Kunati shpjegon votimin disa herë të demokratëve

23 Korrik 2017, 20:20Antena TEMA

Kanë shpërthyer shumë debate onlinë mbi procesin e votimit në PD, ku në kamera shikohen demokratë që votojnë nga tre katër herë me qetësi. Sipas vëzhguesve Basha ka rritur fiktivisht rreth tre herë numrin e votuesve, nga 22 për qind që është realisht në rreth 65 për qind.

Por Kunati ka një shpjegim për këtë.

“Të nderuar demokratë.

I pashë dhe unë ato videot ku demokratët votojnë disa herë në qendër të votimit. Në fakt e vërteta nuk është ashtu siç duket.

Duke qenë ditë pushimi, e shtuna ka qenë një ditë e vështirë për dhjetra demokratë të shkojnë tek kutia e votimit dhe ata kanë deleguar votën tek shoku i tyre, apo njeriu i familjes. Pra askush që ka votuar disa here, nuk ka votuar për veten e vet. Ai ka votuar për ata që nuk ishin aty fizikisht, por janë me shpirt dhe zemër me Lulin pranë kutisë së votimit. Ne nuk mund t’i linim të papërfaqësuar ata njerëz. Ndaj dhe votimi në emër të tyre, është legjitim dhe është një përfaqësim dinjitoz kapilar i demokratëve, kudo që gjenden, pavarësisht se nuk ishin pranë kutive të votimit.

Së dyti deshëm që në këto zgjedhje të mos na përsëritej historia e zgjedhjeve në Bashkinë e Tiranës, që në fund të numurimit të kërkonim fletë votimi jashtë kutisë. Që të ishim të sigurtë, se votat duhet të ishin brenda kutisë, i porositëm demokratët të siguroheshin mirë që e kishin futur fletën e votimit dhe për këtë ata kanë shkuar disa herë pranë kutisë votimit, për të provuar a ishte fleta e tyre brenda kutisë.

Së treti mendoj se shumë demokratë që votuan tre katër herë nxorën mllefin ndaj qeverisë së Edi Ramës, e cila më 25 Qershor, nuk i lejoi të votonte, por u tha rrini në shtëpi. Më 22 Korrik ata dolën të lirë nga shtëpitë e tyre dhe të vendosur të votonin një herë për Lulin, një herë kundër Ramës, një herë kundër Metës dhe ndonjëri në Vlorë dhe një herë kundër Shpëtm Idrizit. Pra është një votë hakmarrjeje, ku demokratët nxorën dufin e tyre, ndaj mungesës së lirisë për të votuar sa herë të donin më 25 Qershor.

Ndaj ata skena, jo vetëm që nuk duhet të gjykohen, por duhet të vlerësohen si një shans që u është dhënë gjithë demokratëve të ushtrojnë të drejtën e votes, sa herë të duan. Kjo është demokracia për të cilën po luftojmë.

I juaji Kunati”.

 

2 komente në “Kunati shpjegon votimin disa herë të demokratëve”

  1. Arber Iliri says:

    Ishte si stervitje me thene se si mund te votosh disa here, s’ka ndon je gje, Lul(hollandisht) urime per fitoren, na tregove si behen zgjedhjet e lira qe kerkoje ne cader.Nga ty duhet te marrin shembull te gjithe te medhenj e te vegjel ne mbare boten, po eklipson edhe Saliun.

  2. Peço says:

    Kunati ka përgjegjësi të madhe, që nuk kishte prodhuar aq fletë votimi sa duhej. Janë me mijra demokratë që donin të votonin por nuk kishte më fletë votimi. Herën tjetër të prodhohen fletë votimi shumë më tepër sepse ndryshe nuk mund të përballohet dashuria si vullkan e demokratëve për Bashën.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje