Kunati, një mesazh falenderimi për punonjësit e votimeve

22 Korrik 2017, 20:55Antena TEMA

Kunati ka sot një mesazh të fortë falenderimi për punonjësit e votimeve të Lulit në PD.

“Të dashur demokratë dhe ju punonjës të votimeve, ditën e sotme!

Votimi i sotëm tregon në radhë të parë vendosmërinë e Lulit për të qenë gjithnjë pranë jush dhe për t’iu ndihmuar në vendimet tuaja.

Unë e di që për ju sot ka qenë një ditë e vështirë. Shumë armiq të PD, kishin bërë thirrje që ju të mos dilnit nga shtëpia, ta bojkotonit procesin dhe ta injoronit ditën e votimit.

Luli ma shprehu qysh dje këtë shqetësim dhe i thashë se do t’i marr vetë të gjitha masat. Nuk kam për t’i braktisur sot demokratët, më tha.

Dhe ashtu bëra.

Sot qysh në mëngjes, mora masat që çdokush nga ju, që përtonte të vinte të votonte, apo ishte i frikësuar nga armiqtë e partisë, të mos ndjehej i papërfaqësuar. Stukturat e mija, morën të gjitha masat që vota juaj të shkonte në vendin e duhur.

Kam parë sot demokratë sypatrembur dhe të fortë, të palodhur dhe të padorëzueshëm, që kanë bredhur qendër më qendër, për të hedhur votat tuaja që mungonin. Ka pasur demokratë që kanë votuar në pesë qendra, në shtatë, e deri në dhjetë qendra, dhe nuk janë ankuar për parregullsi në asnjë prej tyre. Në çdo vend ku kanë shkuar çdo gjë ka kaluar pa asnjë incident, sipas porosive që kam dhënë.

Është  hera e parë në PD, që nuk ndodh asnjë sherr në qendër votimi, ku askush nuk i kërkon askujt kartën e identitetit, se jemi të gjithë vëllezër dhe na bashkon një ideal. Biles, as Doktorit nuk ja kërkuan kartën, që është njeri i rregullt.

Sot demokratët dhe qëndrestarët e vërtetë, dëshmuan se janë të gatshëm të bëjnë sakrifica pa fund për PD dhe Lulin në krye të saj.

Luli më merrte gjatë gjithë ditës, i shqetësuar, se si po ecte procesi dhe a ishit të mëriztur që nuk dilnit dot nga shtëpia.

I thoshja me këta demokratë që kemi, nuk vdesim kurrë. Në drekë ai u qetësua. Shkoi hëngri drekë tek “Poçeria e vjetër” në Kavajë, u kthye fjeti tek vila në “Laguna Blu” dhe vetëm kur u sigurua që procesi përfundoi, doli shtetitje me rroba banje për të përshëndetur demokratët që jetojnë tek vilat tek “Laguna Blu”.

Ai u është mirënjohës atyre demokratëve që prishën ditën e tyre sot, për të zëvendësuar mijëra demokratë që nuk mund të dilnin nga shtëpitë e tyre, për arsye personale dhe për t’i zëvendësuar ata denjësisht në qendrat e votimit.

Nuk do t’ua harroj kurrë këtë sakrificë. Ju jeni punonjësit më të mirë të votimeve që kam pasur.

Mirupafshim pas katër vjetësh”.

 

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje