Grigja dyshon se Çuni i Faros bën pjesë në grupin anti-Doktorit!

6 Maj 2018, 18:27Antena TEMA

Pas postimit të fundit të Çunit Faros që e krahason Faron me Pjetër Arbnorin, Grigja ka shumë pikpyetje.

Ajo fillmisht studioi biografinë e Pjetrit dhe Faros. Pjetri kishte hyrë në burg vitin që ka lindur Faro si socialdemokrat. Që këtu nisën pikëpyetjet e Grigjës. Ky Pjetri paska qenë i majtë.

Ndërkohë jeta e Pjetrit është e pakrahasueshme me vështirësitë që ka hequr Faro. Pjetri është treguar hileqar. Ai ka themeluar një parti socialdemokrate dhe ka shkuar në burg që të ishte i sigurt. Kurse Faro ka pranuar të luftojë dhëmb për dhëmb me Enver Hoxhën. Biles në strofullën e tij.

Për ta bërë më të famshme luftën e tij, ai që në rininë e hershme, u angazhua në letërsinë e realizmit socialist dhe realizoi një nga dramat më të shkëlqyera “Kyçi i Artë”.

Në qendër të dramës është një armik sabotator si Pjetri që prish një termoçift në Uzinën e Metalurgjikut me qëllim sabotimi, por uniteti i çeliktë parti-popull zbulon armikun dhe rregullon defektin.

Pas kësaj partia krijoi besim të plotë dhe e mori në gjirin e saj.

Farua u përballë me dreka dhe darka pa fund në rezidenca qeveritare sidomos në Pogradec ku udhëheqja shkonte me pushime, ndërsa Pjetri jetonte si zotni në burg, me dietë spartane, pa yndyrna dhe proteina. Më pas luftën e tij e vazhdoi në Tiranë dhëmb për dhëmb me Hekuran Isain çdo ditë, kush të hante më shumë mish dhe kush të ngrinte dolli për shokun Enver, ndërkohë që Pjetri mbante dietë me fasule në burg. Këtu Farua ka triumfuar, pasi dhe pse qe armik i shokut Enver, Hekurani nuk e kuptoi kurrë.

Për 25 vite ai ka jetuar si “gjarpëri nën gurë” për të helmuar një ditë komunizmin. Kur ndodhi përmbysja e komunizimit, Farua nuk u nxitua si komunistët e tjerë që të dilte i pari. Ai mbështeti prap partinë në zgjedhjet e para, që të sigurohej që nuk ishte lojë dhe vetëm pas zgjedhjeve të dyta më 1992, vendosi të dilte hapur kundër partisë. Por atëhere Hekurani dhe disa ish pjesëtarë të tjerë të “Bllokut” ishin arrestuar dhe nuk kishin çfarë të bënin.

Pasi i mësoi gjithë këto, Grigja ishte e çuditur, se si ky njeri që ka bërë gjithë këtë betejë me komunizmin krahasohej me një majtist si Arbnori, që për të ruajtur kokën hyri në burg dhe bënte gallatë aty.

I vetmi dyshim ishte se Farua do ketë qenë grup me Pjetrin kundër Doktorit. Ndryshe nuk ka se si djali tij ta përmendë me krenari Pjetrin, kurse Doktori e ka zhdukur nga çdo simbol i partisë.

Dhe për të qenë e sigurt,- pyeti dhe Salianjin.

-Kush ka qenë ky Pjetër Arbnori, di gjë ti?

-Më duket se ka qenë prift,- i tha Salianusi, se emrin Pjetër, zakonisht priftërinjt e vënë.

-Po me Faron çfarë e lidh?

-Do ti jetë rrëfyer Farua, se ka dashur të pagëzohet më duket,- tha Salianusi.

 

 

 

 

1 komente në “Grigja dyshon se Çuni i Faros bën pjesë në grupin anti-Doktorit!”

  1. Malo Kanina says:

    Një shkrim brilant, me finesë të jashtëzakonshme. Sidomos fjalia “…por uniteti i çeliktë parti-popull zbulon armikun dhe rregullon defektin.” është kaq e bukur sa të kënaq dhe argëton çdo qelizë të trupit. Ajo përmbledh vetëm me dy fjalë tërë godinën letrare të të ashtuquajturit realizëm socialist.
    Por të mos zgjatem, një antenë e pashëmbullt, që s’ka të dytë, impresion i gjallë për këtë Lei Fen të përjetshëm me emrin Fari Balliu.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje