Këshillat e Fatos Nanos për Greqinë, gjatë një interviste në ishullin ku pushon

13 Korrik 2015, 18:59Antena TEMA

Gjatë një interviste për televizionin lokal të ishullit Kefalonia, Fatos Nano dha disa ide mbi shpëtimin e Greqisë dhe të ardhmen e dy vendeve në Bashkimin Europian.

Gazetari: Si e vlerësoni gjendjen e sotme të Greqisë?

Nano: Është një situatë që e njoh mirë. Unë kam dy periudha të qeverisjes në Shqipëri gjithmonë pas katastrofave të tilla. Për herë të parë u bëra kryeministër pasi u rrëzua komunzimi dhe shqiptarët ishin pa kokërr leku. Bankat kishin gjithsej 2 milion dollarë dhe mua mu quajt korrupsion abuzimi me lëngje frutash, ndihma nga Italia.

Për herë të dytë u bëra kryeministër në vitin 1997 kur nuk kishte më njeri asnjë lekë në xhepa, pasi i kishin humbur në firmat piramidale. Në të dyja rastet, ia kam dalë. Kam një formulë magjike për këtë, ndaj dhe më pëlqen shumë kryeministri juaj, Cipras.

Gazetari: Cila është ajo që iu magjeps tek Cipras?

Nano: Më kujton veten në atë kohë. Bankat pa lekë, njërëzit pa lekë, papunësia thuasje 100 përqind, furrat s’kishin bukë… Të ikte truri të rrije të mendoje, çfarë duhet të bëje më parë. Dhe ia fusja një mendje të lehtë, thosha do bëhet më mirë dhe ashtu u bë.

Gazetari: Si ia bëre për të zgjidhur problemin e punësimit?

Nano: Në të dy rastet e zgjidhëm me Europën. Meqë ata nuk donin të hapnin vende pune tek ne, ua dërguam shqiptarët të punonin në Europë. Këtë duhet të bëni dhe ju.

Gazetari: Ti thua që duhet të ikim emigrantë?

Nano: Sa më parë, aq më mirë, se s’ka shumë vende as në Europë. Përpiquni të shkoni në Gjermani. Kështu si po shkon puna këtu, mund të merrni dhe azil politik. Keni plot dëshmi që po vendoset komunizmi.

Gazetari: Po për emigrantët shqiptarë në Greqi, çfarë do thoni?

Nano: Ata janë në shtëpi të tyre tani. Kanë ardhur me mend në kokë, se i kanë kaluar me kohë këto gjëra. Atyre u duket qesharake kriza juaj. Ikni pa merak, se ua ruajnë ata shtëpitë.

Gazetari: A do të takoheni me Ciprasin t’ia thoni këto ide që keni?

Nano: Me Ciprasin? Vetë nuk kam shumë kohë, por po ta kisha njohur disa vite më parë, i kisha rregulluar një takim me Thanasin.

Gazetari: Kush është Thanasi? Personazhi i filmit “Thanas shtrëngo rripin”?

Nano: Jo, jo. Thanasi ka qenë babai im. Ishte komunist i vjetër, me norma dhe besonte tek gjërat që beson Cipras. Falë tij dhe shokëve të tij, unë e gjeta Shqipërinë pa bukë më 1991. Ai është gati të ngrihet nga varri po ta dijë që ka dalë një lider si ky i juaji, se mua më bëri lanet që tradhtova komunizmin.

Gazetari: Çfarë rekomandoni konkretisht për Greqinë?

Nano: Po kur na zuri kriza më 91-shin vumë një kryeministër konsesual. Dhe më 1997-ën po ashtu. Po deshët ua dërgoj Bashkim Finon, se ju ma dhatë atëherë. Bëni një qeveri të Pajtimit Kombëtar, falimentojini këto bankat e Sudes dhe Xhaferrit dhe niseni nga e para.

Gazetari: Populli grek nuk do ta pranonte këtë. Ai beson se referendumi ishte përgjigja e duhur.

Nano: Dhe populli ynë e votoi Berishën 60 përqind më 1996 pastaj më votoi mua 70 përqind. Mësohet populli, çfarë s’ka hequr.

Gazetari: Po ju pse keni zgjedhur Greqinë për pushime?

Nano: Po unë kam një biznes greko-shqiptar. Marrim njerëz me autobusa nga Tirana në Athinë dhe anasjelltas. Deri tani i binim autobusat plot e ktheheshim bosh. Tani vijnë bosh në Greqi, e kthehen plot. Duhet t’i rri punës tek koka. S’kam çfarë bëj. Plus kësaj, më shijojnë shumë kriza të tilla, se duket sikur jam kryeministër.

9 komente në “Këshillat e Fatos Nanos për Greqinë, gjatë një interviste në ishullin ku pushon”

  1. polisi says:

    Hahahahahahaaa sa e fort kjo

    1. aqifi (po i verteti ama) says:

      Perle! Nga antenat me te bukura te koheve te fundit…

    2. Majlinda says:

      I papapre je o Mero, te lumte lapsi, Fiks ja ke bere nanos, ashtu sic ai eshte, dembel, dhe qejfli, kurre nuk mund te punoj ai njeri, ka lindur per qejf, dhe punet pastaj behen lemsh,

  2. Gopisti i NSHRAK-ut says:


    Ha haha
    ☆☆☆☆☆
    Fshihuni grekë
    Në vrimë miu
    Se pas Tosit
    Do vijë Saliu!
    ?

  3. tironci says:

    Ha ha ha ,shume fantastike an tena sot.

  4. bush says:

    Mire ju ka shkuar mendja se tosi dhe sala pune duan ta fusin dhe ta nxjerrin…… nga kriza

  5. seleni says:

    Humor mund te behet me cdo gje. Por nuk arrij te gjej asnje lidhje reale te Nanos mee axhenten politike te Cipras. Ketu kemi thjesht nje fantazi humori jashte realitetit.

  6. Kris 1 says:

    be doni o greke,
    Te shpetoni nga flama,
    Votoni si ne
    te vije Edi Rama.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje