Fania propozon kreun e OSBE për degustator birre

15 Qershor 2011, 09:50Antena TEMA
Fania propozon kreun e OSBE për degustator birre

Fania e nis mëngjesin para Bankës së Tanit Kreditit. Kalon si rastësisht aty, për të mos rënë në sy të punonjësve të Bankës. Tani, që ja ka marr dorën huqit të ri të Fanes, ikën që në orën 7 tek TV, lë porositë e Doktorit dhe kthehet ha petulla me mjaltë tek një kafe në krah të Bankës. Aq makth i është bërë shfaqja e Fanies në kafen e mëngjesit, sa lë roje jashtë kafes që t’i thotë Fanes që nuk ka ardhur akoma.

Dje Fania nuk ju nda derisa u kthye nga kafja në zyrë.

-Si të kam vëlla, i tha. Më bëre merak, thashë ku humbe. S’kam pasë asnjë ortak më të mirë se ty gjithë jetën. Sa herë e kam ëndërruar që ortaku të jetë bankier dhe ma bëri Zoti mbarë një ditë.

Tani i Kreditit uli kokën, mërmëriti diçka dhe i tha se do largohej se kish një takim.

-Po prit mo burrë, ça takimi ke, tha. Dua të të jap një lajm. Vizita e këtij të madhit të OSBE në fabrikë të birrës më ka dhënë shumë krah. Sot është rritur shitja në të gjitha pikat. Ishte mjeshtër ai vëlla. E mori shishen, e piu me një gllënjkë deri në fund. Po dhe unë ja bëra respektin. Ja çova dhe kryetarit të Gjykatës për një kafe dhe takim kokë më kokë. Thashë ta dijë njëherë ky kryetari me kë ka të bëjë që kur të vijnë ata të Bankës ta kenë pak frikë.

-Mirë, mirë, tha Tani i Kreditit që po humbiste qetësinë, se dua të iki, flasim pastaj.

-Po prit mo burrë më të bukurën se nuk ta thashë. Kur e pashë që ambasadori e piu birrën me fund, e pyeta ku e njihte kaq mirë birrën. E di ç’më tha apo jo? Kam pasur ëndërr të bëhem degustator birre që i vogël, por në ato vendet tona, nuk ecën dot në karrierë kaq lehtë. Ja ti ma bëre ëndrrën realitet. Mos ça kokë, i thashë. Kur të mbarosh mandatin mos ik, rri këtu të jap unë një rrogë të mirë dhe të quaj degustator. Do bësh qejf këtu, ke për të parë. Kështu ndihmohet Shqipëria, i thashë, të ndihmoni biznesin, jo merreni me medien e lirë dhe politikanë. Se po të jetë për media unë kam gjithë ato media zotëri, i thashë, po të kam ftuar tek birra se pa birrë nuk ka media.

-Gut, gut, më tha, e kuptoj.

-Jo se janë ca filozofë që flasin për liri shtypi a ku di unë o flori, i thashë, po s’ka liri shtypi pa xhixha, duhen xhixha.

-Gut, gut, më tha dhe mori një birrë tjetër.

-Po deshe eja dhe tek media ime, i thashë, t’i shikosh çfarë rregulli që kam vënë, por nuk kanë rëndësi për demokracinë ato. Rëndësi ka biznesi, biznesi, kredia, kredia…

-Gut, gut, më tha. Ishte i madh shumë. As i rruhej fare për kot zgjedhjet dhe lirinë e shtypit. Me ke në krah, tha, çfarë ndihme do që biznesi jot të zhvillohet. A tu bëftë vëllai ty ore, i thashë, ti je për kryetar FMN jo OSBE. Të të gjej vëllai dhe ndonjë hotele shërbim brenda jo si ai manjaku francez që e kapën me pastruesen se atij dhe një ministri tonë i bëjnë vaki këto, i thashë. Le sa u bë xheloz Zamiri me Gimen. Po na e sill dhe ne o byrazer, thanë, se kemi dhe ne vende pune. Po ik o mbushu, u thashë, po të jetë për ju e çoj atje ku duhet, tek ajo zonja që shet tokat e bregdetit të bëjë ndonjë lek, ç’do bëjë tek ju.

Tani i Kreditit po e humbiste durimin dhe gërmonte trotuarin me majë të këpucës.

-Fane, të ik vëllai, i tha se më vajti vonë.

-Po prit mo se s’ta thashë më të fortën. Më tha në fund kur u ndamë, po ke ndonjë problem me mediet nga opozita se mos u kërcënojnë apo shkelin lirinë tuaj, më njofto menjëherë…

-Jo o baba, jo, i thashë. Kemi Luken ne o të keqen, s’pyesim për ata fare. Në fakt u hutua se nuk e dinte përkthyesi që unë Luke i them Lulit, dhe mezi u sqaruam.

-Gut, gut, më tha. Pastaj më tha se ka dhe një zëvendës shumë të mirë në OSBE një Dan, Dan a Ramadan s’e di mirë. Çfarë pëlqen ky, e pyeta. Ah, ky është i çmendur për gara me kuaj, më tha, dhe vë bast gjithmonë që fiton i dyti dhe i del. Epo i madh qenka o Lako, i thashë, se dhe këtu në zgjedhje i dyti fitoi. A të keqen Fania ty ore. Ishte flori ishte.

-Ika unë, tha Tani i Kreditit, pa i lënë kohë t’i kapte krahun. I kish shkuar orari i takimit të zgjidhte punën e kredive të City Park dhe nuk donte ta merrte vesh Fania se ishte gati ta blinte dhe atë kredi.

3 komente në “Fania propozon kreun e OSBE për degustator birre”

  1. popolo di Tirana says:

    OSBE=Organizata Shteterore e Birres Europiane

  2. 21Janari says:

    OSBE=Oh Sa Birrë Emirë

  3. toma says:

    I madhi i OSBE-se sa pa Fanen, dhe hunden e tij qe tundej si fecke elefanti, i tha: “Her Irfan, kur te pjelle kjo hunda jote a ma jep nje kelyshke mua?”

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje