orientimi i votës u denoncua edhe në Berat nga kandidati Sazan Guri. Në Malësinë e Madhe primaret e Berishës u refuzuan dhe nuk u ngrit asnjë qendër votimi, ndërkohë në bashkitë minoritare Himarë, Finiq, Dropull zgjedhjet mungojnë sot pasi PBDNJ e Vangjel Dules kërkon mbajë 3 bashkitë. Si dhe minoriteti maqedonas synon Pustecin.

1 Komente

  1. T
    Tit Vasili

    Sali Korraku

    Lini një Përgjigje