Sot në mëngjes policia njoftoi për një alarm për bombë tek xhamia e Tiranës, afër Bashkisë, pasi një çantë e vetmuar ishte lënë në mes të rrugës. Policia rrethoi vendin dhe lajmi u shpërnda me shpejtësi.
Kryebashkiaku Veliaj po i dërgonte vazhdimisht sms, Edi Ramës për ngjarjen, por nuk po merrte përgjigje. Pasi kaluan disa minuta dhe ai nuk po përgjigjej, e mori në telefon, por ai ja mbylli sërisht.
-Të lutem se është urgjente, i tha, duhet të bëjmë diçka, se mund të bëhet hataja.
-Prit se po bëj një vizatim ku të kombinoj tri ngjyrat franceze me dy ngjyrat tona, që të ndriçojmë Bashkinë pas shpërthimit, i tha ai.
Kryeparlamentari Ilir Meta mësoi për lajmin ndërsa po bëhej gati të nisej për zyrën e tij në parlament, por nuk e prishi qetësinë.
-Nuk besoj se është ndonjë gjë serioze, tha, se s’ka njeri lekë të paguajë për atentate në Tiranë.
Kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha u njoftua ndërsa po hante mëngjes në shtëpi, se ishte çuar vonë nga gjumi.
Sapo mori vesh vendin ku ishte vënë, i alarmuar mori Kunatin.
-Ata mendojnë se ne jemi ende në Bashki dhe duan të na vrasin, i tha. Duhet të marrim masa të ruhemi.
-Mos u shqetëso, i tha Kunati. Më shumë leverdi kemi të hapet llafi që jemi ende në Bashki, se kapim ndonjë lek, se sa të ruhemi nga ata budallenjtë.
Ndërsa Doktori sapo mësoi për lajmin, mori në telefon Zenin.
-Pa pyet një herë ata djemtë e “Rrugës Kavajës”, seriozisht kanë vënë bombë ata, tha?
-Nuk besoj, tha Zeni. Unë dhe i madhi s’dimë gjë. Vetëm po ta kenë bë me kokë të tyre.
Kaq mjaftoi dhe Doktori bëri deklaratën i pari.
-Bomba është një kërcënim i Saimir Tahirit ndaj Erion Velisë. Ata duan të ngjallin terror në popull, dhe të duken si të kërcënuar. Pasi Erion Veliaj i dërgoi mesazh nga kompjuteri i tij i Mjaftit, në emër të “Brigadave të Kuqe”, Saimir Tahirit, ky i fundit ja ktheu me një pako me dinamit tek dera e Bashkisë. Populli shqiptar duhet të ngrihet t’i shporrë këta kriminelë….
Në fund reagoi dhe policia. Ajo njoftoi se kishte gjetur një çantë me kanaçe metalike para derës së bashkisë, pasi personi që e ka harruar kërkonte Kunatin, se ka disa muaj që nuk u ka dhënë rrogën romëve që mbledhin kanaçe. Policia thotë se “e sqaruam qytetarin, që Kunati nuk punon më në Bashki”.
Mos beni humor me tragjedine.
Keni prekur fundin me te tilla rubrika idiote
Idiot je ti.