Tani i Kreditit me Baboon, komplot kundër Fanes

16 Qershor 2011, 20:03Antena TEMA
Tani i Kreditit me Baboon, komplot kundër Fanes

Fania shkoi dje në spital për një kontroll se nuk ndjehej mirë. Sapo mbërriti në spital, mjeku nuk e pyeti fare çfarë kishte dhe filloi t’i bëjë eko dhe skaner nga mesi i trupit.

-Doktor, më kontrollo komplet, i thoshte Fania

-S’ka nevojë, nga lart s’besoj se ke ndonjë problem, i tha mjeku. Duhet pa vetëm veshkat, prostata dhe maksimumi stomaku.

Fani u qetësua dhe i bëri sms Tanit Kreditit të merrej vetë me medien sot se ishte në spital.

Tani i Kreditit ngeli zot shtëpie me këtë rast. Përveçse ishte i qetë që Fania nuk po e priste para Bankës për ndonjë kredi të re, ishte dhe i lirë të fliste më mirë me stafin tek televizioni. Vendosi të sqarohej një herë gjatë me Babooon. E thirri në zyrë.

-Dëgjo, i tha, do flasim hapur mes nesh se ne jemi të dy djem qyteti. Nuk është punë katundarësh kjo. Duhet të bëjmë një televizion që të vijë era që e drejtojnë çuna qyteti. Fania është burrë i mirë, po ti e di që unë këta fshatarët s’i duroj dot.

Babooo ngriti dorën e majtë, e kaloi pas kokës dhe filloi të kruajë cepin e veshit të djathtë.

-Dakord mo, dakord, djem qyteti jemi, tha, po kjo punë do pak kujdes me njerëzit që do marrim. Unë s’kam gjë me njeri, po pashë një ditë një femër që hyri tek zyra e Kasos. Atë e ka pasë Fania dhe në TVA. Do na falimentoni TV vëlla, se e keni blerë dhe shtrenjtë.

-Kush është kjo, pyeti Tani i Kreditit.

-S’dua të përmend emra tani, po është një që i ka blerë Fania një kat tek pallati i vet.

-Aha, jo, jo, s’ka problem. E ka me kredi atë tek unë, ja ka dhënë asaj që t’ia marrë për hipotekë. S’ka problem.

-Po mirë o, për kredi ta përdorë, por kam hall mos m’i bie këtu në punë. Nuk është se do bëhem unë pengesë, por puna është të bëjmë dhe ndonjë punë.

-Mos ki merak. Do punojmë bashkë. Të thashë që në fillim se dua të merrem vesh me ty se jemi çuna qyteti. Unë kam lindë e jam rritë në mes të Kombinatit gjithë jetën, nuk kam ardhë nga Skrapari tani. Më vjen keq se kam respekt për ata se janë djem punëtorë dhe i kam klientë se mbajnë peshën kryesore të kredive, por ti e di që TV është delikat, ne jemi çuna qyteti.

Babooo ngriti prapë dorën e majtë, e kaloi pas kokës dhe kruajti cepin e veshti të djathtë, duke shkundur një tufë zbokthi mbi këmishë.

Tani i Kreditit e pa me bezdi dhe u mat të fliste. Babooo e hoqi dorën. Sa ndenji pak, ngriti dorën e djathtë, e kaloi pas kokës dhe kruajti cepin e veshit të djathtë. U shkund prapë zbokthi.

-Dëgjo se jena çuna qyteti, i tha Tani, nuk ka lezet, mos u kruaj ashtu.

-E kam tik nervor i tha Babooo i zënë ngushtë, sa herë flas me pronarët më kap një kruajtje. E kam nga sikleti.

