Vazhdon ende debati publik mes Zenit dhe ish-gruas së tij për moskthimin e kalit, qenit dhe tre maceve në Suedi. Këtë fundjavë, e dashura e re e Zenit postoi një video ku shihet ajo me Zenin, dhe qeni që duhet të ishte në Suedi.
Video është bërë shumë popullore dhe shumë njerëz i kërkojnë llogari Zenit pse nuk ia ka çuar ende qenin gruas dhe fëmijëve, por i ka gënjyer.
Kunati po analizon impaktin elektoral të këtij gjesti me ekspertët e fushatës, të cilët i bënë analizën e mëposhtme.
“Shfaqja e videos me të dashurën dhe qenin e ish-gruas, është një shenjë që Zeni e ka seriozisht vendimin për të mos ia çuar ish-gruas dhe fëmijëve të tij qenin dhe për ta bërë atë pjesë të familjes së re. Për këtë, ai është investuar në një fushatë pajtimi mes qenit dhe të dashurës së tij të re. Për dy muaj rresht ai e ka stërvitur qenin, që të mos lehë kur afrohet e dashura dhe të mos jetë agresiv me të.
Në fillim qeni e ka pas të vështirë, por duket se pak nga pak po mësohet.
Edhe pse mund të të duket se ka impakt negative, fakti që Zeni ka gënjyer fëmijët dhe ish-gruan se do t’ua çojë qenin në Suedi, nga sondazhet e bëra rezulton se shumë njerëz janë më shumë të gëzuar që bashkë me të dashurën e re, ai do ketë dhe qenin e vjetër.
Kjo shihet si një urë lidhëse mes dy familjeve.
Studimet tregojnë, se kur një qen është urë lidhëse mes dy familjeve, familjet kanë fat të mirë dhe konsiderohet se do të jenë pjellore, si një buçe.
Nga ana tjetër, duhet të reflektohet dhe mbi kafshët e tjera shtëpiake që Zeni ka premtuar t’i çojë në Suedi. Kështu, pajtimi me macet shikohet i lehte dhe nuk besoj se do të krijojë probleme. Pajtimi i të dashurës së re me kalin është pak problematik, pasi kali e ndjen atë që i hipën sipër dhe mund të ndodhë që ta rrëzojë.
Për këtë të dashurës së Zenit i duhet më shumë punë dhe stërvitje për t’u miqësuar me kalin, pasi kali, ndryshe nga gomari, që mund të miqësohesh menjëherë, është më xanxar.
Nga pikëpamja elektorale, na intereson që ditën e premte e dashura e re e Zenit të shfaqet e hipur në kal.
Nëse kjo nuk mund të realizohet faktikisht, atëherë duhet të veprojmë me fotoshop, duke marrë Zenin mbi kal dhe duke e zëvendësuar me të dashurën.
Publikimi i fotos mund të frenojë ardhjen për votime të ish-gruas dhe një votë më pak kundër Halim Kosovës.
Sipas sondazheve tona, nëse ish-gruaja do të kthehet, ajo do të votojë Gjergj Bojaxhiun, pasi janë komshinj në Farkë dhe ai ka qejf kalin, dhitë dhe delet.
Për këtë arsye rekomandojmë një fotografi të së dashurës së Zenit me kal, qoftë dhe me fotoshop.
Të bëhet kujdes, që në momentin e fotos, kali të jetë në pozicion normal, që të mos tërheqë vëmendje ai, por ajo që do ketë hipur sipër tij.
Nëse del kjo foto, mund të jetë ngjarja më e rëndësishme për gazetat ditën e shtunë para zgjedhjeve dhe kështu do të kemi mundësi të shmangim fushatën kundër opozitës, pasi opozita do të jetë në qendër të vëmendjes me të dashurën e Zenit.”
Kunati e lexoi me vëmendje analizën dhe u duk i kënaqur. Për ta testuar më mirë situatën, printoi një foto ku dukej Zeni, qeni dhe e dashura e tij dhe ia vuri para Rulit.
-Po të jesh i zoti, më gjej një diçitur për këtë foto, i tha, ku është Zeni, qeni dhe e dashura…
-E thjeshtë, tha Ruli. Shkruaj “Zeni i pari, nga e majta.”
Tric Lule, tric! Dua buke me xhape Luleee!
Follow me!
Hahahahaha. Zeni I pari, nga e majta