Fitorja e Shqipërisë ndaj Francës ka befasuar median shqiptare dhe atë ndërkombëtare. Pas kësaj fitoreje, Shqipëria mund të kalojë në vazon e tretë në hedhjen e shortit dhe shanset që të ketë rival dhe më të dobët se vetja në të ardhmen, rriten shumë.
Pas një sërë studimesh mbi arritjet e Kombëtares, përsëri nuk dilte llogaria.
Kishte zëra që thonë se De Biazi ka bërë ekip të mirë, me mbrojte të shkëlqyer, por nuk ishin shumë bindës.
Kishte zëra që thoshin se është focuar fryma në ekip dhe talentet e reja po bëjnë punën e tyre, por nuk ishte bindëse.
Kishte të tjerë që thoshin se Duka nuk i shet ndeshjet në fushatë, por dhe kjo s’ishte bindëse.
Më në fund dikush arriti ta gjejë arsyen.
Ishte Fevzo, që kishte veshur këpucë të kuqe në stadium dhe rrinte krah Pacollit.
Policia e Shtetit ishte përqëndruar e gjitha pas karriges së tij. E gjithë kjo ndodhi qysh nga ndeshja në Beograd, kur Fevzo nxorri nga gjiri flamurin shqiptar, bëri fotografi tek muri i tualetit të stadiumit dhe e postoi si një triumf në mes të Serbisë.
Ja si e shpjegon vet Fevzo këtë shans.
“Isha në dilemë nëse do blija këpucët që bleva herën e fundit që isha në Paris, apo një palë këpucë që mi ka pas dhuruar princi i Montekarlos dy vjet më parë, kur isha për pushime atje dhe më ftoi për drekë. E vërteta është diku në mes, pasi vesha këpucët që kisha blerë kur isha në Londër dhe ato këpucë kanë një histori të veçantë, se ishin vetëm një palë dhe ato i kishte rezervuar princ Harry, por unë arrita ta bindja shitësen t’i merrja unë. Ngjyra e tyre i afrohet pak a shumë të kuqes së flamurit dhe unë gjeta një palë lidhëse të zeza për t’i kombinuar.
Në fakt kisha vendosur të rrija me Bushatin në tribunë si filofrancez, por ai ishte sëmurë se kish ndenjur gjithë ditën të priste Benzemanë për të dalë në foto, por ky i fundit më telefonoi mua dhe më tha i thuaj Bushatit, nuk vij dot, por dhe po erdha, kam lënë takim me Martin Lekën.
Kështu që u detyrova të marr Pacollin. Ai ishte duke udhëtuar për në Amerikën Latine me avionin e tij, po u kthye në ajër dhe u ul në Rinas.
-Bëre mirë që më ftove, tha, se rruga e gjatë, duhet një ndalesë.
E gjithë kjo solli fat për Kombëtaren tonë dhe ne fituam. I thashë De Biazit në fakt, të bënte atë skemë që bëri dhe u çudit për njohuritë e mia për futbollin. Pastaj i shpjegova se një nga tetë gjyshërit e mi ka pas luajt futboll tek fusha e Shallvareve dhe ka qenë më i miri.
I dhashë dhe disa ide për ndeshjen e ardhshme dhe së bashku me mikun tim Pacolli u larguam.
Pas kësaj Pacolli vazhdoi rrugën për në Amerikën Latine, ndërsa unë këto këpucë do t’i ruaj si fat, pa i veshur më derisa të hyjmë në Kampionatin Europian.”
Kështu e përfundon rrëfimin e tij Fevzo, mbi fatin që i ka sjellë Kombëtares shqiptare.
Pasi e lexoi rrëfimin, Ruli tha:
-Çudi e madhe me këtë vend, ku nuk e di njeriu ku i fshihet fati. Ja për shembull, Kombëtarja e paska fatin të lidhur me këpucët e Fevzos dhe jo me këpucët e futbollistëve.
Kepucet e kuqe te Fevzos dhe topat me dhjame te z. Roche per te cilat duhet te thote dy fjale Sandri… !
ci pjell mendja Meros!