-Qetësohu, i tha Tani i Kreditit. Ne po flasim si miq. Jemi çuna qyteti. Duhet të jemi të hapur. Fania nuk është këtu, nuk na dëgjon. Është shtruar në spital sot se i është ngritë tensioni prej kësteve të kredisë. I kam thënë mos ki merak. Puna është që të gjejmë një mënyrë të fryjmë kreditë e këqija. I fryjmë, i fryjmë, pastaj i plasim. Qeveria është e detyruar të na ndihmojë. Ajo do marr përsipër kreditë dhe shpëtojmë. Kaq do ta bëjë për Bankën se e ka të vetën. Po atë e kap sikleti kot. Jo po u bënë shumë, më thotë. Aq sa kam këste mujore, para tre vjetësh kam pasë gjithsej kredi. Po mos ça kokë, i thashë, do bajmë këtë manovër. Po është pak fshatar se shikon pas çdo favori një hile. Më çmendi në këtë drejtim se ne jemi djem qyteti dhe s’kemi komplekse, flasim hapur.

Babooo ngriti prapë dorën të kruante cepin e veshit të majtë, por u kujtua dhe ndali në ajër. Bëri sikur e lëvizi kot dhe e uli.

-Do të flasim hapur, i tha Baboo, flasim, por mos më dekonspiro.

-Fol, ça duhet të bëjmë?

-Duhet ta kthejmë si më parë, i tha Baboo. Ai Kasoja të mos më kontrollojë më sa janë reklamat dhe sa janë çmimet se ne duhet të jemi dhe fleksibël me klientin. Po të jemi fleksibël, i marrim më pak pare, por më shumë reklama. Psh unë kam rastin e  e naftës të mikut tonë Taqi.

Tani u zbardh në fytyrë.

-Pse, si është puna e tij, tha.

-Po ai kërkoi mbështetje dhe keni 100 mijë euro reklamë, tha. E takova unë, i thashë ore budalla je që do japësh 100 mijë në dorë. Po më jep o mua ndonjë tollon nafte dhe ato paguji kur t’i kesh.

-Bravo, më tha. Ke shpirt biznesi. Dhe ashtu e bëmë. Kur iku Karlo, më thoshte pastaj ku janë lekët. Aty i ke i thashë, hidheni në gjyq merrjani. Unë s’jam zyrë përmbarimi.

-Mos, tha Tani i Kreditit. Dhe këtu paret e atij do mbledh prapë unë. Po nejse, tjetër, tjetër çfarë mund të manovrojmë?

-Po ja, lajmet. Njerëzit kanë nevojë të dalin. Unë e pata vendos rregull 200 mijë lek kronika. Kishte që paguanin dhe klering. U merrja ça të kishin se kanë ardhë kohë të këqija. Kaso nuk merr vesh nga këto se i di lajmet pa lek. Bëjmë ndonjë lek dhe aty. I ndajmë bashkë.

-Shiko, unë jam çun qyteti, kam lindë në mes të Kombinatit, nuk dua kështu pisllëqe, tha. Puna është si ta bëjmë TV modern, të vijë era qytet jo si të bëjmë lek xhepi. Për lek kemi bankën, aty ka sa të duash. Dua ide, ide. Unë jam i prirur të blej vetëm ide. Sot është kohë e ideve, është një kohë ndryshe, është një gjë ndryshe si ta them, d.m.th ne jemi djem qyteti,  duhet të bëjmë diçka ndryshe… se unë jam dhe shkrimtar, kam libra, dhe u çudita që këtu nuk e dinte askush.

Baboo ngriti prapë dorën, e kaloi pas kokës dhe me gjithë kafshimin e buzës së Tanit Kreditit filloi të kruhej fort.

-As s’e dija këtë, tha i mërzitur dhe u çua. Po më lindi ndonjë ide tjetër, do ta them, por unë mendoj që atë punën e lekëve të kronikave mos ta prishim si traditë.

3 komente në “Tani i Kreditit me Baboon, komplot kundër Fanes”

  1. arsen123 says:

    Ore … une kete Tanin e njoh. Nuk eshte kaq i zgjuar.

  2. Cakalli7 says:

    TemA: fjale e urte e popullit tone “kalit te ngordhur ja heqin te gjithe patkonjte puna eshte kush ja heq kur eshte gjalle”. Irfanit boll i rate me qafe se te gjithe e njohin tani. Kur do na tregosh ndonje me Herni Cilin ose me Artut Zhejin, po nuk ta mban me keta.

  3. popolo di Tirana says:

    E ngaterron me ndonje Tan tjeter.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje