Zeni me Kunatin përgatisin akuzën për Tahirin, mbi vjedhjen e kalit

6 Gusht 2015, 19:18Antena TEMA

Zenit i kanë marrë kalin. Siç ka shpjeguar vetë ish-gruaja, së cilës Zeni i kishte premtuar kalin, tre macet dhe qenin pas divorcit dhe e kishte gënjyer, ka ardhur me një kontenier për transport kuajsh nga Suedia, e ka marrë kalin në stallë dhe ka ikur.

Zeni nuk mundi ta ndalte, pasi ishte me të dashurën e re në Parga me pushime.

Sapo mësoi lajmin, ai u tërbua. Mori në telefon Kunatin tek PD-ja dhe i shpjegoi çfarë kishte ndodhur.

-Ajo ka ardhur, ka marrë kalin dhe ka ikur, i tha. Ka tentuar të marrë dhe qenin dhe tre macet po nuk ia ka dhënë roja. Kurse për kalin i ka thënë do dal një shëtitje dhe nuk e ka kthyer.

Për mua e gjitha është e kurdisur nga Saimir Tahiri, i cili ka lejuar daljen jashtë vendit të kalit pa pasaportë, ose me pasaportë false. Kam dyshime se ky bashkëpunim mund të thellohet dhe të na dalin sekrete të tjera.

-Po qeni dhe tre macet a janë mirë të paktën, pyeti Kunati?

-Tre macet mirë, po qeni ishte shqetësuar pak. Se ai tani është mësuar me nusen e re dhe qe mërzitur që e kishte parë atë tjetrën.

-Po si t’ia bëjmë, i tha Kunati? Sipas lajmeve kali e ka kaluar Gjermaninë. Nuk e ndalim dot. Më thuaj si mund të të ndihmoj?

-Po të bëni një deklaratë nga PD-ja për kalime të paligjshme në kufi, të stimuluara nga Saimir Tahiri, tha Zeni.

-Po duket pak si çështje private, i tha Kunati.

-Po pse për vjehrrën e Genc Pollos reaguat dhe dhatë garanci që Pollo nuk është pervers, kurse për vjedhjen e kalit tim nuk reagoni? Më e mirë është vjehrra e Pollos se kali im?

-Ke të drejtë, tha Kunati. Ta mendoj një herë.

-Të kuptohemi. Nuk më vjen keq për kalin, por kam hall se është përzier shteti kundër meje. Si mund të ma marrë mua shteti, kalin? Për me tepër është në lojë dhe dinjiteti i babit. Babit i tha Taulant Balla në parlament, i thuaj djalit t’i çojë kalin ish-gruas. Atëherë unë reagova dhe thashë që ti je mashtrues, se unë nuk kam asnjë kal për të çuar asgjëkundi.

Tani doli që Taulanti ka pasur të drejtë dhe unë dal mashtrues. Kjo gjë duhet të zgjidhet urgjent.

-Po sikur të bësh një deklaratë që ajo nuk ka marrë kalin tënd, i tha Kunati?

-Jo, s’e bëj dot, tha, se ajo ka botuar fotografinë e kalit dhe shtypi ka botuar dhe mua sipër kalit. Duket që është i njëjti.

-Po sikur të themi që ajo ka gjetur një kal njëlloj si joti për hakmarrje?

-Nuk bëhet ajo punë. E vetmja mënyrë është të sulmojmë si PD, Saimir Tahirin që më ka vjedhur kalin, vetëm për të më diskretituar dhe për të mbështetur mashtrimet e Taulant Ballës, sikur unë i kam borxh ish-gruas kalin.

-Mirë atëherë, tha Kunati. Po e bëjmë nesër. Për këto çështje të rënda kriminale zakonisht nxjerrim Strazimirin. T’i themi atij dhe të reagojmë nesër. Ndërkohë njoftojmë dhe ambasadën suedeze për skandalin.

-Jo, jo mos na përziej me ata, se ata për një kal ngrejnë shtetin në këmbë. Puna është si ta përdorim politikisht që të mos dalë unë gënjeshtar dhe të dalë sikur Taulant Balla tha të vërtetën në parlament. Se kush duron babin pastaj. Ngeli duke më thënë, “më ke mbyll gojën, nuk flas dot për një gjë se do më dalësh para ti për çdo gjë”. Dhe kalin kisha mangut tani.

1 komente në “Zeni me Kunatin përgatisin akuzën për Tahirin, mbi vjedhjen e kalit”

  1. Gopisti i NSHRAK-ut says:


    Zëni @ Saadije = Love at first sight!

    Inat goxha të madh
    Kam me ty Saadije
    Maryn e donim shumë
    E kishim si rob shpije.

    Ne shumë mirë e mbanim
    Me kashtë,jonxhë a bar
    Me paret që harxhonte
    Ushqehen dyqind shqiptar.
    £
    Me ktë që ti na bëre
    Dynjaja na përfoli
    Po baba do më sjelli
    Gomarin nga Viçidoli.
    $
    P.S.

    @ Saadije

    Erdhe që erdhe
    Po pse ike
    si e dhime?!
    Ishe që ishe
    Ja rrasje Zenit
    Një të qime ?

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje