Kunati i shqetësuar për ftesën e Doktorit në Prokurori

7 Mars 2015, 19:20Antena TEMA

Postieri i Prokurorisë ia la në dorë ftesën Kunatit. Siç është bërë zakon tek SHQUP, gjithë korrespondencën e merr Kunati dhe pasi e kontrollon, e shpërndan. Por, sapo pa zarfin e Prokurorisë, u drodh.

“Mos i kanë hapur Lulit prap çështjen, tha me vete, dhe e grisi menjëherë”. U qetësua pak, kur pa emrin e Doktorit dhe ftesën për të dëshmuar për çështjen Doshi.

Tani gjithë sikleti ishte si do t’ia jepte Doktorit.

Po t’ia jepte të hapur, Doktori mund të nxehej pse e ka hapur.

-Doktori ndoshta nuk do që të merret vesh që e kanë thirrur në Prokurori, tha. Kështu ka thënë dhe publikisht. Bëra gabim që e hapa. Duhet ta fut prapë në zarf.

Dhe filloi kërkoi një zarf të ri dhe po i vinte pullat.

Versioni tjetër ishte mos t’ia jepte fare. Kështu Doktori mund të ishte dhe më serbes, pasi nuk e dinte që e kanë thirrur dhe mund të bënte deklarata të forta. Por, dhe kjo kishte një rrezik, se mund ta kenë njoftuar njerëzit e tij në Prokurori që është bërë ftesa.

Versioni i tretë ishte t’ia jepte të hapur e t’i thoshte “Doktor, mos shko tek këta plehrat”. Kjo mund të ishte më e ndershme.

Po ndërsa po bënte plane se si ta njoftonte Doktorin, arriti Luli në zyrë.

-Si t’ia bëjmë protestës të së enjtes, tha. Po shkoi Doktori në Prokurori, na bie protesta. Do thonë njerëzit, Doktori beson tek drejtësia. Të presim.

-Atëherë të mos shkojë, i tha Kunati.

-Po nuk shkoi do na akuzojnë si organizatorë të gjithë kësaj, tha Luli. Plus që Ilir Meta po përmend dhe Shkëlzenin në çdo vend.

-Unë mendoj të bëjmë gati dy palë parrulla, tha Kunati.

Nëse Doktori shkon në Prokurori, ndryshojmë temën e protestës dhe bëjmë parrullat, “Çohuni në këmbë gra e burra, duam drita, jo fatura” dhe parrullën tjetër “Edi Rama o legen, prite Tomën se po vjen”, si dhe parrullën e famshme, “Me tritol, pa tritol, ky pushtet do ik me zor”.

-Po nëse nuk shkon Doktori, tha Luli, ça do bëjmë?

-Po nuk shkoi atëherë është e qartë. Toma është i pafajshëm. Parrullat i kemi gati. “Tom Doshi o hero, gjithë PD-ja ty të do”.

-Po ndonjë gjë për Shkëlzenin ça të bëjmë, tha Luli, se duhet mbrojtur dhe ai. Është pak e sikletshme, por duhet mbrojtur, se tani po ja veshin atij çdo gjë. Dhe Doktori është në siklet. Kur i tha Meta, “Vet më ke thënë që na mori më qafë ai budallai”, Shkëlzeni u mërzit shumë.

-Ja të pyes Rulin, tha Kunati, se ky të jep mendje tamam në këto raste.

E mori Rulin dhe ia shpjegoi hallin.

-Kur flasim për Doktorin, tha, njerëzit kuptojnë Shkëlzenin. Si t’ia bëjmë, ke ndonjë ide?

-Patjetër mor djalë, i tha Ruli. E ke parë që e shkruajnë gazetarët, Shkëlzen Berisha, djali i ish-kryeministrit Berisha…..

-Po, e kam parë, tha Kunati.

-Shumë thjesht, ndryshoni vendin e fjalës ish. Shkruajeni Shkëlzen Berisha, ish-djali i kryeministrit Berisha.

-Po mos i ngelet qejfi Doktorit, tha Kunati?

-Jo, jo, tha Ruli. Atij i ngelet qejfi vetëm po i the ish-kryeministër.

3 komente në “Kunati i shqetësuar për ftesën e Doktorit në Prokurori”

  1. Pilo Lala says:

    E bukur, batutat te goditura

  2. leo england says:

    AHAAHAAAHAA, FANTASTIK JE MERO.

  3. I.lir says:

    Kot e ka kunati qe shqetesohet. Plaku nuk shkon ne prokurori, se po shkoi, i hapet peta lakrorit.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje