Grigja shpjegon suksesin e Lulit tek darka me holandezët

8 Maj 2018, 21:17Antena TEMA

Një grup deputetësh nga Holanda ishin dje në Tiranë për të hartuar një raport mbi situatën në vend, para se të marrin vendimin për të miratuar hapjen e negociatave, në parlamentin e tyre.

Gjatë një darke zyrtare me deputetë të opozitës dhe pozitës, në mes të darkës u shfaq dhe Luli, megjithëse nuk ishte parashikuar në darkë.

Grigja dha sot shpjegime pse Luli erdhi në darkë dhe suksesin e tij.

Ja si e shpjegon ajo:

“Kur Luli hyri, brenda u vendos një qetësi e madhe në sallë.

Kryetari i delegacionit holandez u ngrit në këmbë dhe i uroi mirëseardhjen.

-Nuk mendova që ishe kthyer, i tha, se u takuam në aeroport në Amsterdam para dy ditësh.

-U ktheva, tha Luli.

Sapo mora vesh që do vinit këtu, u nisa.

Pak punë kisha në Holandë.

Hapa pak shtëpinë, e ajrosa se kisha një javë pa shkuar, vaditëm pak lulet, premë barin në oborr, paguam dhe administrimin e muajit, dhe s’kishim ndonjë punë tjetër.

Kishim dhe mbledhjen e pallatit, por lashë gruan.

-A, shumë mire, më bëhet qejfi, i tha kryedeputeti.

-E keni të lartë taksën në zonën ku banoni, e pyeti një deputet tjetër?

-Me thënë të drejtën është pak e lartë, po e krahasuar me Shqipërinë, është shumë e lartë këtu, tha Luli.

Këtu në Tiranë taksat kanë shkuar në qiell dhe njerëzit janë shumë të revoltuar.

Bashkia po rrjep qytetarët.

Në Amsterdam vërtet është pak e lartë, por ka shumë kushte të tjera të mira.

Kjo është nje arsye e fortë përse ne nuk i meritojmë negociatat.

-A keni sistem automatik ujitës për lulet në shtëpinë tuaj në Amsterdam, e pyeti një deputet tjetër?

-Po, kam një sistem, por më pëlqen t’i ujis vetë kur shkoj.

Është një kënaqësi e veçantë.

E kam pas bërë qysh i ri kur punoja kamarier.

Kisha shumë dëshirë të ujisja dhe lulet e lokalit.

Por qeveria e sotme nuk ua mundëson të rinjëve punën në Shqipëri dhe ata emigrojnë të gjithë jashtë, dhe nuk e kanë provuar këtë kënaqësi.

Kjo është një arsye tjetër përse nuk i meritojmë negociatat.

-Me se e keni prerësen e barit në oborr, me benzinë apo energji elektrike, pyeti deputeti tjetër?

-E kam me energji elektrike, biles e kam me bateri.

Nuk bën zhurmë fare.

Kurse këtu aplikohen gjerësisht korëse bari me benzene, biles dhe me naftë, duke ndotur mjedisin.

Kjo është një arsye e fortë përse Holanda nuk duhet të lejojë hapjen e  negociatave.

Është një skandal.

-Ke të drejtë, tha deputeti, qenka vërtet skandal.

-Si është ajri tek zona ku banoni në Amsterdam, ka lagështirë?

D.m.th kur e  hapni shtëpinë një here në javë, si e gjeni shtëpinë, e pyeti një tjetër

-Shkëlqyer e gjej. Ajri ka parametra normalë.

Këtu tre ditë iki në fundjavë dhe kur vij e gjej shtëpinë me aromë mbytëse.

Këtu ajri nuk lëviz fare nga vendi dhe ndotja është shumë e lartë.

Ndaj ne nuk e meritojmë të na hapen negociatat.

-Ke të drejtë, i tha deputeti tjetër. Kjo qenka skandal.

Pas kësaj, në darkë u vendos një heshtje e mërzitshme nga mazhoranca, pasi ata nuk kishin më asnjë argument kundër Lulit.

Mendoj se kjo është një fitore e thellë e opozitës ndaj kësaj shumice, që përpiqet të përfitojë nga hapja e negociatave”.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje