Sa do të ndryshojë Evropa pas terrorizmit në Paris

14 Janar 2015, 19:19Blog TEMA

Në të ardhmen e djathta ekstreme dhe grupet ksenofobike dhe antiislamike do të tentojnë të shfrytëzojnë terrorizmin në Paris për propagandë të tyre. Por e mira në reagimet e para është se atyre nuk u dhanë hapësirë. Evropianët nuk e identifikojnë islamin me terrorizmin, por presin tash që vetë myslimanët po ashtu t’i izolojnë terroristët dhe ekstremistët. Gjithsesi Evropa më nuk do të tolerojë predikime radikale, nxitje të urrejtjes dhe të terrorizmit nga disa klerikë radikalë. Por vlerat evropiane do të mbrohen edhe duke respektuar myslimanët evropianë

 

Nga Agustin Palokaj*

 

Flamuj nga shtetet si Tunizia, Turqia, Algjeria, por edhe nga Shqipëria, në marshin kundër terrorizmit në mesin e më shumë se dy milionë njerëzve në Paris dhe qytetet e tjera të Francës, të dielën, pjesëmarrja e liderëve nga shtetet me shumicë myslimane në këtë marsh, vizitat e dhjetëra imamëve në vetëshërbimin hebraik në Paris, ku katër pjesëtarë të këtij komuniteti u vranë si viktima të terrorizmit, jep shpresë se ajo që ndodhi në dy ditët e javës së shkuar mund ta ndryshojë Evropën, por mund ta ndryshojë edhe për të mirë. Delegacioni nga Shqipëria, me prijësit e feve të ndryshme, dërgoi një porosi uniteti kundër së keqes po ashtu. Franca, si vendi me komunitetin më të madh mysliman por edhe hebraik në Evropë, përballet me rritjen e mbështetjes për të djathtën ekstreme. Në zgjedhjet e fundit për Parlamentin Evropian një parti e tillë fitoi më së shumti vota. Rritje të së djathtës ekstreme ka edhe në shtetet e tjera të Evropës. Por kjo kurrsesi nuk do të thotë se Evropa është antiislamike apo islamofobe siç mundohen ta paraqesin disa injorantë nëpër media.

Pas këtyre ngjarjeve u dëgjua shumë se “Evropa më nuk do të jetë siç ishte”. Por vlerat evropiane janë aq të rëndësishme saqë asnjë terrorizëm i tillë nuk do të mund të lejohet t’i rrezikojë ato vlera. Në të kundërtën, nëse jeta e njerëzve do të ndryshojë në mënyrë dramatike, nëse mediat do të duhen të kenë kujdes dhe të vendosin censurë, nëse liritë e dikujt do të duhen të kufizohen, atëherë kjo do të mund të shihej edhe si fitore e terroristëve dhe ekstremistëve.

Në të ardhmen e djathta ekstreme dhe grupet ksenofobike dhe antiislamike do të tentojnë të shfrytëzojnë terrorizmin në Paris për propagandë të tyre. Por e mira në reagimet e para është se atyre nuk u dhanë hapësirë. Evropianët nuk e identifikojnë islamin me terrorizmin, por presin tash që vetë myslimanët po ashtu t’i izolojnë terroristët dhe ekstremistët. Gjithsesi Evropa më nuk do të tolerojë predikime radikale, nxitje të urrejtjes dhe terrorizmit nga disa klerikë radikalë. Por vlerat evropiane do të mbrohen edhe duke respektuar myslimanët evropianë.

Viktima të terrorizmit janë të gjithë. Edhe në mesin e të vrarëve, kinse në emër të islamit, pati myslimanë siç ishte polici Ahmed, që me gjakftohtësi u vra derisa ishte i shtrirë përtokë me duar të ngritura. Pati edhe myslimanë që shpëtuan hebrenjtë dhe kjo tragjedi po ashtu nxori heronj të rinj. Terrorizmi nuk ka arsye kur vret. Ata vetë i shpifin arsyet e tyre. Dikë vrasin pse shkruan apo vizaton diçka, të tjerët pse janë të fesë tjetër, të tjerët se nuk janë sa duhet myslimanë, sipas kritereve të tyre, apo janë myslimanë të llojit tjetër. Të kërkosh arsyet e veprimeve të tyre duket jologjike sikurse është jologjike të ketë përgjegjësi kolektive të një besimi për shkak të akteve terroriste.

Se Evropa nuk është antiislamike pati shumë dëshmi në ditët para aktit terrorist në Paris. Në Gjermani pikërisht, kur ndodhi tubimi më i madh në histori kundër “Islamizimit të Evropës”, në atë tubim morën pjesë 18 000 njerëz. Të njëjtën ditë shumë më shumë gjermanë protestuan kundër antiislamikëve dhe madje Katedralja e Këlnit, njëra ndër më të njohurat në botë, në shenjë solidariteti me myslimanët dhe kundër islamofobisë, ndali dritat në këtë katedrale. Madje edhe në Francë, me gjithë kritikat se nuk po dëshmohet “uniteti francez”, liderja e Frontit Nacional, Le Pen, nuk u ftua të merrte pjesë, sepse ajo, me sulmet e saja ndaj të huajve, më shumë është pjesë e problemit sesa e zgjidhjes. Askush nuk e sheh në Evropë zgjidhjen e problemit mes ekstremistëve që thirren në emër të islamit përmes dërgimit të të gjithë myslimanëve nga shtetet e Evropës apo përmes mbylljes hermetike të kufijve siç do të donin ekstremistët e djathtë në Evropë. Por zgjidhjen e problemit e shohin përmes bashkëpunimit dhe luftës së përbashkët. E vërtetë tash e tutje në këtë luftë do të kërkohet që vetë myslimanët të jenë më të zëshëm, më të guximshëm dhe më pak të përmbajtur.

