Fania përgatit festën për mandatin e Lul Bashës

4 Qershor 2011, 20:41Antena TEMA

Fania dje e mori seriozisht fitoren e Lul Bashës. U ngrit në mëngjes dhe vendosi t’i bënte një surprizë. Të organizonte një pritje të madhe për fitoren e Lul Bashës për ta falenderuar në emër të medies për mandatin e tij. Me këtë rast shfaqej dhe ai me Tanin e Kreditit si dy njerëz kryesorë, të cilët edhe pse nuk patën mundësi ta ndihmonin gjatë fushatës, i kanë qëndruar pranë pas zgjedhjeve.

Lokali i parë që i shkoi në mendje ishte Rogneri. Lulishtja e bukur e hotelit, ishte një vend perfekt për  pritjen. Në orën 10 paradite ishte në Rogner. U soll rrotull në kafe dhe pa që në fund të sallës ishte vetëm Gim Neshoja.

-Ku je zoti president, i tha. Eja, eja të ulemi të pimë një puro se morëm mandatin. E çuam në plehra atë legenin. Ia kisha bërë benë, dhe i kisha thënë mos të kruhej me mua. Tani s’ka ku shkon.

Fania u afrua hijerëndë pa i dhënë shumë rëndësi fjalëve të Neshos.

-E hoqa unë Nesho, i tha, se të ishte për ty dhe puron tënde e shtynte dhe 3 mandate të tjera ai. E hoqa unë se s’mund ta lija më. I kisha thënë boll  punuam me ty, duam një fytyrë të re.

-Po natyrisht zoti President, ju kishit kontribut kryesor, por unë i preva krahët nga jashtë. Nuk e ke idenë sa kam punuar për t’i bindur të huajt të mos i bënin presion Kolegji.

-Po ç’paske bërë o, i tha Fania, ata e grinë Kolegjin duke i thënë mos voto. Thuaj mirë që ua leva unë rrotën me Tanin e Kreditit, se po të qe për të huajt e kishim ngrënë sa krahu ne.

-Po patjetër zoti President, roli juaj është kryesor…, po ulu, ulu, do marrësh një puro a jo?

-Jo se dua të takoj këtë drejtorin se dua të bëj një pritje të medies për Lulin tani që fitoi.

-Po shumë mirë, po deshe flas dhe unë me Rognerin në Austri, se kam një mikun tim në Maqedoni, që ka ca miq në Vjenë dhe një prej tyre e njeh se ka qenë një herë tek Hoteli Rogner aty në Alpe tek llixhat më duket, se është pak plak dhe ka reumatizëm.

-Po ç’më duhet ai mua mo Nesho, ky i vogli më duhet. Ja se po vjen, e njoftoi kamerieri, tha.

Menaxheri u afrua dhe tundte kokën majtas djathtas duke parë nga Fania.

I foli anglisht.

-Ja se përkthej unë zoti President, i tha Neshoja.

-I thoni zotërisë se ka dhjetë fatura pritjesh pa paguar, i tha menaxheri, dhe nuk e pranojmë. Ndërkohë duhet të paguajë urgjent faturat.

Neshoja u përtyp pak, kruajti zërin dhe filloi t’i përkthej.

-Thotë që jemi të nderuar të bëni pritjen e 11 tek ne, i tha, por zotëria thotë se është e nevojshme të paguhen dhe dhjetë të parat.

Fania tundi kokën lart-poshtë.

-Yes, yes, i tha.

Gjermani që e mori për jo tundjen e kokës lart- poshtë u nxeh shumë dhe nuk priti përkthimin e Neshos.

Thirri rojet private dhe e nxorën Fanen jashtë pa u sqaruar.

Fania filloi të flasë me zë të lartë, banka, kredi po deshe, sa kredi do, sa bëjnë më thuaj, kam Tanin e Kreditit, jep kredi pa hipotekë, shet naftë sa të duash, ka pare plot, ka mbesën e atij Burrit pronare, kredi, a do kredi?

Roja e nxori jashtë.

Shoferi i Fanes u shqetësua nga skena dhe e pyeti a ka ndonjë problem.

-Jo, jo, tha, më shoqëroi me roje nga respekti ky legeni i Rognerit, se do që ta bëj pritjen këtu, po nuk dua, do ta bëj tek Sheratoni. Më ço tek Sheratoni.

Aty skena u përsërit. Vajza e marketingut sa dëgjoi emrin, printoi një listë të gjatë borxhesh dhe ja vuri përpara. Fania i shikonte dhe tundte kokën.

-S’ka problem, tha, i paguajmë të gjitha, duam të bëjmë një pritje të madhe për Lul Bashën dhe me atë rast i paguajmë të gjitha, na i fusni në një faturë.

-Më vjen keq, i tha vajza, duhet të likuidoj një herë këto, pastaj të vazhdojmë. Je në listën e zezë të hotelit.

Fania u mërzit dhe e mbajti vrapin tek Tajvani. Lokali ju duk më i lirë dhe më i mirë. Aq më tepër aty nuk kishte broxhe. Ju prezantua menaxheres së lokalit.

-Me njeh mua apo jo, i tha Fania. Jam pronar i News-it, Gazetës, asaj faqes internetit…

-Ashtu, gëzohem, i tha vajza me mirësjellje. News-i nuk ka bërë ndonjë herë festë këtu. Ne njohim vetëm atë gazetarin që ka një emër të gjatë me Baba… brenda

-Ah, po, Babon i themi ne, tha Fania.

-Po, i tha vajza. Atë njohim. Ai vjen në kazino gjithmonë, por e kemi parë nga kamerat që nuk luan, vetëm përdor faktin që aty mund të pish pa lek. Është shumë tip interesant.

-Ashtu ë, tha Fania. Nejse, do ta heqim dhe atë se nuk bën. Na bëj një çmim të mirë se duam të respektojmë këtë Lul Bashën t’i bëjmë një pritje për mediet, i tha Fania.

-Ne ta bëjmë, i tha vajza, po pyet një herë Lul Bashën se mos bën pritjen dhe nuk të vjen këtu.

-Ashtu, tha Fania dhe filloi ta mendonte. S’e ka keq, tha me vete. Dhe në një vend që s’kam borxhe unë, ka borxhe Luli dhe nuk bëhet.

 

 

7 komente në “Fania përgatit festën për mandatin e Lul Bashës”

  1. 21Janari says:

    Mero:
    Po e pe gjë Fanen, thuaji që mund të vijë edhe tek lokali im. Quhet “10+” tek Komuna e Parisit.

    1. AK says:

      10+ vjen ai po ka nje problem te vogel. I del ne enderr pastaj:P

  2. bazarhesap says:

    Po nje here ju ankuan per Gim Neshon dhe ja juve perdite ne cdo histori e veni skeni ndonje te ri.ps Pr……. T…..

  3. +10 says:

    Ose tek jokali ne Shishtufine…

  4. dritani says:

    Fanja ka 100 tepsi me lakro me dy pete e 100 keca pa paguar akoma ne tavernat e Boboshtices ne Korce. Aventurier. Mbi 3 milion dollare borxh ka tek shtypshkornjat. Pa cipe ne faqe, legen, si ata pijanecet e lagjeve,

  5. Jacob says:

    Ky humor Na Ka ngel o Antena. Faleminderit.
    Ps. Per Moniken e kredins, drejtoreshen e bankes e keni fjalen?

  6. arberia says:

    Ky Fania te shkoje te ruaje edhe nje here ata ish bllokmenat se ate puneebente shume mira.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje