Kunati i shqetësuar nga sulmi i Supermbesës ndaj Gretës

26 Tetor 2015, 21:09Antena TEMA

Sulmi që Supermbesa i bëri Gretës e gjeti në befasi Kunatin. Edhe pse ajo ishte e përzgjedhura e Lulit për Forumin Rinor, tani pasi sulmit të Supermbesës, situata u komplikua.

Reziku i parë ishte që ndaj Gretës të fillonte revanshi nga shoqëria. Kjo nënkuptonte shumë telashe për të. E para, do t’i zbulonin ditëlindjen e vërtetë dhe kjo do ishte një dramë e madhe. E dyta, do rifillonin hetimet për aksidentin që ajo pësoi në Mamurras, kur ishte duke ikur nga Tirana për Vlorë. E treta, nuk do t’i fliste më as Flamuri.

Të gjitha këto telashe do t’i vinin nga fakti se do kuptohej që Familja nuk e donte më.

Rreziku i dytë ishte revanshi brenda PD. Shumë vajza dhe funksionare të PD kanë qenë të bezdisura prej modelit të saj dhe konkurrencës që u bënte. Por, ishin rezervuar në sulmet ndaj saj, ngaqë ishte hapur fjalë se e donte Doktori. Tani që u zbulua armiqësia e Supermbesës, duket që e paska dashur vetëm Flamuri dhe e gjitha ka qenë mashtrim.

Rreziku i tretë do ishte dhe më i madh, dhe kjo mund të rrezikonte seriozisht dhe Lulin. Edhe pse Supermbesa e ka sulmuar, Greta mund të fitonte votat e të rinjve në FRPD dhe pastaj do të dukej sikur FRPD ishte kundër Doktorit. Këtu pastaj fillonte telashi i ri.

-Mirë që FRPD është kundër Doktorit, por me kë është?

Po të nënkuptohej Luli, do ishte një telash i madh. Kunati po ashtu nuk ishte gati ta merrte përsipër. Jozefina jo e jo, se nuk e ka duruar dot asnjëherë. Atëhere puna do komplikohej më shumë.

E vetmja rrugë ishte të thërriste Gretën dhe t’i kërkonte të tërhiqej vetë pas këtij sulmi.

Dhe kështu bëri.

E thirri Gretën në zyrë.

-Kam një bisedë të sikletshme, i tha Kunati.

-Mos ke ndërmend të më pyesësh sa vjeç jam, i tha ajo gjithë kuriozitet?

-Jo, i tha Kunati. Tani nuk ka më rëndësi. Mendoj të mos kandidosh për Forumin Rinor.

-Po pse, i tha Greta? Unë jam idhulli i rinisë demokrate.

-Po pra, i tha Kunati, por e kemi në statut që në këtë parti vetëm njëri duhet të jetë idhull.

-Dakord, do tërhiqem, tha Greta, por Supermbesa të tërheqë akuzat për silikon.

-Këtë do përpiqem t’ia them, tha Kunati, por besoj që bien akuzat bashkë me kandidaturën.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje