Shfaqja e papritur në skenë e Kunatit të Doktorit ngjalli një shqetësim serioz tek Kunati i Lulit. Doktori kishte kaluar dy herë në pushtet dhe kjo puna e Kunatit nuk i ishte bërë problem. Herën e parë u përfol për paratë e Gjallicës, por u kalua. Herën e dytë, i famshëm u bë baxhanaku, që vdiq në Gërdec, por dhe ajo kaloi, se Doktori tha që nuk e kishte njohur.
Shfaqja tani e Kunatit të Doktorit, ishte e rrezikshme për disa arsye.
E para, se ai po bëhej shumë popullor si kapo i madh, që paguan për të zhdukur njerëz. Me aq sa kishte pyetur Kunati i Lulit, ai ishte nga ata që s’paguante as kafe, por me sa duket i ruante lekët për vrasje të mëdha.
E dyta, që e shqetësoi pa masë, ishte deklarata e Doktorit që “unë nuk kam as 60 mijë euro në bankë dhe nuk paguaj dot për të vrarë”. Kjo për Kunatin kishte disa kuptime. Kuptimi i parë ishte, që për të filluar vrasje u dashka vetëm dhjetë përqind. D.m.th për një vrasje 600 mijë, u dashkan si fillim 60 mijë. Mungesa e parave tek Doktori ishte një gjë e rëndë, që Kunati nuk e kuptonte dot. Filloi të bëjë llogari me gishta sa i kishte dhënë ai. Llogariti vetëm vitin e fundit, pallatin tek Garda, pallatin tek “Këndi i Lojrave”, pallatin tek 9 katëshet.. shkonin dhjetë milion dollarë. Ku dreqin i ruan paratë ky, tha, që s’paska as 60 mijë euro në bankë? Dhe iu shtua dyshimi, pse Zeni ikte çdo fundjavë në Austri vetëm.
Gjëja e tretë që i bëri përshtypje në këtë histori ishte dhe çmimi që kishin vënë për Fufin. D.m.th kishin vlerësuar 5 herë më të rëndësishëm Tomën, se Fufin. Për Tomën 500 mijë, për Fufin 100 mijë. Mjafton kaq, që laçianët të marrin armët se janë korit, tha me vete. Si mund ta bëjë Kunati i Doktorit këtë gafë. Kaq pak e vlerësoka Fufin. Apo do ta ketë marrë përsipër ndonjë hasëm dhe ka thënë kursejmë paratë? Edhe mundet. Ai paska nam si kurnac.
Por, pavarësisht gjërave që i bënin përshtypje, shfaqja në skenë e Kunatit të Doktorit ishte ogur i keq. Nëse zgjedhjet shkojnë keq dhe Luli detyrohet të kandidojë dhe të humbasë, jo vetëm që kthehet Doktori, por zihet dhe vendi i Kunatit, pasi ai tani u bë shumë popullor.
Kjo ishte një situatë shumë serioze, që po e linte pa gjumë. Mezi arriti e ngriti institucionin e Kunatit dhe fare papritur ndodh diçka dhe ia marrin të gatshëm.
Genc Ruli, që e ka njohur nga afër, e qetësoi pak.
-Mos u shqetëso djalo, i tha. Doktori kur vjen në pushtet, nuk i duhet Kunati për të vrarë, se vret vet. I duhet një si puna jote, të mbledhë paratë. Prandaj ruaju nga Zeni, se ai mund të bëhet Kunati që të rrezikon.
ceshte ty kunat se nuk po e kuptojme ta shohim nje here