Kunati sot kishte hapjen e fushatës dhe ishte në siklet me fjalimet. Duhet të zgjidhte tre gjëra kryesore.
E para, që Lulit të mos i ikte zëri. Ky ishte një problem serioz. Edhe pse tani demokratët janë mësuar me këtë gjë, Kunati duhet të merrte masat që zëri të mos i ikte.
E dyta, ishte që Grigja të mos rrëzohej pas fjalimit. Të gjithë nuk e kanë mendjen çfarë flet ajo, po çfarë do të bëjë pasi të mbarojë fjalimin.
E treta, ishte sherri që ka nisur mes vëllëzerve Frangaj tek Klani dhe kë duhet të ftonte prej tyre, të voglin apo të madhin. I madhi është më afër me Ramën po ka TV, i vogli është kundër dhe është me Nishanin, por është pro Lulit.
Për problemin e parë nisi provat.
Luli e lexoi dy herë fjalimin. Gjithçka shkonte shumë mirë. Sapo vinte radha tek premtimet e Tiranës, i ikte zëri. Dhe pikërisht tek fjalia “vizioni im për Tiranën tani është i njohur. Jo vetëm i dhashë Tiranës vizionin e tramit, por dhe vizionin e vendeve të punës, vizionin e taksave të ulëta, vizionin e gjelbërimit, vizionin e mosndërtimeve në parqe dhe vende publike, vizionin…..”shuhej këtu.
Në të dy rastet i iku. Ishte hall i madh.
-Ta heqim fare këtë pjesë, i tha Kunati.
-Po hoqëm dhe këtë s’na mbetet më asgjë, tha Luli. Të jap fjalën se do ta kem parasysh në fjalim. Këtu do forcoj zërin. Piu dhe tre vezë dhe u nis i sigurt. Kunati e ndiqte me vëmendje. Sapo u afrua…filloi tek vizioni, e pa që iu drodh zëri dhe pastaj iu fik.
-Dreq o punë, tha. Si ka mundësi të ndodhë kjo?!
-S’ke çi bën djalo, i tha Ruli. E kam thënë që ky djalë ka zotin me vete. Sa herë që rrezikon të turpërohet, ia heq zërin. Ta kishin dhe ca të tjerët këtë fat, s’do iknim kurrë nga pushteti.
Problemi i dytë, ai i Grigjës, u zgjidh. Grigjës i vendosën Doktorin përballë, që ajo t’i kishte sytë nga ai dhe ai nga ajo. Kështu nuk kishte më rrezik, pasi kur të mbaronte fjalën, ajo e kishte Doktorin pas shpine dhe s’kish nga të shikonte, se do shikonte rrugën.
-Si të duket si zgjidhje, i tha Kunati, Rulit.
-Shumë e mire, tha Ruli, se në fakt ajo është Kim Kardashiani ynë, dhe kur e shikon nga pas, vendos qetësi në sallë.
Problemi i tretë, ai i sherrit mes vëllezërve Frangaj, ishte pa zgjidhje. Sherri paska pas shkak, faktin që Frangaj i madh kishte lejuar që në TV të dilte një femër që ka zëvendësuar në punë gruan e Frangajt të vogël.
-Si ta zgjidhim këtë punë, i tha Kunati, Rulit?
-Vështirë është djalo, i tha Ruli. Se po të marrim inat gjithë gratë që u zënë vendin grave tona, atëherë Frangaj i vogël s’duhet t’i flasë as vetes së tij, se ai ka zëvendësuar në Presidencë gruan e vet që ka marrë lejen e lindjes.