Ambasadori gjerman në Tiranë Helmut Hoffman ka përforcuar deklaratën e kancelares Angela Merkel se Gjermania do të bazohet tek progres raporti i Komisionit Europian përpara se të vendosë për statusin e Shqipërisë. Diplomati gjerman tërhoqi vërmendjen për gjuhën konfliktuale të politikës shqiptare duke theksuar se BE-ja kërkon bashkëpunim mes palëve në Shqipëri.
“Kancelarja Merkel bëri të qartë se është duke pritur progres raportin për të marrë një vendim në qershor të këtij viti. Dhe duke iu referuar sërish fjalëve të saj, ajo bëri të qartë gjithashtu se n.q.se ky kurs reformash do të vazhdojë të zhvillohet në mënyrë pozitive, ajo siguroi që Gjermania do ta shqyrtojë në mënyrë pozitive, me një vështrim pozitiv vendimmarrjen e saj në qershor” tha Hoffman për Ora News.
Diplomati gjerman theksoi se përpara se të merret vendimi për statusin, Shqipëria duhet të realizojë të gjitha reformat e rëndësishme për vendin të cilat do të ndiqen me kujdes nga ndërkombëtarët.
“Por vendimi sigurisht do të merret në qershor nga Komisioni Europian dhe ne do të vazhdojmë deri atëherë të ndjekim me vëmendje të gjithë proceset e rëndësishme për ne sikurse janë janë lufta kundër korrupsionit, lufta kundër krimit të organizuar dhe në mënyrë të veçantë krijimi i një administrate të qëndrueshme”, u shpreh Ambasadori.
Por si e vlerëson ambasadori gjerman klimën e bashkëpunimit mes politikës shqiptare dhe sa ndikon kjo që Shqipëria të avancojë me reformat e integrimit? Për ambasadorin bashkëpunimi mes qeverisë dhe opozitës është kërkuar në mënyrë permanente nga BE-ja dhe ai shpreson se do të bëhen hapa në këtë drejtim.
“Jo vetëm Gjermania por edhe anëtarë të tjerë të Bashkimit Europian e kanë bërë të qartë për të pasur një kulturë tjetër bashkëpunimi në politikën e brendshme, pra mes qeverisë dhe opozitës në Shqipëri. Kjo është diçka e cila është e përsëritur edhe nga komisioneri evropian Stefan Fule. Ne e dimë që kjo nuk është diçka që realizohet nga njëra ditë në tjetrën por shpresojmë në progrese në këtë drejtim”, tha Hoffman.
NUK DI GJE KY I SHKRETI, THOTE ATO QE I VENE PERPARA NGA BERLINI