Kunati merr një raport sekret, për një takim të mundshëm Rama-Meta

14 Gusht 2015, 20:59Antena TEMA

Dje Kunati mori në dorë një raport tronditës ku bëhej fjalë për një takim të mundshëm sekret mes Ramës dhe Metës. Kunati kishte kohë që ishte siguruar se ata nuk takoheshin dhe nuk flisnin dhe për këtë shkak, ai po merrte masa se çfarë qëndrimi të mbante. Për këtë kishte zgjedhur dy strategji. Një pjesë të gazetarëve i kishte orientuar të flisnin për aleancë PS-PD, të tjerët për aleancë mes PD dhe LSI-së. Kush të dilte, le të dilte. Farua udhëhiqte grupin e nevojës për aleancë me LSI-në, kurse Pollo për aleancë me PS-në. Por, raporti që ishte hartuar nga një njeri i besuar i Kunatit në një media të rëndësishme të tij, ishte tronditës.

Ja çfarë shkruan ai:

Kam dhjetë ditë që jam në Jalë dhe ruaj natë e ditë lëvizjet e Metës. Ditët e para nuk ka pasur lëvizje të dyshimta. I jam afruar dhe kur flet në telefon, por nuk thotë gjëra serioze që mund të na shqetësojnë. Kryesisht flet me këta njerëzit e LSI-së.

Pastaj, një ditë aty mbërriti Menduh Thaçi. Ai rrinte natë e ditë me të, në kafe, në det dhe ballkonin e vilës. U afrova nja dy herë të dëgjoja tematikën e bisedës dhe dëgjova që përmendën Ramën. Ajo që më bëri pështypje ishte se Meta nuk reagoi keq. Po fliste me tone normale. Nga kjo më lindi mendimi, se ky Thaçi duhet të kishte ardhur për pajtim. Një ditë i pashë që hynë të dy në det në Jalë. U nisën nga shkëmbi i anës, ku është Folia, në drejtim të bregut tjetër, ku është një hotel i ushtarakëve. Më bëri shumë përshtypje se ecnin me not ngadalë dhe flisnin me njëri-tjetrin. Situata u bë shqetësuse pasi ata po rrinin gjatë në det. Më vonë, afër tyre u afrua një burrë që shtynte një kamardare në formë avioni. Ai e fshihte kokën pas kamardares, por trupi i tij ishte shumë i gjatë. Ai u afrua mes tyre, i përshëndeti dhe qëndroi gjatë. Fëmija rrinte mbi kamardare, ndërsa ata bisedonin. Pasi ndenjën gjysmë ore, u ndanë. Menduja dhe Iliri erdhën në breg, ndërsa ai burri vazhdoi në drejtim të bregut tjetër. Pastaj erdhi një varkë, e mori dhe iku. Ai ishte i maskuar, por sipas gjithë gjasave, ai duhet të ishte Edi Rama.

Të them të vërtetën nuk mund t’i dëgjoja çfarë thoshin dhe nuk bënin dot gjeste se i kishin duart në ujë. Por fëmija nuk qante gjatë bisedës së tyre, çka më jep të kuptoj se ka qenë bisedë e qetë. Kjo është shenjë se ata mund të jenë pajtuar me njëri-tjetrin.

Kjo më shqetësoi shumë dhe dy ditë më parë, rreth orës 11 të natës, pashë Metën që hipi në makinë dhe doli nga kampi i Jalës. Iu vura pas me makinën time. Ai mori kthesën për Vuno. Në hyrje të fshatit ndaloi, la makinën dhe mori një rrugë me kalldrëm.

E kapa, mendova! Tani s’ka ku më ikën. Ju e dini që Vunoi është fshat i Edi Ramës. Iliri ecte kalldrëmit lartë, unë nga pas në distancë. Në krye të kalldrëmit u shfaq një fytyrë që e kisha shumë të njohur.

-Po hë mo burrë, ku humbe, i tha Meta, se thashë se po ngatërroja rrugën?

-Ja se bëra pak shurrën këtu, se s’të sheh njeri, tha ai personi tjetër. Mu duk zë shumë i njohur dhe familjar, por s’po më kujtohej ku e kisha dëgjuar atë zë. Meqë foli për urinim, rrugës mendova që është Edi Rama, por nga zëri dukej ndryshe.

-Ja, këtu është, tha, dhe i tregoi Ilir Metës një shtëpi të vjetër, të rrënuar dhe një gardh të ngushtë para portës.

-Qenka shtëpia e Edi Ramës, thashë me vete. Ia futa vrapit të afrohem më shumë. Kur ç’të shikoj. Personi që po e priste ishte Tit Vasili. Po i tregonte shtëpinë e vet. Po të lexosh librin Kurbani, do të shikosh se Tit Vasili qenka kushëri me Ed Ramën dhe ka shumë mundësi që Ed Rama ishte brenda në shtëpi dhe ata kryen takim sekret. Unë ika se mu qep një qen nga pas, e desh më shqeu, por takimi është i sigurtë. Ndaj na duhet strategji e re”.

Kunati e lexoi i dëshpëruar dhe përplasi duart mbi gjunjë.

-Qenka hall i madh, tha. Ky Farua e paska humb nuhatjen.

2 komente në “Kunati merr një raport sekret, për një takim të mundshëm Rama-Meta”

  1. ari says:

    I ka zen dhjame gusha dhe i ka zen nuhatjen fares se keqe

  2. Nik_Paguri says:

    Rrace e qelbet

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje