Kunati proteston ashpër: Rama po na vjedh opozitën

27 Korrik 2017, 20:17Antena TEMA

Pas daljeve të fundit të Ramës dhe takimit të sotëm me drejtorët e hipotekave, Kunati ka bërë një deklaratë të ashpër ku akuzon Edi Ramën si hajdutin më të madh të opozitës.

“Të nderuar demokratë!

Edi Rama ka bërë sot një akt të paprecedent kundër demokracisë dhe shtetit ligjor në vend.

Ai ka mbledhur gjithë drejtorët e hipotekave të Shqipërisë dhe u ka kërkuar dorëheqje, pasi sipas tij kanë torturuar njerëzit.

Ky akt i pacipë i Edi Ramës  në fakt nuk drejtohet kundër drejtorëve, pasi ata janë njerëz të Edi Ramës dhe ai do t’i rregullojë përsëri.

Ky akt drejtohet kundër opozitës, pasi Edi Rama kërkon të vjedhë misionin e opozitës, duke e përvetësuar në mënyrë të paligjshme.

Ai deri tani ka bërë një sërë vjedhjesh të shëmtuara për të cilat kemi reaguar, por sot e ka mbushur kupën.

Ai e ka nisur këtë vjedhje të madhe duke shkarkuar drejtorë ALUIZNI, drejtorë ujësjellsash, dhe tani dhe gjithë drejtorët e hipotekave.

Dua t’i them kryeministrit Rama, se ky akt synon të paralizojë opozitën dhe t’i heqë asaj të drejtën për të protestuar.

Pyes Edi Ramën: Çfarë do bëjmë ne tani?

Hipotekat i shan ti, ujësjellësat i shan ti, ALUIZNI-n e shan ti, doktorët i shan ti, mësuesit i shan ti, po ne, çfarë të shajmë ne? E vetmja gjë për të cilën nuk ke folur dhe të jemi mirënjohës janë zgjedhjet në PD.

A nuk e kupton se me këtë rrugë që ke nisur, pasi ke vjedhur milionat e shqiptarëve, po përpiqesh të vjedhësh dhe opozitën?

Të bëjmë thirrje dhe një herë, thirri mendjes dhe leri të qetë opozitarët në punë e tyre dhe vazhdo e merru me suksese dhe arritje dhe jo me kritika dhe sulme .

Në demokraci punët janë të ndara. Me të shara merremi ne. Ti duhet të merresh me punë. Ndryshe nuk do ta falim kurrë!

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje