Zhvillimet pas marrëveshjes së Greqisë me kreditorët

15 Korrik 2015, 20:03Antena TEMA

Pas marrëveshjes së Greqisë me kreditorët, ka disa këndvështrime sesi e shikojnë finalen e kësaj krize.

Brenda partisë së Cipras ka shpërthyer debati pse tradhtoi Cipras dhe janë krijuar katër fraksione.

Fraksioni marksist, i drejtuar nga Varufakis e cilëson marrëveshjen atentat ndaj teorisë së tij. Për këtë, ai kërkon shkarkimin e Ciprasit dhe internimin në Gjermani.

Një fraksion tjetër, i quajtur maoist brenda Syrizas, kërkon që Cipras të bëjë autokritikë që ka përqafuar shkollën e “100 luleve”, duke lejuar të pranojë çdo teori nga Europa.

Një tjetër fraksion euro-komunist mbështet marrëveshjen e Ciprasit, duke e quajtur si të pakundërshtueshme.

Idenë më origjinale e ka dhënë fraksioni stalinist i Syrizas. Ai kërkon dënimin me vdekje të Cipras, duke e akuzuar për tradhti kombëtare.

Reagime të forta ka patur dhe nga Tirana:

Edi Rama: Pasi u sorollat si çifuti në shkretëtirë, Cipras u detyrua të pijë ujë tek i vetmi burim që e ka çdo e majtë në botë, tek demokracia europiane. Tani ne nuk jemi të lumtur që Greqia do të paguajë më shumë për të vuajtur më pak, por jemi të lumtur që do vuajmë më pak për të fituar më shumë në raport me ta.

Lulzim Basha: Isha i bindur se Samaras po nxitohej me dorëheqjen e tij. Koha më dha të drejtë. Një lider nuk mund të japë dorëheqje pse humbet në zgjedhje 60 përqind. Ka akoma dhe 40 përqind shpresë në raste të tilla. Ishte gabim i rëndë. Cipras e ka bërë gjithçka që të shkatërrojë Samaras. Sapo ai dha dorëheqjen, ky firmosi. Kjo tregon se komunistët grekë i kanë bërë grusht shteti të djathtës në Greqi. Unë s’do ta bëja kurrë atë gafë.

Fatmir Mediu: Ky Cipras është budalla. I pata thënë, e njoh unë Merkelin, se e kam taku me Lulin kur ishim me Gonin në Berlin dhe ia kisha rregulluar për hiçasgjë. Shkon humbet kohën kot.

Ilir Meta: Kjo që i ndodhi Ciprasit është një përvojë që e kemi kaluar të gjithë. Është mirë që Cipras të kthjellohet tani dhe të ulë kokën, të punojë me qetësi. Nuk ka të majtë e të djathtë, ka shtet me lekë dhe shtet pa lekë.

Shkëlqim Cani: E mirëkuptoj pozicionin e vështirë të Ciprasit tani. Duhet të shkurtojë vende pune, pensione… Duhet të shtojë taksa, duhet të rrisë TVSH etj. Është kohë e artë të isha ministër atje tani.

Vangjel Dule: Kur vjen e keqja hapi derën. Mirë që nuk mora asnjë bashki, por dhe ato pak vota që kisha nga pensionet kanë për të më ikur. Ky është kryeministri më  anti-kombëtar i Greqisë.

Genc Ruli: Cipras ka fituar njëlloj si Lul Basha, sikur t’ia bëj llogaritë Kaçi. Ndryshimi është se Cipras e di çfarë ka fituar, kurse Basha nuk e di çfarë ka humbur.

Ditmir Bushati: Greqia është një vend xheloz. Për shkak se vet po jeton ditë të këqija, tentoi të më ndryshojë dhe mua emrin nga Ditmir, në Dhimitër. Kjo nuk është politikë e fqinjësisë së mirë, pasi një komshi i mirë, edhe pse është në ditë të keqe, gëzohet kur dikush e ka emrin që ngjall shpresë.

1 komente në “Zhvillimet pas marrëveshjes së Greqisë me kreditorët”

  1. Alma Mile says:

    Rrofte Ed Zapata dhe Baba Likja i Sardenjes!

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje