Sipas planit operativ të marrë, sot kryem përgjimin fizik.
Nga vrojtimet nga larg, ai nuk u shfaq në verandë se binte shi. Kur doli nga shtëpia, hyri direkt e në veturë. Tek Presidenca, policia bllokoi trafikun derisa u fut makina në oborr dhe e çoi deri tek ashensori.
Në orën 10:00 roja i tij doli jashtë Presidencës. E ndoqëm nga pas dhe shkoi tek një byrektore në Bllok. Bleu tre byrekë dhe një kos. Pastaj bleu dhe një kos dhe një byrek dhe i provoi vetë, dhe i hodhi në një kosh. Me siguri i ka pas për Atë, ndaj i provoi.
Rrugës bleu dhe ca hide dhe një misër të pjekur.
Ora 13:00: Ata kanë kërkuar një hidraulik për banjën. Kontaktuam me kompaninë dhe ndërruam hidraulikun, futëm njeriun tonë. Shkoi tek banja ku ishte problemi. Kutia e letrës higjenike ishte vendosur pak larg dhe duhet të ngriheshe për ta arritur. E donin pak më afër. Ai bëri sikur nuk kishte vegla për këtë dhe tha do shkoj t’i marr e do vij prapë. La një mikrofon tek cepi i abazhurit të regjistrojë.
Gjatë vrojtimit fizik në korridore kishte parë një parukiere që la takim me sekretaren, t’i thoshte gruas së Atij që në orën 16:00 mbasdite, kur të flinte shefi, të shkonte tek shtëpia të bënte flokët.
Ora 13:30: Gruaja e tij dërgoi në hipotekë një nga rojet të aplikonte për të marrë një dokument të freskët të një toke në Durrës.
Ora 14:00: Ai doli nga Presidenca dhe u nis për shtëpi. Nuk jemi të sigurtë çfarë ka për drekë. Një nga rojet që bën pazarin bleu dhe fasule, dhe patate, dhe lakër të bardhë, dhe mish. Mund të ketë bërë ose lakra me mish dhe patate, ose fasule, ngaqë u prish koha.
Ora 16:00: Parukieria hyri tek vila. Zonja e priti tek veranda. Ai me siguri fle në këtë orë.
Ora 18:00: Parukieria doli nga shtëpia. Ishte e qeshur dhe kishte marrë me vete dhe pak bakllava. E kuptuam se po e mbante në dorë, mos të pikonte.
Ora 18:30: Ai doli në verandë. Mikrofoni ynë kapi bisedën e tij.
-Po bikërka shumë shi!
-Po, i tha roja. Ka tre orë që nuk pushon.
-Shiu bën dëme të mëdha, tha ai, por kjo qeveri e meriton t’i vijë hakut.
-Ah, shef sikur të ketë të bjerë vetëm tek Kryeministria, t’i mbysë krejt, i tha ushtari. Ai qeshi pak dhe vazhdoi.
-Mos ki merak se po bie në jug, ua shkatërroi elektoratin.
– Të lumtë goja shef, u dëgjua ushtari.
– A fut ujë ajo pelerina jote, u dëgjua ai.
-Jo shef, janë të mira këto, janë nga të NATO-s, nuk fusin ujë.
-Kur isha begs mora njëherë një pelerinë tepër dhe ia dhashë babait ta kishte për shi. I kishte futur ujë dhe ishte bërë qull kur erdhi. Që atëherë u bind që komunizmi duhej rrëzuar, por nuk ma ka thënë kurrë. Pas 90-ës ma tha. Nga ajo pelerinë e kam gjithë inatin, më tha. As pelerina nuk kishte, merre me mend. Dhe këta duan të na kthejnë prapë në atë kohë.
-Si do na kthejnë shef, do na ndërrojnë pelerinat?
-Të gjitha duan të na i ndërrojnë. Ja mua më kanë çuar fuksa nga pas. Në çdo zyrë shteti ka njerëz, që po shkoi dikush nga shtëpia ime raporton. Dje p.sh, kishte shkuar vëllai për të marrë një vërtetim tek tatimet dhe kishte dëgjuar rojen tek dera që raportonte “Erdhi, erdhi” thoshte, lajmëro bazën.
-Dhe mua më ka ndodhur kjo shef, i tha roja. Dje kur po bleja një misër të pjekur më tha ai shitësi “për shefin e do?”
-Jo, i thashë, për vete. Por kjo është shenjë që kanë vënë roje dhe këta shitësat e misrit.
-Me siguri, i tha ai, dhe u fut brenda. Ia tregoj unë qejfin atij Tik Llallës. Ka për ta paguar që nuk vepron.
Gjatë orëve të mbrëmjes nuk ka pasur lëvizje. Nga dhoma e televizorit drita ishte hapur derisa mbaroi Bidai tek Klani. Pastaj u fik.
Mero lere rehat te gjorin sepse gjysem njeriu eshte