Episode nga dita e sotme e fushatës

16 Qershor 2015, 20:09Antena TEMA

Çiljeta shpjegon divorcin me PD-në

Problemi kryesor i shtypit sot, ishte çështja e tradhtisë së Çiljetës ndaj PD-së. Në disa intervista dhënë për gazeta të ndryshme, Çiljeta ka treguar se ajo nuk e ka tradhtuar PD-në, por ftohja ka ardhur pak nga pak. Në fillim PD nuk e ftonte më Çiljetën, pastaj i qëndronte rëndë, më pas e injoroi dhe në fund fare e zëvendësoi me Greta Koçin.

Këtu Çiljeta nuk kishte pse të duronte dhe iku, pa punët e veta, duke marrë pjesë tek koncerti i LSI-së.

Kunati i shqetësuar se mos kjo gjë prishte reputacionin e PD-së, pyeti Rulin për t’i marrë një mendim.

-Mua djalo, në këtë parti nuk më shqetësojnë ata që ikin, po ata që vijnë, i tha Ruli. Dhe në këtë rast duhet parë kjo puna e Gretës që na erdhi, jo puna e Çiljetës që na iku.

Sandri nxehet pse i ka nxjerrë Qazimi sekretin

Ka pas një zënke të fortë mes Sandrit dhe Qazimit të Elbasanit sot, pasi Qazimi i shpjegoi gazetarit të Sandrit sesi funksiononte Sandri. Siç ia shpjegoi me babaxhanllëk Qazimi, Sandri nuk jetonte dot pa pushtetin, ndaj dhe gazetari duhet të pyeste njëherë Sandrin para se të bënte pyetje.

Sandri u mërzit shumë që Qazimi i kishte nxjerrë sekretin dhe e mori në telefon.

-Po ça ke bë mo burrë, muhabetet e mia nxjerr në pazar ti. Po si s’përto njëherë që u flet gazetarëve, ata janë ca k… që punojnë për rrogë. Unë të thashë mos ça kokë se kemi një video për atë tjetrin, nuk të thashë t’ia shpjegosh gazetarit tim, që jemi miq bashkë.

-Më fal, i tha Qazimi, menova që e ke njeri të besum, se unë i kam njerëz të besum të mitë. S’e përsëris më. Ene atë videon që ke, qite mo, ça e mba kot pas të dielës.

Në mitingun e Lulit në Fier ndodhi një rrëmujë e madhe. Luli nuk ishte konsultuar me organizatorët për mënyrën si do të fliste.

Vet e kishte caktuar që ai do pyeste popullin dhe ata do ta mbështetnin.

Kështu ia nisi mitingut.

-A nuk jeni sot disa herë më të varfër se më parë….?

-Urra, urra, bërtiste turma!

-A nuk po vuani sot për bukën e gojës nga klika Rama-Meta?

-Urra, urra, bërtiste turma…

-A duhet t’i falim më këta kriminelë që na udhëheqin?

-Urra, urraa…bëriste turma!

Luli u bë nervoz dhe u kthye nga Enkelejdi.

-Ore tanët janë këta apo të PS-së, se këta qenkan të gëzuar që janë pa bukë dhe pa punë?

-Jo shef, i tha Enkelejdi. Sot janë të gëzuar se i kemi paguar, ndaj bërtasin. Duhen pyetur nesër për ato gjëra.

2 komente në “Episode nga dita e sotme e fushatës”

  1. Shefqet Hulo says:

    Shqiperi moj lule, lule trendeline shih si po te nxijne keta faqezinjte!

  2. Mero force e madhe je ne demaskimin e chetes Vicidolase.. Ju dhe Arben Duka keni merita te medha!!

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje