Autokritikë e pronarit të gazetës Standard për Kunatin

17 Korrik 2015, 19:05Antena TEMA

“I dashur Kunat,

Sot në mëngjes, i indinjuar lexova një lajm që gazeta ime ka bërë për takimin e Lulit me Doktorin dhe faktin që Luli kishte pritur pas dere, sa të dilte Hajrua nga takimi. Nuk ka mjaftuar kjo, por gazetari e ka ilustruar këtë skenë, si një prirje të re moderne që ti ke ndaj qytetarëve të thjeshtë, të cilët i lejon të takojnë para teje Doktorin.

Lajmi ishte i gjithi një fyerje e rëndë për Lulin dhe autoritetin e tij në rritje.

Nga analiza që unë kam bërë, më duket se ky lajm është sabotim  nga njëri prej ortakëve të mi, të cilit i kishe premtuar leje në fund, por ia ke dhënë dy kate më pak. Këtë ta kam thënë dhe një herë tjetër, po e nënvlerësove. Mesa duket, ai ka dashur të hakmerret.

Por unë nuk do ta lë këtë punë me kaq.

Pasi i kërkova dorëheqje kryeredaktorit, kam vënë re se gazetari që ka shkruar, ka mbiemër Olldashi. Do ta hetoj thellë dhe këtë rast, se mund të jetë ndonjë hakmarrje e fshehtë, por sidoqoftë do të të lajmëroj në kohë.

Me këtë rast i hodha dhe një sy gjithë lajmeve të gazetës për ty dhe vërejta jo pa shqetësim se lajmet janë të thata, nuk kanë atë frymëzimin që t’i i jep PD-së çdo ditë dhe nuk pasqyrojnë si duhet frymën e fortë opozitare që ti ke.

Ato mjaftohen me përshkrime të thata dhe të shpejta, ndërkohë që ti kur flet u ngre kokrrizat e mishit gjithë demokratëve në gjithë Shqipërinë.

Frymëzimi që buron nga fjalët e tua nuk ndjehet në faqet e gazetës sime dhe për këtë të kërkoj ndjesë të thellë. Të siguroj që tani do ta marrë seriozisht vet këtë punë.

Është e dyta herë që më duhet të shkarkoj kryeredaktorin për ty.

Hera e parë ka qenë kur ata botuan lajmin se ti nuk shkove në ceremoninë e policëve të vrarë nga Dritan Dajti më 2010 dhe kjo dukej sikur ty nuk të linte të shkoje, Dritan Dajti. E vërteta ishte se ne ishim bashkë për drekë atë ditë dhe ti s’mund të mos më respektoje.

Kjo është hera e dytë që më duhet të heq kryeredaktorin. Edhe pse e para ishte e rëndë, pasi aludonte se ti respektoje kriminelët, kjo e dyta është edhe më e rëndë, pasi kërkon të shuajë frymën e fortë opozitare që ti ke dhe të të paraqesë si njeri që merr udhëzime nga Doktori.

E vërteta është e qartë. Doktori ka nevojë herë pas herë të kthjellohet se çfarë ndodh dhe si ka mundësi që ti e drejton opozitën më mirë se ai dhe të thërret në takime. Kjo është e vetmja e vërtetë dhe ti nuk përton ta bësh këtë sa herë e kërkon ai.

Duke e ditur fare mirë këtë cilësi tënden, pasi unë ua kam sqaruar vazhdimisht, ata qëllimisht e kanë paraqitur sikur ti je një ushtar i Doktorit, që shkon aty, rri në radhë dhe pret të marrësh udhëzime prej tij.

Duke të siguruar që kjo nuk do të ndodhë më, të lutem konsideroje këtë si një aksident që buron nga ortaku im, i cili e ka bërë për motive të dobëta. Unë tani do të spastroj njerëzit e tij nga gazeta dhe të jesh i sigurt që nuk do ketë më aksidente të tilla.

Shpresoj të takohemi së shpejti për të folur për planet e ardhshme.

I yti…”

1 komente në “Autokritikë e pronarit të gazetës Standard për Kunatin”

  1. salem says:

    Luli=kelysh i rrahur.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje