Kur nisi fushata elektorale, Kunati e thirri Halimin dhe mes këshillave të shumta që i dha, ishte dhe që ai mund të kritikonte Lulin për mosmbajtje premtimesh, por të lavdëronte vizionin e tij. Doktor Halimi ra dakord. Për këtë, Kunati ngarkoi një vajzë me syze që flet pa iu dridhur syri, që i shpjegonte doktorit vizionin e Lulit për Tiranën.
Doktori thuajse e mësoi përmendësh, sidomos pjesën për tramin, për Bulevardin e ri, për terminalin multimodal, për kartën e studentit etj. Por gjëja që i ngjiti më shumë, ishte që mund të kritikonte Lulin që nuk ka mbajtur premtimet.
Kështu filloi ditë pas dite duke lëshuar gojën nga pak dhe kur shikonte që njerëzit e duartrokisnin, e lëshoi gojën fare.
Ditët e fundit ai pasi tregon një barcaletë, fillon e merret me Lulin. Kjo e shqetësoi shumë Kunatin. Sot i vuri një njeri nga pas ta ndiqte çdo thoshte në takim. E porositi që të merret vetëm me ndriçimin e Tiranës dhe të shpjegojë vizionin e Lulit për të.
Doktori filloi me shpjegimin.
-Tani, ju e dini që Luli ka pas një vizion të tijin për Tiranën dhe sidomos për ndriçimin. Besoj e keni parë si e dekoronte Tiranën në raste festash kompania e Kunatit. Por megjithë të metat, Luli ka pas dhe disa dobësi. Për shembull, ju e kishit vënë re se shumë poça në kohë të Lulit ishin të djegur.
Pse ndodh kjo?
Ua shpjegoj unë pse ndodh. Vizioni i Lulit ishte në rregull, por në praktikë kishte të meta. Kompania e Lulit punonte gjatë ditës, vendoste poçat dhe ikte. Po ça ndodh? Unë kam konstatuar se nëse vendos poçat gjatë ditës, t’i mund të humbasësh vizionin tënd për ndriçimin, pasi poçat ndizen natën. Gjatë ditës ka diell dhe ata nuk duken. Këtu Luli e kishte shumë gabim.
Unë ju premtoj, se në krye të Bashkisë, vendimin e parë që do firmos, është që poçat të ndërrohen natën. Nëse nuk e mbaj këtë premtim, m’u harroftë emri. Ky do jetë vendimi i parë që do marr. Nuk mund të bëhet kjo punë ditën. Këtu Luli ka bërë gabim të madh….
Kunati po e ndiqte i shqetësuar dhe i dërgoi një pusull: “Ndërro temë, fol për garën votuese më mirë”.
Doktori e mori pusullën, e lexoi, u kthye nga Kunati, buzëqeshi dhe ia nisi të flasë për gratë.
-Sot kam takuar dy gra, tha. Njëra është gruaja e një deputeti të PS-së, tjetra e një deputeti të LSI-së. Sa më panë, u shndriti fytyra.
-Doktor, mos ki merak, më thanë, ty do të ta japim.
I falenderova dhe u ndava me përzemërsi nga ato…
Kunati këtu u bë entuziast. Rulin, që e kishte marrë me vete, e pa të menduar.
-E fortë apo jo, i tha Kunati?
-Nuk besoj që është e vërtetë, tha Ruli. Këtu dhe Lulin me Ed Ramën mund ta gjesh bashkë, por një grua deputeti LSI-je me një grua deputeti të PS-së, s’mund t’i bësh kurrë bashkë.
-Ke të drejtë, i tha Kunati, po mos e qorto Doktorin, se e humbet. Thuaja me takt.
-Mirë, tha Ruli, dhe iu afrua Doktorit.
-Mirë fole Doktor, se të dëgjova, po atë punën e grave më me terezi. Të gënjehemi ne nga ndonjëra se na nxitet fantazia hajde de, po jo ti, që je i qartë përpara.
-Ke të drejtë, tha doktor Halimi. Ç’nuk më kanë parë sytë në atë klinikë.