Menjëherë pas akteve terroriste u mobilizua Evropa në mbrojtje të lirisë dhe në dënimin e terrorizmit. Ajo që do të pasojë tash do të jenë veprimet konkrete në nivel më të gjerë evropian, por edhe global, për të nxjerrë mësime nga këto sulme.

Ajo që do të shohim është zero tolerancë ndaj ekstremistëve. Do të ketë më shumë koordinim në shkëmbimin e të dhënave për personat e rrezikshëm. Do të ketë veprime të ashpra dhe të shpejta ndaj atyre që indoktrinojnë dhe rekrutojnë të rinjtë për t’iu bashkuar grupeve terroriste në Siri dhe Irak.

Edhe Kosova dhe liderët e saj do të duhej të nxirrnin mësime nga kjo. Nuk duhet të ketë tolerancë ndaj jotolerancës. Politikanët e Kosovës, të cilët bënë shumë mirë që u solidarizuan me Francën dhe dëshmuan se cilës pjesë Kosova dhe shoqëria e saj i takojnë, duhet të veprojnë edhe në Kosovë. Edhe në Kosovë politikanët duhet t’u dalin në mbrojtje gazetarëve, duhet të luftojnë ekstremizmin dhe të mos bëjnë kalkulime politike. Kjo përgjegjësi u takon edhe liderëve fetarë. Nuk mjafton vetëm të distancohen nga ekstremistët dhe nxitësit e urrejtjes, e të tillë ka edhe në Kosovë, por ndaj tyre duhet të marrin masa konkrete. Mjafton një vështrim mbi disa postime nëpër komente në portalet e Kosovës, në rrjetet sociale, dhe të shihet se ka njerëz që arsyetojnë vrasjet në Paris dhe bëjnë ftesë edhe për sulme të tilla në Kosovë.

E keqja e quajtur terrorizëm nuk njeh kufij dhe, duke u solidarizuar në nivel global dhe duke bashkëpunuar me partnerët, luftën kundër kësaj të keqeje secili mund ta bëjë më së miri në oborrin e vet.

*Koha Ditore

5 komente në “Sa do të ndryshojë Evropa pas terrorizmit në Paris”

  1. r. th. says:

    Shume e vertete! Megjithe budadalleqet qe kane, prapseprape europianet ne pergjithsi, (e me teper: europiano-perendimoret), jane me tolerantet ne bote perkashi feve dhe kulturave te tjera. As ne Turqi, as ne Greqi, e tej nuk ka te tille tolerance. Por nje shumice e myslimanve ne perendim perpiqen prej dekadash si e si ta kthejne kete bote kaq tolerante ne imazhin e tyre, duke dashur te fusin mesim feje (Kuranin dhe Biblen) ne shkolla, te kete me artopalant 5 here ne dite kengen e hoxhes, te paguhen nga shteti hoxhallaret, te ngrene sa me shume xhamia e sa me te medha, te fusin sharian, te kete polici islame, e sa e sa budadalleqe dhe rregulla mesjetare te botes islame! Pa e kuptuar se po i shterngojne vetes litarin ne fyt! Por shyqyr qe ca kane nisur te distancohen nga keto budadalleqe.

  2. Ladi says:

    Muslimanet nuk kane nevoj te bejne lufte. Ato me natalitetin e tyre po e pushtojn Europen.

  3. kejsi says:

    cdo gje ka ndryshuar

    po mbi te gjitha nuk ka me pike dyshimi ne EUROPE se europa e krishtere eshte ne lufte me muslimanet ,lufte kjo e shpallur sponsorizuar dhe shtyre ne extrem nga arabo turqit.

    dhe si cdo lufte e nisur dhe kjo nuk mund te ngelet ne mes. dikush duhet te fitoje dhe dikush sigurisht qe do humbase.

    1. lemi says:

      kejsi
      gabim e ke,Rusija eshte ne pytje dhe sirija,spo dijn ka mja nis,se pju del trash,se keto shtete qe pi thirrish ti demokratike jan shteten kolonizuese,e juve minoritarve ju perdorin si insekt ne grep te peshkut.

  4. Ariu says:

    Po sikur secili te rinte rehat ne punen e vet? Musulmanet ne vendet e tyre me kuran me xhamira dhe me perce po ju desh qejfi, dhe Europianet ne vendet e tyre me zakonet e tyre, me kusht qe naften ta blejne me dollare dhe jo ta rembejne me lufte!

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje