Ngjarjet që tronditën javën

20 Dhjetor 2015, 19:55Antena TEMA

Tek dyqani i Arminës ka ardhur furnzimi i ri, por njoftimi do të shtyhet pas ditës së hënë, me qëllim që protestuesit e PD të mos kalojnë nga dyqani dhe të kërkojnë shpërblimin për mitingun në klering, duke marrë të brendshme të shtrenjta.

Ka pasur shumë komente rreth rënies së protestës së PD dhe në fund, vendimi që protesta e së hënës të jetë një show i humoristit Jul Deda. Ruli tha se “nuk shikoj asgjë shqetësuse në këtë zhvillim. Duam ta mbyllim me shaka, se nuk e kishim seriozisht”, tha ai.

Majlinda Bregu ka dashur t’i marrë hakun Taulant Ballës, që u tall me Doktorin duke i dërguar sms kundër vetes së vet, për një parcelë droge ne Librazhd. Dhe Majlinda nën këtë shembull, postoi një foto me çizme të shtrenjta me gur zvarovski ditën e protestës së PD. Por në vend që ta hanin mediat pro qeverisë, duket se e hëngri Fevzo, i cili nuk lejon që në qytet, të veshë njeri rroba firmato pa u konsultuar me të. Por, gafa zbuloi jo vetëm nxitimin e Fevzos, por dhe faktin që si ka të fiksuara këmbët e Majlindës, se ndryshe do ta kishte kuptuar që ishte foto modeleje.

Shyqyri Çoku, një personazh i errët i Sigurimit të Shtetit, u mat të shpjegonte këtë javë që nuk kishte torturuar At Zef Pllumbin, por vetëm kishte bërë detyrën. Pas kësaj, të gjithë filluan ta akuzonin për mashtrues. Në fakt, ai tha të vërtetën, pasi siç dihet, detyra e Sigurimit të Shtetit ka qenë pikërisht tortura e kundërshtarëve politikë.

At Zef Pllumbi konfirmon nga bota tjetër, se ka marrë letrën e Fevzos, që i kërkon falje për dekorimin e Shyqyri Çokut. Pasi është njoftuar për këtë letër publike, është shprehur i gatshëm t’i ripërballojë dhe një herë gjithë torturat e Sigurimit të Shtetit, biles të shkojë dhe në ferr, vetëm që Fevzo të mos shkruajë biografinë e tij. Atë nuk e përballon dot.

Koordinatorja për Marrëdhëniet Seksuale në PD, ka tronditur PD gjatë kësaj jave me kërkesën e saj për të ndaluar dashurinë me armikun. Pas kësaj, PD i ka kërkuar qeverisë që në listën e “Check up” falas, të shtohet dhe analiza e AND, të marrin vesh me kë i kanë fëmijët.

Sulmi i ambasadorit Lu kundër gjyqtarëve dhe politikanëve me ora të shtrenjta, ka ngjallur interes të madh në Laç, ku shumë të rinj me përvojë në vjedhjen e sendeve me vlerë në vilat italiane, po shikojnë mundësinë ta lënë atë punë dhe t’u blejnë lirë orët gjyqtarëve tanë. Kjo mund të jetë biznes i mirë në të ardhmen, pasi janë dhe orë origjinale dhe të blera sipas rregullave.

2 komente në “Ngjarjet që tronditën javën”

  1. BenTirona says:

    Te gjitha ngjarjet ne humorin e tyre te bukura, por me e bukur ajo e Jul Dedes humori brenda humorit….te lumte Mero!

  2. Ada says:

    Aman sa te lodhur

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje