Kunati është angazhuar fort në shmangien e debateve për zgjedhjet brenda PD-së. Situata më delikate ishte në mbledhjen e fundit të Grupit Parlamentar. Kunati skanoi gjithë listën e personave që mund të bënin debat dhe filloi të punojë si t’i neutralizonte. Në listë ishte Topalli, Patozi, Ruli, Bode dhe Doda.
E nisi me Topallin. Diskutoi me Doktorin sesi mund të shmangej debati i saj.
-Do të jem atje, tha Doktori. Po foli s’kam ç’ti bëj, por do jem atje. E di vet ajo.
Dhe kështu ndodhi. Doktori erdhi në mbledhje dhe kur mbledhja po mbaronte, Topalli kërkoi fjalën.
-Dale mar djal, si e mbyll mbledhjen kështu ti pa na thënë ç’kena bë e si kena dal në këto zgjedhje. Mirë që kena humb, mirë që jena bë me qa natë e ditë, por ju s’të lini as me qa.
Kunati hodhi sytë nga Doktori. Ai nuk i lëvizi qerpikët fare dhe bënte sikur lexonte në I-pad.
Por situata shkoi mirë. Pas Topallit nuk pati asnjë reagim tjetër. Luli, i cili në raste të tilla është në panik, shpjegoi para grupit teorinë e vjedhjes së kartave të identitetit nga fëmijët në shtëpitë e demokratëve. Sipas tij, shkaku kryesor i bojkotit të demokratëve ishte se fëmijët ishin blerë nga dyshja Rama-Meta dhe ata u kishin vjedhur prindërve kartat.
Pas mbledhjes u takua me Kunatin të diskutonin rezultatin.
-Shkoi shumë mirë, tha Kunati. Ridvanin e kapa para mbledhjes.
-Ke një porosi nga Luli, i thashë. Do flas me ata të prokurorisë, se ka një të vetin aty, ta mbyllin atë çështjen e pasurisë. Vetëm po deshe mos fol në mbledhje të grupit se nuk duam debat.
-Po mirë de, prishur mos qoftë, më tha. Vetëm thuaj të ma mbyllin shpejt atë çështjen, se duket sikur ça kam bërë që kam fshehur dy milionë euro.
-Ka folur Luli, mos ki merak, i tha Kunati.
Pas Ridvanit kapa Rulin. Ia shpjegova situatën.
-Luli do mbaj një fjalim në Grup, i thashë, sesi fëmijët e demokratëve kanë vjedhur kartat e prindërve. Por më ka çuar të të them, mos të flasësh se nuk dëshiron debat.
-Dakord mo djalë nuk flas, por duket perspektivë e keqe kjo. Nëse gjithë fëmijët e demokratëve janë hajdutë xhepash, ne turpërohemi si parti. E para se jemi hajdutë jo seriozë, pasi ne për miliona jemi shquar, por hajdutë xhepash s’kemi qenë kurrë. E dyta, që e ardhmja e PD-së do të jetë e mbushur me hajdutë xhepash. Është shumë keq si tezë kjo.
-Po hajt mo burrë, i thashë se përveç teje në atë parti nuk kupton njeri ça thua. Mos i analizo kot gjithë gjërat se s’e ka mendjen njeri.
-Po mire, tha. Po të jetë kështu s’po flas, por ta dish se fyerje e madhe është të katandisemi si parti hajdute xhepash.
Pas Rulit u interesova për Patozin. Më thanë ka mundësi të mos vijë. U gëzova shumë. E nxita atë që më tha, t’i thotë mos shko në atë mbledhje. S’ke pse shikon surratin e Lulit që ka humb. Ashtu bëri. Nuk erdhi.
Kishim dhe Mesilën. Asaj ia gjeta ilaçin. I turra këto gratë e tjera të PD-së, se ato mezi kanë pritur të shajnë. Dhe ajo u asgjësua.
-Vetëm Doktori më ngeli peng, tha Kunati. Mu duk në pozitë të vështirë kur foli Jozi. Gjithë ai burrë shteti, s’i kthen dot fjalën Jozit.
-S’ka ça bën, tha Luli. Është në siklet. Rëndësi ka që nuk e mbështeti. Tani e rregulloj vetë. Nxjerr Alibeajn të hedhë tezën, që këta që kanë fituar bashkitë duan të shkatërrojnë PD-në, se duan t’i përdorin fitoret kundër kryetarit. Kështu, Topalli që ka fitu Shkodrën dhe Patozi që ka fitu Vorën do penalizohen si komplotistë kundër kryetarit. Mbaroj punë vetë me ata, mos ki merak.
-A shumë mire, tha Kunati. Madje unë them të 15 bashkitë që fituam t’i përjashtojmë këta të PD-së, se me siguri do të duan të duken si heronj. Po s’mund të jenë dhe heronj, dhe të gjallë. Duhet t’i heqim qafe. Vetëm ashtu jemi të sigurtë.