Nick Cullaku i propozon Kunatit formulën e re për 21 Janarin

16 Gusht 2015, 19:20Antena TEMA

Kunati sot u befasua nga gjetja e Nik Cullakut. Teoria e tij më e re, që nuk i kishte shkuar në mendje askujt, është se Doktori ka vrarë katër vetë më 21 Janar, që bota të mos merrej me akuzat e Dick Marty-t për Kosovën. Nicku ia ka çuar propozimin me shkrim Kunatit, që ky i fundit ta përdorë tani e tutje kur flitet për 21 Janarin.

I dashur Kunat!

Po mendoja këto ditë plazhi për detyrën e rëndë dhe të vështirë që më keni dhënë lidhur me marrëdhëniet me jashtë. Siç dihet, marrëdhëniet me jashtë janë gjithmonë në funksion të marrëdhënieve të brendshme. Në këtë pikë, unë i jam përkushtuar gjetjes së disa alibive për akuzat më të forta që na bëhen në politikën e brendshme, për t’i justifikuar ato me zhvillime ndërkombëtare.

Së fundmi kam bërë një zbulim.

Duke shfletuar axhendën time diplomatike, kam konstatuar se më 21 Janar 2011, Dick Marty do të paraqiste në Asamblenë e Këshillit të Europës, raportin mbi krimet e shqiptarëve në Kosovë dhe mundësinë e trafikimit të organeve të viktimave serbe. Aty më lindi ideja. Të gjithë shqiptarët e pranojnë se Doktori është patrioti më i madh i kombit shqiptar. Për çështjen e Kosovës, ai është gati të bëjë sakrifica të mëdha dhe të padëgjuara mbi tokë. Ai ka qenë njeriu që e çliroi Kosovën nga Serbia dhe e futi në rrugën e lirisë. Ai për Kosovën ka bërë gjithçka tërë jetën.

Duke pasur parasysh Doktorin dhe ndjeshmërinë e tij për Kosovën, është e qartë se ai nuk mund të lejonte botën që më 21 janar 2011 të dëgjonte akuza monstruoze për krime të shqiptarëve ndaj serbëve. Jo vetëm se ato krime nuk ekzistojnë, por mbi të gjitha se ai nuk mund të lejojë të përgojohet Kosova.

Për këtë shkak, Doktori ka përdorur protestën e opozitës për të shpëtuar Kosovën.

Ai është detyruar me dhimbje të vrasë katër qytetarë shqiptarë kur protesta po mbaronte, me qëllim që bota të kthente kokën nga Shqipëria dhe të mos dëgjonte ato tmerret që shpikte Dick Marty për Kosovën.

Dhe ia arriti. Unë mendoj se sakrifica e atyre katër qytetarëve shqiptarë në bulevard më 21 Janar dhe vendimi i dhimshëm i Doktorit për t’i vrarë ata, duhet të çmohet si një vepër kombëtare që ka shpëtuar Kosovën nga një damkosje ndërkombëtare.

Nëse bën një kërkim në Googel me fjalën Albania më 21 Janar 2011, mbizotërojnë lajmet për katër të vrarët në Bulevard. Kjo është një nga vetitë më inteligjente të Doktorit, i cili pranon të bëhet dhe kamikaz për Kosovën.

Me këtë akt patriotik, Doktori, por edhe Luli, meritojnë gjithë respektin e kombit shqiptar, pasi katër të vrarët  në Tiranë kanë mjaftuar për të mbuluar malin e krimeve që Dick Marty shpikte kundër Kosovës në Strazburg.

Tani e tutje, unë propozoj që sa herë të na akuzojnë për 21 Janarin të përdorim këtë argument. Kështu dhe Luli me Doktorin dalin të nderuar dhe e gjitha justifikohet me interesin kombëtar dhe tregojmë sesi kemi arritur t’i mposhtim serbët në propagandën kundër nesh si vrasës. 21 Janari provoi se ne mund të vetëvritemi, por kurrë nuk pranojmë të akuzohemi se kemi vrarë pjestarë të kombeve të tjera.

Me respekt, Nick Cullaku

2 komente në “Nick Cullaku i propozon Kunatit formulën e re për 21 Janarin”

  1. nendetsja105 says:

    Collaku ka te drejte.Mero,je gabim!!!

  2. Artemisa says:

    Mero ! Perse nuk n’a thuaj se cfare mendon Ilir Meta per 21 Janarin ?
    Pasi te na thuash kete, atehere vazhdo dhe bej kete humorin tend bajat.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje