Ditari i Megi Pjeshkës: Fatmir Xhafaj devijoi rrugën se nuk ja mbante të kalonte mbi mua

24 Mars 2017, 20:31Antena TEMA

Sot ishim përgatitur për luftë.

Meqë Luli mungonte dhe meqë kishte premtuar se Fatmir Xhafaj do kalonte mbi trupin e tij për në zyrë, vendosëm që “Rambot e demokracisë” t’i dilnin zot çadrës.

Shoku im më prezantoi më Rambot e Laçit.

-Ky është Zefi prej Mirdite, është aratis nga burgu i Ankonës, më tha për një djalë trupëgjatë. Ky din vetë qka i bën këtij Gjafës.

-Ky është Frani prej Mamurrsi. Ky është në kërkim prej tre vitesh dhe don veq me e pa ni herë Gjafën, e nuk e harron kurrë.

-Ky është Gjoni prej Fush Kruje, ky është specialist numër 1 për dinamit poshtë makine.

Grupi i “Rambove” ishte goxha i madh dhe i përshëndeta, duke mos e lejuar shokun tim nga Laçi të mi prezantonte një nga një.

-Cfarë do bëjmë, u thashë? Kryetari nuk është këtu, është në SHBA t’ua përplasë në fytyrë atyre atje. Ndërkohë u kemi premtuar shqiptarëve që Xhafaj do kalojë mbi trupat tanë.

-E kam unë një propozim, tha Strazo. Rambot të ulen këmbëkryq para çadrës në drejtimin nga ana e Kryeministrisë. Në rreshtin e dytë duhet të ulen femra. Unë dhe Flamuri po rrijmë nga hyrja e anës së Lanës, nëse ndodh gjë.

Ashtu bëmë.

Rambot u ulën të parët, unë me disa shoqe pas tyre, Muli me Strazon pas nesh.

Makinat u panë duke dalë nga Presidenca.

-Bujar Nishani ka tradhtu, u dëgjua një zë nga Rambot.

-S’ka qa ban, është i detyrum, tha një tjetër.

-Bujar Nishani ka tradhtu, u hodh një Rambo tjetër. Nuk bën me e qit atë firmë, ka tradhtu.

Ndërkohë, makinat afroheshin dhe devijuan për në Kryeministri. Ne vazhdonim prisnim. Ankthi kishte pushtuar fytyrat tona. Rambot kërcisnin dhëmbët dhe shtrëngonin duart në xhepa.

Pas gjysmë ore u pa Fatmir Xhafaj vetëm.

Me një dosje nën sqetull ai u afrua tek çadra, por qëndroi nga ana e Piramidës.

Eci dhe nuk e ktheu kokën nga çadra.

Ne po e ndiqnim gjithë ankth.

Ai ecte, ne ruanim, ai ecte, ne ruanim…

E kaloi urën e Lanës, pastaj semaforin, pastaj para hotel “Dajtit”….

-Fitore, bërtiti Strazo. Nuk guxoi të kalonte mbi trupat tanë. Kështu do përfundojnë gjithë ata që duan të përballen me ne.

Rambot po shikonin njëri- tjetrin.

-Fituam vërtet , tha ai që ishte në krye të rreshtit të parë nga ana e Piramidës?

-Fituam, i tha Strazo. Krimineli Fatmir Xhafaj nuk guxoi të kalonte përmbi trupat tanë.

-Po ti fol mor burrë, tha Rambo. Unë mendova se na kini thirrë për luftë, ju na paski thirrë për dordolecë me tremb dynjanë.

-Kjo është fitore, tha Strazo. Do njoftoj Lulin në SHBA.

Dhe mori Lulin në telefon.

Ja shpjegoi gjithë situatën dhe si ishte trembur Fatmir Xhafaj, dhe nuk ja kishte mbajtur të kalonte në çadër t’i takonte.

-Bravo, u tha Luli. Dhe unë i tremba keq këta amerikanët këtu. E kisha nda mendjen keq kësaj radhe dhe  e nuhatën. Asnjërit nuk ja mbajti të më takonte.

-Fitore, bërtiti prapë Strazo.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje