Skuka fluturon drejt Francës, nesër testet mjekësore dhe prezantimi

22 Janar 2023, 14:11Sport TEMA

Skuka fluturon drejt Francës, nesër testet mjekësore dhe

Xhuljano Skuka bën hapin e madh në karrierë. Sulmuesi i Partizanit do të jetë pjesë e Metz në kampionatin francez. SuperSport mëson se 24-vjeçari ka udhëtuar drejt Francës dhe të hënën do të kryejë vizitat mjekësore e më pas do të firmosë kontratën e re. Hap i madh për futbollistin e Partizanit që do të jetë pjesë e një skuadre që luan në ligën e dytë franceze.

Aktualisht Metz ndodhet në vendin e tretë të renditjes, me 31 pikë, dy më pak se vendi i dytë që ngjitet në Ligue 1. Këtë sezon Skuka ka shënuar 10 gola në 16 ndeshje, duke qenë shënuesi i dytë më i mirë pas Redon Xhixhës.

Sulmuesin e favorizon ndjeshëm fakti që posedon pasaportë franceze, pasi në të shkuarën ka jetuar në Francë dhe është i ambientuar. Pasi të zyrtarizohet gjithçka lojtari do të bashkohet me ekipin për të nisur përgatitjet që të ndihmojë ekipin në pjesën e mbetur të sezonit, që të arrijë një nga dy vendet e para, në mënyrë që sezonin e ardhshëm të jetë pjesë e elitës së futbollit francez.

Të hënën Supersport do të zbulojë dhe detajet e kontratës, që aktualisht mbahen të fshehura nga klubi francez, i cili do të paguajë një shumë të majme te Partizani për kartonin e lojtarit.

Lini një Përgjigje