Kunati përgatit sulmin për humbjen e Kombëtares

10 Tetor 2015, 20:41Antena TEMA

Pas humbjes së ekipit kombëtar me Serbinë, Kunati vendosi të nisë një fushatë kundër qeverisë lidhur me humbjen, duke ia faturuar asaj. Në përpjekje për të konsultuar tezat që duhet të përdoreshin, Kunati mori opinionet e disa prej drejtuesve kryesorë të PD-së.

Sali Berisha: Unë mendoj se humbja ishte një skenar i Ramës me Vuçiç. Ky i fundit, i ka kërkuar Ramës arrestimin e Ballist Morinës, si simbol i shqiptarizmit dhe Rama e ka bërë me qejf, pasi është i tmerruar nga emri ballist. Plani Rama-Vuçiç synon poshtërimin e kombit shqiptar dhe dekorimin e Edi Ramës në Serbi, siç ka dekoruar Tito, Enver Hoxhën pasi shpartalloi liderët nacionalistë kosovarë deri në vitin 1947.

Jozefina Topalli: Unë mendoj se neshja asht shit, por ky qyqari ynë, Luli, s’guxon me hap gojën, se e kan peng si vllezrit e Vuçiçit, ashtu dhe vllezrit e Ramës.

Ed Halimi: Unë mendoj se ka një pazar dhe me këtë ndeshje kanë bërë lekë. Unë mendoj se dhe ne duhet të nxjerrim përgjegjësitë tona, që nuk e morëm vesh në kohë skedinën fituese.

Ben Ristani: Kjo që ndodhi nuk më falet. Kishte një javë një çun i lagjes që më thoshte se një çun nga Mamurrasi, që ka shok një djalë nga Laçi, i kishte thënë një çun nga Durrësi që ka një kushëri në Shijak, që ndeshja del 2 me 0 për Serbinë. Si s’e vura atë dreq basti, do kishim kap ndonjë lekë në opozitë të paktën.

Aldo Bumçi: Edi Rama thotë se kemi fituar, por unë e di që ai gënjen, se unë e pashë me sytë e mi që humbëm.

Lulzim Basha: Partia Demokratike do nisë një fushatë të paparë politike kundër deklaratës së Edi Ramës, që ne kemi marrë trepikëshin e publikut në këtë ndeshje. Nga gjithë verifikimet tona, ky trepiksh nuk ekziston dhe deklarata e Ramës është hi syve ndaj popullit shqiptar, të cilit po i soset durimi dhe do shpërthejë së shpejti. Gënjeshtra e Edi Ramës sot është më publike se kurrë dhe ai është sot njeriu më i damkosur me këtë që ka ndodhur. Ne nuk do ta tolerojmë më.

Genc Ruli: Po ç’tu them unë, djalo. T’u them që kemi fituar nuk do më besoni, se ju as Lulin nuk e besoni kur thotë kemi fituar 16 me 45 në zgjedhjet lokale. T’iu them që kemi humbur, prapë nuk do më besoni, se ju të gjithë jeni aq të lumtur që kemi humbur, sa s’di ç’të them.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje