Manjati australian, Rupert Murdok, duket se ka shprehur interesimin për të blerë klubin e Juventusit. Të paktën kështu bëjnë me dije disa media italiane, edhe pse për momentin ende nuk ka asgjë zyrtare rreth këtij interesimi dhe nuk dihet nëse këto zëra janë të vërtetë. Megjithatë, vështirë se familja Anjeli do ta lejonte këtë gjë, duke qenë se Juventusin e ka pasur në pronësi brez pas brezi dhe tashmë është një pasuri familjare. Për më tepër, Anjelët nuk duket se kanë probleme financiare, çka mund të çonte në një shitje të mundshme të Juventusit. Megjithatë, tifozët bardhezinj kanë filluar të ëndërrojnë, pasi nëse Murdok kërkon vërtet ta blejë Juventusin, ai do të investonte shifra të mëdha, për ta rikthyer Juventusin sërish në majat e futbollit italian dhe atij botëror. Gjë që familja Anjeli ka vendosur që ta bëjë gradualisht dhe jo menjëherë, ashtu siç kërkojnë tifozët. Kjo, për shkak të ruajtjes së ekuilibrave ekonomike të ekipit.