Kunati heton për kurthin me rrugën “Edi Rama”

31 Gusht 2015, 19:12Antena TEMA

Kunati ka qenë në siklet për 24 orë. Zeni e pat njoftuar dy ditë më parë se çunat e tij kanë zbuluar se në Surrel ka një rrugë me emrin Edi Rama.

-Po shikoja për një tokë që kam aty, sapo kalon Linzën, – i tha Zeni dhe duke afruar pamjen në Google mu shfaq rruga Edi Rama. Di gjë ti kur ia ka vënë emrin kësaj rruge?

-Nuk e di, – tha Kunati, por nuk besoj të jetë e vërtetë.

-E vërtetë është, – i tha Zeni. E kemi me fakte.

Pas tij e mori Kaçi.

-Kur mund t’ia ketë vënë rrugës këtë emrin ky idioti? – tha Kaçi.

-Nuk e di, – i tha Kunati, por duhet me pas kudjes se ndoshta nuk është e vërtetë.

Por as Kaçi nuk e pyeti. Më në fund ia plasi dhe Doktori.

Ndërkohë që zhurma po bëhej e madhe, Luli merr i trembur Kunatin.

-Si t’ia bëjmë? Të reagojmë dhe ne për këtë rrugën?

-Mos të nxitohemi, – i tha Kunati se nuk më duket e vërtetë.

-Puna është se po nuk folëm do na akuzojnë, – tha Luli.

-Presim dhe një ditë, pastaj, – tha Kunati.

Sot, ndërkohë Bashkia sqaroi se nuk ka asnjë rrugë me këtë emër.

Filloi prap alarmi i telefonatave.

I pari Zeni.

-Si ka mundësi, ne kemi fakte? – tha. Ia kemi emrin në Google.

-Nuk e di, – tha Kunati. Do interesohem.

Pastaj mori Kaçi. Ishte i dëshpëruar.

-Na kanë bërë rreng, – tha. Dikush ka manipuluar Google, të tallen me ne. E kanë bërë kastile. Do kenë paguar miliona vetëm të na gënjejnë.

-Me siguri, – tha Kunati. Do nxjerrim Ennon me dy n të reagojë. Dhe u ul i bëri gati tekstin.

“Edi Rama ka bërë një gjest të pashembullt korruptiv, i cili do të hyj në histori. Vëllai i Erion Velisë që ka një studio grafike, ka marrë miliona euro nga qeveria për të manipuluar Google që të vendosë në të rrugën Edi Rama. Ky veprim ka pasur si synim të tallet dhe me opozitën dhe njëkohësisht të lërë emrin në hartë pasi është delirant i sëmurë.

Partia Demokratike dënon ashpër milionat e harxhuara për këtë delirant dhe do t’i kërkojë Prokurorisë të nisë hetimet kush ka ndërhyrë në sistemin e Google. Krimi në këtë vend po merr përmasa të mëdha çdo ditë, duke arritur kulmin me këtë skandal.”

Genc Ruli që dëgjoi deklaratën e Ennos mori i gëzuar Lulin.

-Po ç’keni që reagoni ndaj kësaj harte mor djalë? – i tha. Nuk thua shqyryr që paske mundësi ta vësh emrin në një rrugë, se do vdesim e s’do na kujtoj njeri. Pyeta këtë djalin që kam pas në punë, më tha bëhet për 1 minutë pa lekë.

1 komente në “Kunati heton për kurthin me rrugën “Edi Rama””

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje