Ministri spanjoll letër Tahirit: Vlerësojmë rezultatet kundër narko-trafikut

21 Tetor 2014, 09:47Kronika TEMA

Ministri i  Brendshëm Saimir Tahiri ka marrë vlerësime nga homologu spanjoll, Jorge Fernandez Diaz për rezultate në luftën kundër narko-trafikimit si dhe për heqjen e Shqipërisë nga lista e vendeve të origjinës së trafikut të narkotikëve.

“Shifrat janë shumë pozitive, si për vendin tuaj ashtu edhe për Bashkimin Europian dhe jam i bindur që i përgjigjen një pune të strukturuar, serioze dhe këmbëngulëse, në një sektor kaq të rëndësishëm për sigurinë dhe stabilitetin e një vendi”, shkruhet në letrën e ministrit të Brendshëm të Spanjës.

Teksa thekson se për Spanjën lufta kundër trafikut të drogave është një prioritet, ministri Jorge Fernandez Diaz përgëzon Ministrin Tahiri si dhe qeverinë Shqiptare “për shifrat e jashtëzakonshme të konfiskimeve, arrestimeve dhe gjyqeve që rezultojnë me dënime, frut i operacioneve të Ministrisë së Brendshme dhe Policisë së Shtetit Shqiptar”.

Ministri spanjoll e mbyll letrën e tij duke shprehur dëshirën për t’u takuar personalisht me Ministrin e Punëve të Brendshme, Saimir Tahiri.

Gjatë operacioneve anti-drogë të këtij viti u kapën 101 ton marijuanë, 23 kg heroinë dhe mbi 540 mijë bimë narkotike u asgjëuan.

 

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje