Më në fund u ra dakord për draftin e ligjit për dekriminalizimin dhe kërkesa për testin e drogës nuk u përfshi. Pas kësaj pati shumë reaksion brenda PD dhe Kunatin e bombarduan me një sërë komentesh. I pari që reagoi ishte Strazua.
Strazua: Kjo që bëtë sot ishte një thikë pas shpine ndaj PD dhe meje personalisht. Më premtuat se pas asaj që ndodhi, do ti shkonit deri në fund testit të drogës, ndërsa tërheqja tregon se më keni prerë në besë.
Kunati: Bashkë e kishim kontratën për ata që rrahin, jo për ata që pijnë drogë. Ata nuk të bien më qafë.
Ristani: Bëtë mirë që e hoqët këtë testin e drogës, se me këto laboratorët e Beqajt, dhe me raki koçimarreje të nxjerrin sikur ke pirë hashash.
Kunati: Unë e di, po mbushi mendjen Strazos.
Paloka: Po pthe u tërhoqët kështu pa na njoftuar? Unë po u mburresha çunave tek lagjia që e kam unë këtë punë në dorë. Tani dola si legen.
Kunati: Të kam thënë mos u nxito t’u mburresh çunave vend e pa vend. Vetëm lajmëroi kur del në televizor të të shikojnë, atë e ke të sigurtë.
Halimi: Duhet të gjejmë një justifikim se unë kam dalë shumë keq, pasi kam kaq kohë që e mbroj.
Kunati: Do themi që është sezon gripi dhe analizat e urinës dalin keq për të gjithë.
Ruli: Keni bërë një hap serioz dhe keni marrë një vendim të pjekur. Droga është një mjet ndihmës për njerëz me probleme dhe ju e dini që Doktori ynë ka kaluar tallaze të mëdha. Nuk kishte kuptim të turpërohej në pleqëri. Me këtë akt, Luli tregoi dhe njëherë që e ndjen dhe çfarë lëvrin në gjakun e Doktorit.
Kunati: Faleminderit. Ti je njeri me përvojë dhe e di më mirë situatën. Vetëm duam një gjetje si ta justifikojmë.
Ruli: Është e thjeshtë fare. Edi Rama me një tender korruptiv, ja ka besuar Check up-in mjekësor një kompanie, distribucionin e të cilës e bën Vilma Nushi, e cila më parë në ato furgona ka shpërndarë cigare dhe drogë. Me çfarë garancie do transportohen analizat tona në ata furgonë? Ky është dhe një akt tjetër i qëllimshëm i Edi Ramës kundër testit të drogës.
Kunati: Ua, më shpëtove se ka marrë tre herë Doktori që më thotë duhet të gjejmë një justifikim.