Kronikë gazmore nga ngjarjet e ditës

11 Qershor 2015, 20:24Antena TEMA

Tre pallatet e Gridës dhe demokrati Thërmia

Demokrati Thërmia shkoi sot i gëzuar në parti. Intervista e mbrëmshme e Gjushit e kishte lënë pa frymë. Respekti me të cilin foli Gjushi për Gridën si ndërtuese korrrekte, ishte një shenjë e mirë.

Ndërsa një gazetar e akuzoi Gjushin se i detyron firmat të blejnë beton tek ai, Gjushi e shpjegoi me rastin e Gridës.

-Pyesni kandidaten tuaj Gridën, tha. Asaj i kam dhënë tre leje pallatesh në Durrës. Ka ardhur mi ka kërkuar në zyrë dhe ia kam dhënë. Është treguar korrekte. Pyeti ku e ka marrë betonin dhe a e kam detyruar ku ta marrë?

Kjo gjë e çuditi shumë Thërminë.

Sapo erdhi Grida, i doli para dhe i tha:

-Gjushi të lavdëroi mbrëmë si ndërtuese e zonja. Duhet me ia kthy dhe ti me ndonjë lëvdatë, se s’ka lezet. Respekti kërkon respekt.

-Në asnjë mënyrë, i tha Grida. Që më ka dhënë leje ka bërë detyrën, se ndaj është kryetar bashkie. Po s’e kam dit që ka pas dhe beton, se ia merrja dhe atë falas.

Sherri në Kuvend

Fatmir Mediut i ka ikur turi sot pas debatit mbi Vorën. Gjakrat i ndezi i pari Patozi, që u përlesh me Ilir Metën për postin dhe historitë e tyre të vjetra. Pastaj situatën e mori në dorë Mediu. Ky i fundit kërcënoi deputetin e LSI-së Bert Bitri, se do ta zhdukte po të dilte në korridor pas sallës.

Kërcënimi i Mediut tregoi një profil të lartë force të tij dhe një kulturë të gjerë juridike.

Duke qenë i vëmendshëm ndaj zhvillimeve të fundit, Mediu sot ishte i qartë se po ta rrihte Bitrin në korridorin e Kuvendit, nuk e kapte më ligji, por thjesht mbetej në dorë të Kuvendit ta përjashtonte ose jo, për dy javë. Ai dhe kështu ka dy vjet kot në Kuvend, kështu që nuk mërzitej nga kjo punë.

Edhe pse duket i painteresuar, Mediu duket se ka krijuar një kulturë ligjore se nga çfarë dënohesh dhe nga çfarë nuk dënohesh tani në Shqipëri. Për shembull, ai është i qartë, që po të jesh deputet dhe të kanë ngritur akuzë për vrasje të 26 vetëve, e shtyn me procedurë sa të digjet afati dhe shpëton. Po të shau njeri nga partia apo krushku, i fut një dru në Kuvend dhe shpëton. Po të kapën me trafikantë dhe të akuzuar për vrasje në aeroport si protektor të tyre, mund të dënohesh deri 4 vjet, por po të paguash shpëton. E vetmja gjë që Mediu e di mirë që mund të dënohet e të mos falet, është t’i dalë kundër Doktorit. Nëse ndodh kjo, ai mund të dënohet për ndërtim pa leje, duke lyer vilën ku ka komshi Delijorgjin në Qerret.

Dorëheqja e Becit

Drejtori i ISKSH Astrit Beci dha dorëheqjen pas skandalit të rimbursimit të ilaçeve dhe deklaroi se ka bërë transparencë të plotë për këtë çështje. Nga transparenca del që disa qytetarë kanë marrë më shumë ilaçe sesa u takojnë, por kjo pangopësi e tyre, sipas Becit, do të ndëshkohet, pasi ata mund ta pësojnë për ilaçet.

Në një letër drejtuar ministrit Beqja, Beci i propozon këtij të fundit, që të marrë masa për mjekësinë falas në Kuvend, sidomos për gjetjen e një traumatologu në dispozicion për t’u ardhur në ndihmë deputetëve pas rrahjeve që mund të pasojnë në korridoret e tij.

3 komente në “Kronikë gazmore nga ngjarjet e ditës”

  1. Gopisti i NSHRAK-ut says:


    VIPat edhe Rripat
    Po shkrihen prej gazit
    Populli i shkrete
    Shkrihet prej marazit ?

  2. Aida Tucii says:

    Shqiperia nje hale e madhe!

  3. shenaai says:

    Deputeta moter shkoqur ju jeni te pa ngopur

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje