E ardhmja e Juventusit mund të përkasë talentit argjentinas, Havier Pastore. Prej kohësh klubi bardhezi ka hedhur sytë tek mesfushori i Palermos dhe ai e falënderon për këtë. “Është një nder që flitet për mua, por nuk ka ardhur ende momenti”, shprehet Pastore. Më pas ai i përgjigjet pyetjes për një transferim të mundshëm tek Juventusi. “Përse jo? Për më tepër që familja ime është me origjinë nga Volvera, që ndodhet pranë Torinos”, pohon talenti argjentinas. Pastore lë të kuptohet se Juventusi është destinacioni i preferuar për të, për shkak se, “tek ekipe si Barcelona dhe Reali nuk do të gjeja shumë hapësira, ashtu si dhe tek Interi dhe Milani, që tashmë janë të kompletuara si ekipe. Prandaj preferoj një skuadër që të ketë hapësira për mua”. Mesazhi i mesfushorit është i qartë për drejtuesit e Juventusit. Tashmë këta të fundit duhet të nisin nga puna për ta sjellë në Torino. Edhe pse nuk do të jetë e lehtë, pasi presidenti i Palermos, Zamparini, kërkon një shumë prej 50 milionë eurosh për Pastoren, që Juventusi nuk mund ta paguajë. Megjithatë, në tratativë mund të përfshihen dhe Amauri dhe Xhiovinko, të cilët do të bënin të mundur uljen e shumë që bardhezinjtë do të paguanin.