Reagimi i Doktorit për Vilën në Dhërmi me rastin e përvjetorit rekordeve

2 Gusht 2015, 19:54Antena TEMA

Fundjava e fundit që lidhte Korrikun me Gushtin ishte e diela e rekordit të Doktorit. Të gjithëve na kujtohet momenti kur Sandri me Fevzon niseshin në Dhërmi ose nga toka ose nga deti, helikopteri i gardës nga qielli dhe Doktori zbriste shkallët e Vilës në Dhërmi rrethuar nga familja, e cila xhironte thyerjen e rekordit.

Meqë Doktori nuk di not, Garda vendoste polumbarë poshtë tij në gropën e ujit para vilës që lidhet me detin dhe Sandri bënte atë kronikën e zakonshme që i shtonte çdo vit nga 20 minuta deri sa e çoi mbi 2 orë në ujë.
Sot për Doktorin është një fundjavë që e trishton.

Vila e tij e re në Gjirin e Lalëzit është më e madhe dhe më e bukur se ajo shëmtira në Dhërmi, por Doktori e ka mendjen atje. Atje të besohej çdo gjë. Dhe kur gënjeje për rekorde dhe kur shaje opozitën dhe kur mbroje Familjen për gjëmat që bënte në pushtet. Por më shumë i shijonte momenti, kur Sandri me Fevzon dhe Fullanin shfaqeshin me jahte të marrë me qera para vilës si rastësisht dhe Sandri merrte vazhdimisht në telefon duke i thënë që ishin përballë vilës, po të kishte kohë për kafe e kthenin jahtin. Dhe ai ndodhte që i linte gjithë ditën në det të prisnin derisa u thoshte ejani. Shijonte sidomos pjesën kur Fullani i lodhur nga pritja, i thoshte Sandrit po na prishet dhe tava e peshkut.
Sot nuk e mbajti dot veten. Sandri kishte shkuar përsëri në Dhërmi, me shpresë se kishte shkuar Rama me Zahon dhe ishte zhgënjyer, se në vend të tij kishte gjetur dy goca nga ato të shërbimit qeveritar që po ngroheshin në diell.

Këtu nuk duroi dot dhe shpërtheu duke postuar komentin e tij.
Të dashur shqiptarë dhe shqiptare, miq dhe shokë, motra dhe vëllezër, bashkatdhetarë kudo që ndodheni.
Ajo që ka ndodhur sot në rezidencën qeveritare në Dhërmi është një nga skandalet më të mëdha të historisë së Shqipërisë dhe një abuzim që kërkon doemos ndëshkimin më të egër ligjor. 
Edi Rama ka çuar për orgjira në vilën qeveritare në Dhërmi dy punonjëse të Shërbimit qeveritar, të cilat as më shumë e as më pak kanë shkelur kushtetutën e këtij vendi dhe gjithë ligjet themelore të tij, pasi kanë prekur me dorën e tyre dhe pastaj me të pasmet e tyre, vendin ku ka ndenjur kryeministri i vendit dhe Presidenti i Republikës. 
Ky është një uzurpim i pashembullt, një fyerje e Republikës dhe një përdhunim i autoritetit të shtetit.
Këtu në celular kam dhe një mesazh nga një punonjëse demokrate e shërbimit qeveritar, që është gati të dëshmoj se ato kanë përdorur dhe tualetet e vilës qeveritare, duke urinuar aty ku urinon Presidenti i vendit dhe kryeministri i vendit.
Nëse kjo vërtetohet, ky skandal do të jetë fundi i kësaj qeverie.

Populli shqiptar nuk mund të pranojë poshtërime të tilla dhe do t’i tregoj vendin uzurpatorëve të dyshes Rama-Meta, që duan të përdhosin dhe vendet simbol të shtetit, ku janë marrë vendime të mëdha për të ardhmen e vendit. Ju kujtoj se në atë vend, shqiptarët kanë mësuar lajmin e madh që kryeministri i tyre gëzonte shëndet të plotë, kur gojët e liga shpifnin se isha i sëmurë. Po në atë vilë është marrë vendimi i madh që Aldo Bumçi mund të rrinte kryetar i PD-së së Tiranës sa të donte se nuk prishte punë, si dhe vendimi për arroret dhe pjeshkët që duhen mbjellë në gjithë vendin, frymëzuar nga një shitës i vogël që na ofronte pjeshkë tek vila.
Kjo që ka ndodhur me Vilën qeveritare si dhe përdhosja, që dy femrat e administratës së Edi Ramës i kanë bërë historisë dhe imazhit të shtetit shqiptar, nuk do t’i tolerojmë kurrë.

Partia Demokratike do të propozojë ngritjen e një Komisioni Hetimor parlamentar, ku të hetohet deri në detaje, nëse ato dy femra kanë cënuar simbolet e Republikës duke shkuar të urinojnë në banjat e vilës, nëse kanë prekur me dorë sendet e kuzhinës së kryeministrit dhe akoma më keq nëse ato janë shtrirë të flenë në krevatet e vilës. Për të gjitha këto, një ditë kjo qeveri do të përgjigjet deri më 1.

Një qeveri që lë Presidentin dhe ish- kryeministrin rrugëve dhe hap vilat qeveritare për punonjëset e zakonshme të shtetit është junta më e egër që ka kërcënuar ndonjëherë këtë vend, pasi vendos institucionet më të larta të vendit nën pushtetin e lakuriqësisë së tyre. Ne do fitojmë. Përpara!”

3 komente në “Reagimi i Doktorit për Vilën në Dhërmi me rastin e përvjetorit rekordeve”

  1. koco says:

    Po turp i madh , si ka mundesi qe ky monster nuk le hale pa futur pune , vetem te intrigoje te krijoje konflikte e maskaralleqe , mjer ata qe e kane ne canak kete gjarper te zi ,kete njeri te lindur per pune te zeza.

  2. peço says:

    O shoku Koço! Është rubrikë humori,është thjeshtë shaka dhe nuk arsye të thuhen gjithë ato që ti nxjerr nga goja. Por duket, humori nuk është ushqim për stomakun tënd, i mësuar ndoshta me tagji dhe byk të kalbur.

  3. Korcari says:

    Dava shpellaresh nga vicidoli.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje