Shqipëria ka rikonfirmuar angazhimin e saj në mbështetje të Ukrainës gjatë Takimit të 35-të të Grupit të Kontaktit për Mbrojtjen e Ukrainës, zhvilluar në kuadër të ministerialit të NATO-s në Bruksel.
Lajmi u bë i ditur nga ministri i Mbrojtjes, Ermal Nufi, i cili theksoi se Shqipëria mbetet e vendosur në mbështetjen e saj ndaj Ukrainës, në përputhje me vlerat dhe objektivat e Aleancës së Atlantikut të Veriut.
Sipas Nufit, që prej fillimit të agresionit rus, Shqipëria ka qëndruar në krah të popullit ukrainas, duke mbështetur përpjekjet për mbrojtjen e lirisë, sovranitetit dhe integritetit territorial të vendit.
“Shqipëria rikonfirmon angazhimin e saj të palëkundur në mbështetje të Ukrainës. Që nga fillimi i agresionit rus, ne kemi qëndruar krah për krah popullit ukrainas për të mbrojtur lirinë, sovranitetin dhe integritetin territorial të vendit të tij”, u shpreh Nufi.
Takimi në Bruksel mblodhi përfaqësues të vendeve aleate dhe partnere për të diskutuar mbështetjen e mëtejshme ushtarake dhe politike për Ukrainën, në kushtet e vijimit të luftës me Rusinë.
Shqipëria ka qenë ndër vendet që ka mbështetur vazhdimisht Ukrainën në forumet ndërkombëtare dhe në kuadër të angazhimeve të saj në NATO.
Nufi, ka marrë pjesë në takimin e ministrave të Mbrojtjes të vendeve anëtare të NATO, i zhvilluar në Bruksel, ku janë diskutuar prioritetet kryesore të Aleancës për forcimin e sigurisë kolektive në hapësirën euro-atlantike.
Në fokus të diskutimeve kanë qenë rritja e gatishmërisë operacionale, forcimi i kapaciteteve mbrojtëse dhe përshtatja ndaj sfidave të reja të sigurisë ndërkombëtare.
Në një deklaratë publike, ministri Nufi theksoi rëndësinë e bashkëpunimit ndërmjet aleatëve dhe modernizimit të forcave të armatosura si garanci për paqen dhe stabilitetin.
“Bashkëpunimi ndërmjet aleatëve, investimet në mbrojtje dhe modernizimi i kapaciteteve ushtarake janë garancia më e fortë për paqen, sigurinë dhe mbrojtjen e vlerave tona të përbashkëta”, u shpreh ai.
Ai ritheksoi gjithashtu angazhimin e Shqipërisë brenda NATO-s, duke e cilësuar vendin si një aleat të besueshëm dhe një faktor stabiliteti në rajon dhe më gjerë.
“Shqipëria do të vijojë të japë kontributin e saj të pandërprerë me përgjegjësi dhe vendosmëri në kuadër të NATO-s si një aleate e përkushtuar dhe e besueshme”, deklaroi Nufi.
Takimi në Bruksel vjen në një moment kur Aleanca po intensifikon diskutimet për rritjen e shpenzimeve të mbrojtjes dhe forcimin e kapaciteteve ushtarake përballë sfidave të sigurisë globale.
I kemi paguar 28 000 t grurē qē mē 11 mars 2026, dhe akoma s'kemi marrē komandēn nga Kievi.