Doktori rishikon historinë e vet: Ditëlindja më 25 dhjetor si Krishti

24 Dhjetor 2011, 22:52Antena TEMA

Berisha u kthye dje nga Praga i lodhur nga rruga e gjatë, sëmundja që po e bren dhe mbi të gjitha ideja se Haveli, për të cilin kishin aq shumë respekt njerëzit, përsëri vdiq. Ju fiksua keq puna e vdekjes. Sapo zbriti në Rinas, mori Sandrin në telefon ta priste tek zyra.

-Shiko, tha, kemi marrë një nisëm për ndryshimin e historisë dhe kam me të thanë diçka. Duhet me e fillu të gjithë nga vetja. Unë kam një shqetësim me historinë që nuk e kam zgjidhur ende. Kam punën e ditëlindjes.

-Po ditëlindjen tënd e dinë të gjithë, tha Sandri, një ditë para shokut Enver, më 15 tetor.

-Jo, jo, nuk e kam në tetor se në fakt sipas babës kam pasë lindur në korrik, por ai binte në qytet një herë në tre muaj dhe ma ka shënu më 15 tetor. Po në fakt nuk është ashtu.

-Po kur e ke, pyeti Sandri.

-Të gjithë që më njohin thonë që e kam më 25 dhjetor. E mbaj mend se më kanë pasë thanë kushërinjtë ke lindë ditën e Krishtit dhe s’ke me vdekë kurrë. Por meqë gjyshi im ka pasë vra priftin në Iballë, kena ikë andej dhe s’deshtën me ma vënë në këtë ditë ditëlindjen.

-Po kjo qenka e fortë, tha Sandri. Ka me u tërbu Ed Rama. Dhe kjo i duhet atij, ta marrë vesh që ti ke lindë ditën e Krishtit dhe ka me u çmendë. T’i them Çanit ta thërrasë Kaçin prapë të premten tjetër dhe të flasin për këtë temë se kjo është e madhe.

-Kaçi, mirë, dakord, Kaçi i Bardhë i kam pas thënë gjithmonë atij, më thoshin bashkëpunëtorët e mi është Kaçi i Zi, po unë u thosha është Kaç i Bardhë. Dakord, thuaja këtij Çanit, e ke mirë atë për këto punë. Se shiko, Operacioni i Dimrit në vitin ‘44 i dogji regjistrat tona në Tropojë dhe na jemi rregjistru më 1949. Atëherë baba pyeti kush ashtë i pari i vendit e i thanë Enver Hoxha. Kur e ka ditëlindjen ai burrë, pyeti, më 16 i thanë. Ka pas thënë Mehmet Elezi atëherë që ai ka veç ditëlindje, nuk ka ditëvdekje dhe unë e besova, e vuri ditëlindjen një ditë para tij. Po në fakt Mehmetit nuk i doli fjala dhe Ramiz Alia e mori shumë inat kur u vërtetua që Enveri vdiq dhe nuk ngjallej më dhe e zbuan Mehmetin në Elbasan. Shiko, ka qenë vërtet antikomunist, mbaj mend që dhe një palë këpucë të kuqe që kishte dhe i veshi kur vdiq Enveri m’i dhuroi mu, tha këta janë kundër Enverit, unë s’kam më punë me këta, dhe iku…

Sandri dëgjonte dhe u vu në siklet se mos Doktori e kuptonte që ky e kuptoi që po lajthiste.

-Po shumë mirë Doktor, flas unë me Çanin dhe Kaçin e Bardhë për këtë, i tha që ta hiqte nga ajo temë.

-Po aty desha të dal, i tha Doktori. Shiko, Kaçi i Bardhë ka qenë gjithmonë dakord që unë kam lindur më 25 dhjetor, Ditën e Krishtit. Ta them unë ty po mos ia thuj njeriut, kur shkova në Izrael, aty tek Nazareti, mbylla sytë dhe prita të dëgjoja porosinë e Zotit dhe e vetmja fjali që dëgjova ishte “Ti ke lindur më 25 dhjetor, ti nuk vdes kurrë, ti vdes dhe ringjallesh”.

-Fantastike, tha Sandri. T’ia thotë dhe këtë Kaçi tek emisioni i Çanit që të çmendet ky Rama?

-Jo, kjo është porosi e Zotit, këtë e mbaj për vete, po ta them ty si dëshmitar që nesër kur Fevziu të bëjë librin për mua, të mos thotë ka tre ditëlindje si Enver Hoxha, dhe pastaj të më nxjerrë diktator. Dhe diçka tjetër, kur të bëjë librin Fevziu, duhet me ba kujdes. Me Enverin e ka tepru, jo homoseksual ku di unë, më ka thënë dikush në vesh që për mu do shkrujë incest e gjëra të tilla. Shiko, duhet me ba kujdes, se në do jem gjallë dhe nuk toleroj gjana të tilla.

-Po jo Doktor, si do shkruajë kështu Fevziu, ju jeni miq.

-Sandri, dakord, shiko, mirë, nuk them që s’jemi, po, dakord, problemi është… shiko se nuk e di ti, po Mehmet Elezi ka të drejtë, nuk ka qenë mik me Ramiz Alinë. Ishte me Enverin, gaboi se ai nuk ishte i pavdekshëm dhe kaq. Dakord, do thuash ti Fevziu, dakord, mik e kam, nuk them, por pas 20 vjetësh ai do bëjë librin për mua dhe duhet ta dijë që jam gjallë dhe do ta lexoj, pavarësisht se njerëzit mendojnë që kam vdekur. E dini ju, tre ditë janë ato që vdes në prill. Shtrihem tre ditë, shikoj kush gëzohet dhe ngrihem prapë. Jo, kam lind më 25 dhjetor unë, e di unë…

Sandri uli kokën prapë të bënte sikur nuk dëgjon edhe luante me celular.

-Ta thërras Çanin apo Fevziun Doktor, kë do, i tha Sandri.

-Shiko, për momentin na duhet Çani, i tha, me Kaçin e Bardhë, por Fevziu duhet ta dijë që unë nuk vdes dhe duhet të bëjë kujdes me biografinë. Se janë ca gjëra që duhet të bëjë kujdes. Nejse, jepe një herë lajmin që ditëlindja ime e vërtetë është 25 dhjetori. Dakord, shto dhe ndonjë gjë tjetër, por shiko, Ramiz Alia ia ka pasë me hile Enver Hoxhës dhe vetëm Mehmet Elezi e ka demaskuar këtë. Dhe Kaçi i Bardhë ka rolin e vet, po Fevziu duhet të bëjë kujdes se shiko, ta them unë ty që ne, s’ka rëndësi, jo, dëgjo mua ti, e di unë si sillen këta me të vdekurit, por du me të thënë që unë dhe Krishti nuk vdesim dhe Edi Rama shpreson kot.

Lini një Përgjigje