Ka përfunduar procesi i votimit për zgjedhjen e kandidatëve të Partisë Demokratike të Sali Berishës për zgjedhjet lokale të 2023.
Procesi i votimit ka mbaruar rreth orës 18:00 pothuajse në të gjithë vendin, ndërkohë në disa qytete është përfunduar edhe procesi i numërimit.
Për herë të parë kanë votuar jo vetëm anëtarët e PD-së, por edhe simpatizantët, të cilët mbështesin kandidatët, që do të garojnë për të përfaqësuar demokratët në zgjedhjet lokale të 14 majit 2023.
Kandidati shpallet fitues vetëm nëse merr të paktën 50% + 1 të votave nga totali i votave të vlefshme në një zonë të caktuar.
Në rast se asnjë nga kandidatët nuk merr të paktën 50% + 1 të votave nga totali i votave të vlefshme, atëherë kalojnë në balotazh dy kandidatët me numrin më të lartë të votave. Në rast ndarje votash në mënyrë të barabartë, kandidati apo kandidatët që kalojnë në balotazh hidhen me short.
Mësohet se në Albert Malaj është shpallur fitues në bashkinë e Memaliajt, pasi ka marrë 300 vota, kundrejt Bukurosh Ajdinit me 20 vota dhe 4 vota te pavlefshme.
Në Selenicë kanë votuar në total rreth 350 anëtarë dhe simpatizantë të kësaj partie. Mësohet se Leonard Rakipaj është shpallur fitues teksa ka marrë 270 vota, ndërsa Jani Dapaj ka marrë 70, vetëm 10 vota për Dhurata Mecorapajn.
Në Gjirokastër, pas numërimit të votave, rezulton fitues Dorjan Lani, 291 vota, pas tij Enkelejda Mushi me 48 vota dhe Telnis Skuqi me 34 vota. Në primaret e Bashkisë Gjirokastër kanë marrë pjesë 373 persona.
Në Tepelenë, Baftjar Imeri ka marrë 109 vota, Hysni Kasëmi 71 vota dhe 3 vota të pavlefshme. Në Bashkinë Këlcyrë, pas numërimit të votave, rezulton fitues Arjan Kasaj me 171 vota, përballë tij ishte Edmond Nano me 39 vota dhe 1 votë e pavlefshme.
Në Kolonjë, Et’hem Lumani nuk kishte rival në garë dhe është shpallur fitues me 100 përqind të votave nga 495 votues. Po ashtu, në të njëjtën mënyrë, pa rival, është shpallur fitues me 282 vota Adil Xhelili në bashkinë e Libohovës.
Kandidati fitues nga primaret në Shijak është shpallur Rezear Tusha me 333 vota, ndërsa Astrit Hoxha në vend të dytë me 90 vota. Në primaret e Shijakut garuan edhe Agim Rameta dhe Fatbardh Gjata.
Në një njoftim të fundit, PD bën të ditur se në disa qendra votimi ka fluks dhe për këtë arsye procesi po vijon ende.
Në Kuçovë është shpallur fitues me 339 pro, 6 kundër dhe 7 të pavlefshme Lefter Maliqi.
Mësohet se kandidati i PD-së në zgjedhjet e 14 majit në Pogradec do të jetë Zini Tollozhina, i cili ka arritur të fitojë me vetëm 2 vota diferencë ndaj Oligert Muçllarit. Bëhet e ditur Tollozhina ka marrë 291 vota ndaj 289 vota të Oligert Muçllarit çka tregon se gara ka qenë e hapur deri në votat e fundit. Zini Tollozhina ka qenë ish-kryetar dege i PD-së Pogradec në vitet 94-97.
Lini një Përgjigje